PDK-ja dhe LDK-ja i përvishen punës: Projektligjet për KPM-në dhe KPK-në do të dërgohen në Kushtetuese - NACIONALE

PDK-ja dhe LDK-ja i përvishen punës: Projektligjet për KPM-në dhe KPK-në do të dërgohen në Kushtetuese

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Ashtu siç kishin paralajmëruar edhe pritet të veprojnë. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë me dije se nga sot ekipet e tyre do të fillojnë punën për përgatitjen e lendeve për t`i dërguar në Kushtetuese dy projektligjet që janë miratuar sot në Kuvendin e Kosovës.

Dy partitë opozitare janë shprehur të shqetësuar me miratimin e Projektligji për Këshillin Prokurorial dhe Projektligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave.

Deputetët e PDK-së dhe LDK-së kanë vlerësuar se këto projektligje janë të rrezikshme për demokracinë.

Ata janë shprehur të bindur se projektligjet në fjalë do të rrezohet nga Gjykata Kushtetuese.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka vlerësuar se me këto projektligje pushteti synon t`i kap institucionet e pavarura.

Përpjekjet e përseritura të këtij pushteti për kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë si dhe kontrollimin e mediave dhe të fjalës së lirë, e morën formën e vendimit me miratimin e dy ligjeve në seancën e sotme. Prandaj, sigurisht se do të shfrytëzojmë mekanizmat kushtetues për ti dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave në mënyrë që të sigurohemi për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij në “Facebook”.

Të njëjtën gjë e ka paralajmëruar edhe LDK-ja. Përmes një komunikate për media, kjo parti ka bërë me dije se partia në pushtet po tregon tendenca të rrezikshme.

Votimet e sotme në sallën e improvizuar të Kuvendit të Kosovës nga deputetët e partisë në pushtet, të dy ligjeve jetike për organizmin tonë shoqëror, atij të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij të Komisionit të Pavarur të Mediave, shpërfaqin tendencën e kapjes kundërkushtetuese të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës. Kjo praktikë, tanimë e konfirmuar me aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, është vazhdimësi e përpjekjeve të vazhduara populliste të Albin Kurtit për hartimin e ligjeve që nuk respektojnë ekuilibrin demokratik në vend, sikurse dhe ndarjen e roleve të institucioneve të pavarura brenda Kosovës”, ka vlerësuar LDK-ja.

Sipas partisë së Lumir Abdixhikut, projektligjet në fjalë janë kundër vlerave evropiane.

Mospërputhja, ndërsa, me direktivat e Bashkimit Evropian, e të dy ligjeve në fjalë, është shmangie vlerore e orientimit tonë euro-atlantik, një praktikë tashmë e zakontë e pushtetit popullist që udhëhiqet nën logjikën e të majtës ekstreme. LDK-ja as nuk pranon e as nuk toleron tendencën e kapjes së drejtësisë dhe të mediave. Demokracia si vlerë e si praktikë, për ekstremistët e majtë mund të jetë e rëndë, por për Republikën e Kosovës është e shenjtë”, ka vlerësuar LDK-ja, duke treguar se këto projektligje do të dërgohen në Kushtetuese.

Prandaj, që nga sot, ekipet tona punuese, kanë nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen e plotë, se sikurse në dhjetë rastet e kaluara kundërkushtetuese edhe dy ligjet e sotme do të marrin të njëjtin përfundim. Fatkeqësisht për vendin, humbja e kohës për të pasur një reformë të denjë e thelbësore në drejtësi, mbetet e parikuperuar. Ky pushtet, po i përfundon të katër vite qeverisje, në përpjekje antikushtetuese të kapjes së institutioneve, pa ndonjë rezultat konkret e pa ndonjë zhvillim thelbësor në asnjë fushë”, ka vlerësuar LDK-ja.

Lajme të ngjashme