“Promovuan pavarësinë e Kosovës”: Serbia liron tre serbët e Kosovës që i arrestoi në prill
Radio Evropa e Lirë (shërbimi në gjuhën serbe) raportoi se tre serbët nga Kosova të cilët ishin arrestuar nga shteti serb teksa po kalonin në pikën kufitare të Jarinjes në muajin prill, tashmë janë liruar. Ato, siç raporton REL-i, ngarkoheshin me akuza “të veprimeve kundër rendit kushtetues të Serbisë”.
Avokati i njërit nga të arrestuarve, Ivan Niniq, i tha kësaj medie se klienti i tij Dragan Nikoliq, u lirua për shkak të mungesesës së provave ndonëse para një jave iu kishte shtyer masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
“Pesë dëshmitarët e parë erdhën, refuzuan të dëshmojnë duke thënë se kishin frikë për sigurinë e tyre. Më pas u thirrën edhe katër dëshmitarë të tjerë. Një dëshmitar erdhi dhe tre jo. Prokurori konstatoi se nuk ka asnjë mënyrë për të siguruar praninë e tyre, duke qenë se ata janë në territorin e Kosovës dhe Serbia nuk ka mekanizma që t'i detyrojë të vijnë”, tha Niniq, duke theksuar se këta ishin dëshmitarë të identifikuar nga Policia serbe.
Përveç Nikoliqit, ishin arrestuar edhe tre serbë nga veriu i Kosovës. Të gjithë ata akuzoheshin se ishin pjesë e “një grupi të organizuar kriminal, qëllimi i të cilit ishte ndryshimi i dhunshëm i pushtetit, gjegjësisht përmbysja e rendit kushtetues të Republikës së Serbisë në veri të Kosovës”. Ata dyshohet se kanë shpërndarë "material propagandistik për të promovuar pavarësinë e Kosovës", raporton REL-i.