Përfshiu burrin dhe vajzat në ceremoni zyrtare, Osmani shkeli protokollin kur dekoroi Duan - NACIONALE

Përfshiu burrin dhe vajzat në ceremoni zyrtare, Osmani shkeli protokollin kur dekoroi Duan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Me të ardhur në Kosovë, këngëtares me famë botërore Dua Lipa iu hapën dyert e shumë institucioneve për takime.

Ngjashëm veproi edhe Presidenca e vendit të premten, ku ftoi Duan në ambientet e tyre dhe dekoruan atë me titullin “Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës”.

Por, kjo vizitë e saj në Presidencë, mori kahje tjetër të komentimit në publik, pasi që Dua, përveç presidentes u prit edhe nga burri i saj Prindoni, e dy vajzat binjake të saj, të cilat iu gëzuan shumë takimit me yllin botëror.

Ky veprim nxitur reagime të shumta në shoqëri, duke pretenduar se e para e vendit e ktheu Presidencën në ambient familjar.

A u shkel protokolli nga ky veprim i presidentes?

Tomor Avdia, njohës i protokollit thotë për gazetën se ceremonitë e pritjes janë dy llojesh.

E para, është ajo zyrtare që organizohet në Presidencë dhe e dyta në audiencë private, që zhvillohet në rezidencën e familjes së presidentit apo presidentes në këtë rast.

Andaj, sipas tij, pasi që ceremonia e djeshme ka pasur karakter zyrtarë në presidencë, prezenca e familjarëve të tjerë përbën thyerje të protokollit.

Ceremonitë janë dy llojesh, në presidencë dhe në audiencë private, të cilat zhvillohen në shtëpinë e familjes së presidentit apo presidentes në këtë rast. Këtij takimi i është dhënë karakter i audiencës private pasi që pjesëmarrës ishin familjarët. Këtu ka thyerje të protokollit”, tha Avdia për gazetën Nacionale.

Ai ka treguar se presidentja Osmani, nuk është e vetmja shefe e shtetit që ka bërë shkelje të tilla të protokollit.

Sipas tij, edhe tek presidentet e tjerë, ka pasur lëshime të tilla protokollare.

Edhe tek presidentët e tjerë ka pasur lëshime të tilla, të cilët iu kanë përshtatur më shumë interes të votuesit, se sa atij të shtetit, për atë edhe pse janë zgjedhur”, shton Avdia.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimeve me Dua Lipen dhe Rita Orën, kishte zhvilluar takim i vetëm, pa anëtarët e familjes së tij.

Por, një gjë të tillë e praktikojnë edhe presidentët nëpër vende të ndryshme të botës.

Në Amerikë ngjashëm ishte parë edhe ish-presidenti Trump me gruan e tij në takime të ndryshme zyrtare, e po ashtu edhe presidenti i tanishëm Biden bashkë me vajzat.

Reagimet që “Presidenca s’është e familjes Osmani”

Përfshirja e burrit dhe vajzave të presidentes Osmani në një ceremoni zyrtare, ka nxitur kritikat të shumta në drejtim të shefes se shtetit.

Aktivistja e Shoqërisë Civile, Zana Avdiu, ka deklaruar se çka me bëjnë fëmijët e tjerë që kanë dëshirë me taku Duan.

Çka lype burri i presidentes bashke me cika, ne Presidence me ba foto me Dua Lipen? Çka me ba femijët e tjerë, që kanë dëshirë me taku Duan, po nuk e kanë nanën presidente? Ani edhe Prindoni ish rendite aty”, ka shkruar Avdiu.

Edhe analisti e gazetari Ilir Mirena, ka postuar dy fotografi për të bërë një krahasim.

Gjeni dallimet! Megjithatë, Vjosa është kah bon përpjekje titanike për emancipimin e zoteriut te pare. I falet…”, ka shkruar Mirena.

Kurse, Parim Olluri i ka bërë thirrje presidentes e burrit të saj që ta merr edhe boxhanakin nëse ka.

“E ky Prindoni a ka naj baxhanak te vetin? Merrne edhe ata ne Presidence. Ne takime me yje. Si ky me Dua Lipen. Nxjerrjani yndyrën benefiteve që i mundëson pushteti. Pushteti Krejt dhe Drejt”, ka shkruar Olluri.

Si irritues ky gjest ishte parë edhe prej qytetarëve, të cilin komentonin nëpër rrjete sociale.

Ata kanë shkruar se “Presidenca nuk është e familjes Osmani”.

Kujtojmë që super ylli i muzikës botërore, Dua Lipa, po qëndron në Kosovë teksa gjatë natës së mbrëmshme u shfaqë në skenën e festivalit "Sunny Hill", e cila pas performancës së jashtëzakonshme u largua nga skena me mesazhin “Gjithçka është e mundur, vazhdoni ëndërroni”.

Lajme të ngjashme