Pasoja e dëmtimit të aleancave: Katër vjet nga njohja e fundit, askush nga Qeveria s`flet për njohje të reja
Dje, më 4 shtator, janë bërë katër vjet kur Republika e Kosovës ka marrë njohjen nga shteti i Izraelit, e cila shënon edhe njohjen e fundit të shtetit kosovar nga një shtet tjetër. Kjo njohje ishte mundësuar në Shtëpinë e Bardhë, pasi Kosova dhe Serbia, në prani të ish-presidenti Donald Trumpi, kishin nënshkruar Marrëveshjen e Uashingtonit.
Në pjesën e parë të mandatit të Qeverisë Kurti flitej për mundësitë e njohjeve të reja. Këtu mendohej njohje nga Greqia, meqenëse kryeministri kishte vizituar disa herë shtetin helen. Por, në pjesën e fundit të mandatit askush nga Qeveria Kurti, as kryediplomatja Donika Gërvalla, nuk flet për këtë çështje.
Kjo është periudha më e gjatë që Republika e Kosovës nuk ka marrë njohje, raporton Nacionale.
Mungesa e këtyre njohjeve po shihet me shqetësimin nga njohësit e politikes së jashtme dhe opozita.
Ata kanë treguar pse po ndodh një gjë e tillë.
Ish-kryeministri Avudall Hoti, në mandatin e të cilit ka ardhur njohja e fundit, ka thënë kjo është pasojë e dëmtimit të aleancave me vendet perëndimore nga Qeveria Kurti.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, Hoti ka treguar për pasojat që po i vuan Kosova nga Qeveria Kurti në politiken e jashtme.
“Njohja nga Izraeli erdhi pas një periudhe të gjatë të bllokimit të njohjeve. Njohja nga një vend si Izraeli dhe direkt nga Shtëpia e Bardhë ishte sinjal i fuqishëm dhe thirrje për të gjitha vendet skeptike sa i përket njohjes së Kosovës. Nga atëherë nuk ka asnjë njohje tjetër, që është sinjal i qartë i pasojave që ka shteti i Kosovës kur i cenon aleancat”, ka thënë Hoti.
Si shqetësues mungesën e njohjeve e ka parë edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Sipas tij, kjo tregon për disfatën e Kosovës në politikë të jashtme.
“Çfarëdo që nuk arrihet gjatë tronditjes nga disfata, është gjithnjë e më e vështirë të arrihet më vonë! Disfata e politikës së jashtme të Kosovës është e matshme sepse për katër vite të një mandati të plotë nuk ka siguruar asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim të vetëm! Sot po e shoh ministrin e jashtëm serb në vizitë në Tonga, shtet që e ka njohur Kosovën gjatë mandatit tim, por, çka më brengos është që ai gjatë tërë verës e deri më sot, ka vizituar shumë shtete që e kanë njohur Kosovën nga Azia, Afrika dhe Amerika Latine dhe fatkeqsisht, do shihen efektet e vizitës së tij! Opinioni publik nuk e di se ku është dhe çfarë bënë Ministrja e Jashtme e Kosovës?”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e tij në “Facebool”.
Kurse, ish-ambasadori i Kosovës në Britani, Muhamet Hamiti, ka vlerësuar se mungesa e njohjeve dhe sanksionet e BE-së ndaj Kosovës tregojnë nivelin e raporteve të qeverisë me aleatët.
“Sanksione ndërkombëtare Kosova s’ka pasur. Tash ka, prej qershorit të vitit të kaluar. Asnjë njohje ndërkombëtare në këto katër vite. Nesër, më 4 shtator, bëhen katër vjet prej njohjes së fundit të Kosovës, që ndodhi kur Vetëvendosje ishte në opozitë. Kosova e mori njohjen nga Shteti i Izraelit më 4 shtator 2020 në kohën kur Qeverinë e Kosovës e drejtonte LDK-ja. Kosova nuk ia doli të anëtarësohej në Këshillin e Evropës sivjet në pranverë. Qeveria Kurti nuk ia doli t’i bindte aleatët tradicionalë të Kosovës për këtë anëtarësim. Jemi më larg, jo më afër, integrimeve euro-atlantike se ç’kemi qenë para katër vjetësh”, ka shkruar Hamiti në profilin e tij në “Facebook”.
Nërsa, ish-ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe e ka fajësuar MPJD-në për mungesë të njohjeve.
“Nuk ka pasur se si të vijnë njohjet, kur MPJD nuk është punuar për njohje të tjera. Kosova nuk ka punuar për njohje qe 4 vite dhe ai proces ka mbetur aty ku ka qenë”, ka thënë Arifi për RTK-në.
Përveç mungesës se njohjeve nga shtetet individuale, në mandatin e Qeverisë Kurti, Kosova nuk është anëtarësuar në asnjë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.
Këtë verë, Kosova kishte rast ideal për t`u anëtarësuar në Këshill të Evropës, por vendet anëtare nuk e fundin në agjendë aplikimin e Kosovës.