Prokuroria Speciale konfirmon bastisjen në ministrinë e Pecit: Disa zyrtarë dyshohen për rastin te ish-zyrat e AAK-së
Prokuroria Speciale e Kosovës ka dalë me komunikatë për media, ku ka konfirmuar bastisjen në Ministrinë e Bujqësisë, e drejtuar nga Faton Peci. Rasti ka të bëjë pikërisht me renovimet në objektin ku ndodheshin zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, i ka thënë fillimisht Nacionales se hetimet kanë nisur pas dyshimeve mbi veprimet e disa zyrtarëve të Ministrisë në lidhje me renovimet në këtë objekt.
“Ju informoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në mbështetje të nenit 83 par. 1 të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, me qëllim të verifikimit të pretendimeve apo dyshimeve të ngritura në opinionin publik për veprimet e disa zyrtarëve publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja, tani nën menaxhimin e Ministrisë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, që të kryejë veprime hetimore në mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave të çështjes” – na tha ajo.
Tutje, nga Prokuroria Speciale janë përmendur disa “zyrtarë publikë” të cilët dyshohen për tri vepra penale.
“Zyrtarët publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dyshohen se me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale: “ Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, nga neni 414, të KPRK-së; “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415, të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, të KPRK-së” – ka thënë Kozmaqi për Nacionalen.
Ndonëse Prokuroria nuk ka treguar se kush janë të dyshuarit, më herët bashkë me zyrtarët policorë, nga objekti është parë duke dalë edhe një zyrtar i ministrisë, Bedri Dobra.
Nuk dihet ende nëse Dobra është arrestuar, megjithatë, edhe në pamjet e Nacionales ai shihet i shoqëruar për në veturë nga zyrtarët policorë.
Nëpër media, është raportuar se Dobra ka qenë menaxher i kontratët në fjalë.
Gjatë javës, mediumi “Koha”, ka raportuar se Ministria e Bujqësisë pagoi 66 mijë euro për të larguar disa mobile që nuk ekzistonin fare.
Sipas raportimit, këtë shifër e ka paguar Faton Peci i Ministrisë së Bujqësisë, pas marrjes së objektit ku selinë e kishte Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Ministria e Bujqësisë ka paguar 66 mijë euro për heqjen e mobilieve nga secila prej 33 hapësirave të ndërtesës ku e kishte selinë AAK-ja, përfshirë salla, korridore e banja. Por, një video të cilën e ka siguruar KOHA, tregon se kur AAK-ja u largua, këto hapësira ishin boshe. Në Ministri nuk dhanë një arsyetim për këtë” - shkroi ky medium.
Theksojmë se ministri Faton Peci në vazhdimësi ka lavdëruar vetën e tij për mënyrën se si i ka menaxhuar gjatë mandatit rreth 300 milionë euro buxhet.
“Nuk ka nevojë askush prej studios me i tregu fermerit a ka psë progress a s’ka pasë me ministër Faton Pecin në sektorin e Bujqësisë. Dallim radikal. Kemi dhënë përkrahje 300 milionë euro, prej 300 milionë euro ofrim për sektorin e Bujqësisë, i pari i ministrisë nuk ka ushtru ndikim as edhe në një rast të vetëm se kush do të jetë përfitues i subvencioneve edhe i granteve”.
“Kjo nuk është revolucionare vetëm për rajon apo Ballkan, por kjo nuk besoj që ekziston as në BE, ku një ministër ka në menaxhim 300 milionë euro edhe nuk ushtron asnjë ndikim.”– kishte thënë ministri i Bujqësisë, Faton Peci.