PDK sytë kah zgjedhjet e reja, por me kë kandidat për kryeministër? Flet Vlora Çitaku
Çfarë Partia Demokratike e Kosovës kërkon është zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kështu na thotë nënkryetarja Vlora Çitaku. Megjithatë, është ende herët për thënë – thotë ajo – se kush do të jetë i përzgjedhuri i tyre si kandidat për kryeministrër.
Për atë se kush do të jetë numri një i listës së tyre garuese, Çitaku tregon për Nacionalen se kjo gjë kërkon mbajtjen e konventës nominuese.
“Ne kemi paraparë mbi bazën e vendimit të Këshillit Drejtues një varg hapash që do t’i ndërmarrim si kryesi bashkë me Këshillin, për të përgatitur konventën nominuese për kryeministër".
"Mirëpo, ne do të bëjmë përpjekje që të ndryshojmë paradigmën, nuk është i rëndësishëm vetëm kandidati, sigurisht shumë, por nuk është vetëm ai i rëndësishëm, është edhe ekipi, PDK do t’i ofrojë qytetarit të Kosovë jo vetëm një kandidat, por edhe një ekip mbështetës dhe një ofertë programore konkrete, këtë do ta bëjmë brenda pak muajsh.” – është shprehur ajo.
Në insistimin për të treguar më shumë rreth "të parit potencial" të listës zgjedhore ajo thotë se një pozitë e tillë, i ka takuar tradicionalisht kreut të partisë, por se i mbetet atij të vendos se kush mund të kandidojë, ose nëse do të jetë ai personalisht; i.e: Memli Krasniqi.
“Ne do ta shterrojmë diskutimin brenda strukturave të PDK-së, tradicionalisht ka qenë kryetarit i partisë, mirëpo ai e mban ekskluzivitetin të vendosë a do të dalë ai vet, apo do të kemi një debat për dikë tjetër.” – është përgjigjur ajo.
Kohëve të fundit, është përmendur shumë se një alternativë e mundshme për të garuar si kandidat i PDK-së për kryeministër, është Bedri Hamza, i cili aktualisht është kryetar i Mitrovicës së Jugut.
“Është shumë mirë që po flitet për PDK-në, dhe është mirë që kur flitet për PDK-në nuk është vetëm një emër, por ka shumë emra që do të mund të ishin alternativë serioze për qytetarin e Republikës së Kosovës. Kam raport të mirë, respect për z.Bedri Hamza, si edhe me Enver Hoxhaj, Shaqir Totaj, shumë burra e gra që kanë capital personal e profesional.” – ka thënë ajo.
Sipas saj, këto vendime merren në organe drejtuese të PDK-së, e jo në studio.
Tutje, Çitaku është pyetur nëse e mundshme që të jetë dikush tjetër kandidat, përveç kreut të partisë. Në lidhje me këtë, ajo u përgjigj si vijon:
“Kjo nuk është e ndaluar me asnjë mekanizëm administrative dhe statutar të PDK-së, mirëpo në këtë moment, është diskutim i parakohshëm…” – ka thënë nënkryetarja e PDK-së.
Intervistën e plotë të gazetarit Muhamet Koci me Çitakun mund ta ndiqni më poshtë: