Për BE-në kjo foto nuk është asgjë - përfaqësuesi serb që pozoi me flamurin "s'ka dorëzim" për Kosovën - NACIONALE

Për BE-në kjo foto nuk është asgjë - përfaqësuesi serb që pozoi me flamurin "s'ka dorëzim" për Kosovën

1 javë më parë

nga Vullnet Krasniqi

Aktivistë të ndryshëm nga vendet e Ballkanit e sidomos ata nga Kosova janë bërë tepër nervozë dhe nuk po ndalen së reaguari ndaj një fotografie që “kolegu i tyre” serb, Jagoš Stojanović, e ka postuar në profilin e tij në Instagram. Fotografia në të cilën ai pozon së bashku me kolegët e tij nga Unioni Studentor i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Beograd, është skandaloze sepse ata mbajnë në duar flamurin në të cilën harta e Kosovës është e mbuluar me simbolin e flamurit të Serbisë dhe mbi të mbishkrimi: ‘S’ka dorëzim”.

Ky mbishkrim është pjesë e propagandës serbe më saktësisht është përdorur nga vet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq duke iu referuar Kosovës, të cilën Serbia edhe me Kushtetutë e parasheh si “pjesë territoriale të saj”. Studenti serb Stojanoviq, është pjesë e Bordit ose përfaqësuesi i Serbisë në Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) një mekanizëm i Bashkimit Evropian për të promovuar pajtimin, besimin dhe dialogun në Ballkanin Perëndimor. Fotografinë e postuar, Stojanoviq e ka hequr, por ndikimi i saj, është ende i madh. Dhe shumë aktivistë të tjerë nuk po i besojnë.

Çka është RYCO dhe si e “mbrojti studentin serb”

Me 4 korrik të vitit 2016 në Paris të Francës, pasi u mbajt Samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor, u arrit një marrëveshje për të krijuar RYCO- ose Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor. Ky mekanizëm i BE-së u krijua përmes një pajtimi dhe nënshkrimi të bërë nga 5 kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

I frymëzuar nga suksesi franko-gjerman i pajtimit dhe bashkëpunimit, qëllimi i RYCO është të bashkojë të rinjtë në të gjithë BB6 dhe të kontribuojë drejt pajtimit.

“Por ky imazh thotë shumë: Një i ri serb që në vend të paqes dhe pajtimit, promovon urrejtjen. Ne e dënojmë këtë akt të urryer dhe të neveritshëm. Kërkojmë nga Komisioneri i BE-së për Arsimin, Rininë, Sportin dhe Kulturën, Gabriel Mariya dhe RYCO për ta dënuar atë gjithashtu. Dhe ne do t'i kërkojmë bordit të RYCO që të shkarkojë Jagos Stojanoviç nga bordi i RYCO”, ka shkruar në Twitter Jeton Zulfaj, këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ky reagim i tij i bërë të premtën vonë nuk ka gjetur ndonjë përgjigje deri të hënën e 23 janarit. Kur ata bënë një përgjigje, u kujdesën që në të, të mos thuhet asgjë ku dënohet postimi i fotografisë së tillë nga përfaqësuesi serb në RYCO.

Ne vlerësojmë shumë që të rinjtë në të gjithë Ballkanin Perëndimor së bashku po promovojnë dhe mbrojnë vlerat tona të përbashkëta me aktivizmin rinor, dhe duke reaguar ndaj të gjithë atyre që po punojnë kundër. Ne e konsiderojmë këtë lloj fuqizimi dhe solidariteti në rajon si një rezultat i rëndësishëm i punës së ndërtimit të paqes të bërë nga shoqëria civile dhe RYCO. Vetëm një lloj i tillë ndërgjegjësimi mund të sjellë ndryshime pozitive”, thuhej në dekalratën e tyre. Kjo për shumë aktivistë nga Kosova nuk do të thotë asgjë. Madje për disa prej tyre është edhe “falje” e aktivistit serb.

Dua Lipa, FIFA dhe reagimi i aktivistëve kosovarë

“RYCO NJË RAJON MË MIRË FILLON me qasje të paanshme ndaj nacionalizmit dhe veprime konkrete kundër kujtdo që promovon ultra-nacionalizmin dhe gjenocidin!”, ka shkruar Agon Rexhepi një aktivist Queer dhe i drejtave të njeriut.

Ai ka kujtuar sesi me 21 korrik 2020, RYCO bëri një deklaratë në lidhje me postimin e diskutueshëm të Dua Lipës kur kishte postuar një fotografi me flamurin në të cilin shkruhet “Autochthonous”.

“Ndër të tjera, RYCO nuk hezitoi t'i qaset diskutimit si nacionalist në atë kohë. Deklarata u quajt "Nacionalizmi nuk ndihmon" dhe thuhej se përfshirja në debate dhe argumente nacionaliste të shënuara me narrativa dhe agjenda që bien ndesh me parimet e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë do të nxisë më tej një kulturë ndarjeje që nuk i shërben interesit të rinisë dhe rajonit. Megjithatë, duket sikur RYCO nuk qëndron për të njëjtat vlera kur një përfaqësues i rasteve të tyre vihet në pikëpyetje!”, ka shkruar Rexhepi. Sipas tij,

Një tjetër aktiviste të drejtave të njeriut Teuta Hoxha - Jahaj ka shkruar se reagimi i RYCO është një reagim i thatë.

“Ne kërkojmë masa konkrete, njoftimet boshe për shtyp këtu nuk kanë dobi!”, ka shkruar ajo.

Kujtojmë se për flamurin e njejtë sikur që e ka postuar Stojanoviç FIFA kishte dënuar Serbinë me 200 mijë franga dënim. Ndërsa para 4 viteve në takimin e parë të RYCO-s që ishte paraparë të mbahej në Prishtinë, kishte ndodhur një ekses. Pak para takimit të Këshillit Drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të Rinjve, i cili duhej të mbahej në Prishtinë, përfaqësuesja serbe Milica Shkileviq është shkarkuar nga funksioni për shkak të vendimit që të merr pjesë në takim, për shkak të qëndrimit të qeverisë serbe se kjo “është në kundërshtim me interesat e shtetit”. Shkileviq kishte thënë se aty ishte për t’i përfaqësuar ekskluzivisht interesat e të rinjve.

Lajme të ngjashme