Pas një muaji, IKShPK-ja thotë që niveli i manganit në ujin e Liqenit të Badocit është brenda standardeve
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se vlera e manganit në ujin e Liqenit të Badocit rezultojnë se janë brenda standardeve të parapara. Përmirësim i gjendjen vjen pas në muaji e pas shumë kritikave e ankesave të qytetarëve të Prishtinës.
Në njoftimin e IKSHPK-së, bëhet e ditur se deri te vendimi për të shpallur ujin të sigurt për pije, ka kryer disa matje në tri ditët e fundit.
“IKSHPK në bashkveprim me KRU “Prishtina” kanë ndërrmarë masat e nevojshme për përmirsimin e gjendjes dhe uljen e vlerave të manganit në nivelin e lejuar për pije. Vlerat e manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës në ditët e fundit rezultojne brenda standardeve të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”.”
“Për t’u shpallur UJI HIGJIENIK DHE I SIGURT PËR PIJE në zonën e furnizimit nga fabrika e Badovcit, në laboratoret e IKSHPK-se Laboratori i parametrave bazik ku testohet Mangani si parametër indikues dhe Laboratori analitik-ICPMS ku testohet mangani si metal i rëndë, sipas procedurave standarde janë kryer tri matje të njëpasnjëshme në tri ditët e fundit:”
“Më datën 17 nëntor: 0.025-0.05 mg/litër; Më datën 18 nëntor: 0.010-0.031 mg/ litër; Më datën 19 nëntor: 0.017-0.037 mg/ litër” – thuhet në njoftimin e IKSHPK-së në Facebook.
Më tej, IKSHPK ka bërë të ditur se “bazuar në rezultatet laboratorike, uji në zonat e furrnizuara nga Liqeni i Badovcit gjegjësisht - Fabrika në Badovc i plotëson kriteret të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”(vlerat referente të Manganit 50 µg/L (0.05 mg/L).” – thuhet në njoftim.
“Nga sot vazhdon monitorimi i rregullt si aktivitet themelor i Qendrës së ujit brenda IKSHPK-së.” – ka paralajmëruar IKSHPK-ja.
Kujtojmë se lidhur me këtë problem, ka pasur shumë ankesa nga ana e qytetarëve.