Prokuroria shënjestron edhe Podujevën për manipulim me vota, kandidatët e Vetëvendosjes prijnë me minus - NACIONALE

Prokuroria shënjestron edhe Podujevën për manipulim me vota, kandidatët e Vetëvendosjes prijnë me minus

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, për mbledhjen e provave lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtave të votimit, lidhur me procesin e numërimit të votave në komunën e Podujevës.

Sipas prokurorisë, janë evidentuar dyshime për mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve pas përfundimit të numërimit në këtë komunë.

Vendens Lahut kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje, i janë shtuar 407 vota në këtë komunë, 389 vota i janë shtuar Ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ndërkohë Adelina Stublla nga i njejti subjekt ka përfituar 244 vota, të cilat, nuk ia kishin dhënë qytetarët. Në PDK, Ditjona Statovci nga kjo komunë, ka përfituar 230 vota. Të tjerët pas saj, vetëm 30 e më pak. Ndërkohë nga rradhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga kjo komunë, nuk ka asnjë kandidat të ketë përfituar në treshifrorë.

Hetimi për Podujevën, vjen në një kohë kur procesi i rinumërimit të votave në tërë vendin ka zbuluar problema në shumë komuna, duke shkaktuar hetime dhe ndalime të dhjetëra personave të lidhur me numërimin e votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Në Prizren, Prokuroria Themelore ka zhvilluar një operacion të gjerë ku 109 persona janë intervistuar nën dyshimin për manipulim të rezultatit zgjedhor, përfshirë komisionerë dhe vëzhgues të qendrave të numërimit. Ata po hetohen kryesisht për veprën penale “falsifikim i rezultateve të votimit”, si dhe për veprime të dyshuara që lidhen me presion dhe marrje/ dhënie ryshfeti gjatë procesit të numërimit.

Edhe në Malishevë, hetimet kanë nxjerrë në pah shkelje të mundshme të procesit zgjedhor, ku 15 kryesues të qendrave lokale të numërimit janë ndaluar dhe disa dhjetëra anëtarë të qendrave janë pyetur, me dallime të konsiderueshme në numrin e votave që kërkojnë sqarim të madh.

Këto hetime janë zhvilluar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të rinumëruar votat në të gjithë vendin, pasi një mostër e verifikuar zbuloi parregullsi në votat e kandidatëve, duke nxitur shqetësime mbi transparencën dhe saktësinë e rezultateve përfundimtare.

Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë deklaruar se mbeten të përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit zgjedhor, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

Lajme të ngjashme