Prej "ndala sanksione" ndaj Kurtit në "jo bixhoz me aleanca": Qe kur nisi tamam prishja e presidentes me kryeministrin - NACIONALE

Prej "ndala sanksione" ndaj Kurtit në "jo bixhoz me aleanca": Qe kur nisi tamam prishja e presidentes me kryeministrin

2 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Nënshkroi përfundimisht divorcin politik.

Në fjalimin e saj vjetor para deputetëve, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shënoi finalen e kritikës karshi Albin Kurtit: politika të cilat i enkapsuloi me fjalinë “bixhoz me aleanca”.

Por, kur nisi bash tamam çarja mes dyshes Kurti-Osmani?

Po t’i besohet kësaj të fundes: prerja e rrugës së saj me Kurtin del të ketë ardhur si pasojë e prerjes së rrugëve të këtij të fundit me aleatët strategjikë dhe të sigurisë, më së theksueshmi, me ShBA-në.

Në dhjetor të 2023’ës Osmani pati çelur letrat për herë të parë duke lënë të kuptohej se aq keq i kishte punët shefi i ekzekutivit saqë në sirtar ishin edhe sanksione ndaj tij.

Por...sipas saj, ishte ajo që s’la që Kurti të futej në ato që asokohe jepeshin për potencialisht futje 'në lista të zeza' të superfuqisë.

Kam punuar nga 24 orë...që të parandaloj sanksione shumë më të rrepta ndaj shtetit tonë dhe individëve”.

Këtu dy emra nënkuptoheshin: Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla – Vjosa Osmani linte të kuptonte në një intervistë në RTV21 dhe fjala ishte për instalimin me aparat të tërë policor të kryetarëve në veri në godinat komunale.

Jam angazhuar që nga ajo ditë (26 maji)”, pati thënë Vjosa Osmani, “që të parandaloj shumë masa më të rrepta; partnerët tonë i dinë shumë mirë çfarë masa kanë qenë të planifikuara dhe sa biseda i kemi bërë çdo ditë e çdo natë”.

Nga 24 orë kam punuar që të parandalohen masa shumë më të ashpra edhe ndaj shtetit tonë edhe ndaj individëve”.

Kjo kishte shënuar rrëfimin më tonik të Osmanit karshi Albin Kurtit, me votat e të cilit ajo qe bërë presidente në rend të parë: aleancë kjo e trumbetuar deri idollatri publike. E kjo ishte dhjetori 2023.

Fast-forward nëntor 2024...

As përshëndetje të natyrës së mirësjelljes nuk pati mes tyre kur sot para deputetëve Vjosa Osmani çau përmes mjegullës së izolimit ndërkombëtar të vendit: dhe me një referent, politikat e Albin Kurtit.

La të kuptojë se vendi ka mbetur i vetëm dhe se me aleancat jetike të vendit është luajtur një ekuivalent kumari: për vota e për pushtet.

Dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim”, tha Osmani.

Aleancat janë për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë”, shtoi ajo.

Në kontranarracion me Albin Kurtin – i cili marrëdhëniet me ShBA-në i ka relativizuar deri në zbërthime morfologjike argëtuese si “marrëdhënie është marrje dhe dhënie, jo veç dhënie” – Osmani alarmoi për moslënien e vendit në vetmi ndërkombëtare.

Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Andaj, rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se, dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik”, tha ajo.

Unë besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet tona. Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhje. Ato janë gurthemel i sukseseve tona (...)”, shtoi ajo.

Prej dhjetorit 2023 e në nëntor 2024 Osmani ka qëndruar në një mes të palavdishëm – mes afirmimit të pozicioneve qeveritare dhe asaj të qëndruarit racionale ndaj aleatëve në çështje të sigurisë ku kompetencat finale i rezervojnë ata.

Ish-Emisari i ShBA-së për rajonin, Gabriel Escobar, e pati quajtur “trashëgimtare reale” të marrëdhënieve Uashington-Prishtinë të cilat “janë të sfiduara” nga qeveria kosovare.

Lajme të ngjashme