Partitë zotohen se arsimi do të jetë prioritet: Këto janë premtimet kryesore të partive në sektorin e arsimit
Partitë politik janë zotuar se arsimi do të jetë prioritet kombëtar. Në programet e tyre për zgjedhjet e 7 qershorit, ato janë zotuar për disa objektiva në këtë fushë.
Deri me tani, kandidatë për kryeministër të LVV-së, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë treguar hapat që do t`i ndërmarrin në mandatin e ardhme në sektorin e arsimit.
Lëvizja Vetëvendosje është zotuar për edukimi i fëmijëve, tekste shkollore cilësore dhe mësim plotësues.
“Do të nisim zbatimin e shkollës gjithëditore me shtrirje graduale në shkollat e vendit, me artin, sportin dhe mësimin digjital si pjesë të programit. Investimet në përmbajtje, infrastrukturë, laboratorë, kabinete dhe aktivitete jashtëkurrikulare do të krijojnë kushtet për organizimin e mësimit gjithëditor”, thuhet në programin e VV-së për zgjedhjet e 7 qershorit.
Partia e Albin Kurtit ka bërë me dije se fokus do të ketë edhe shkolla profesionale.
“Për arsimin dual dhe profesional do të krijojmë platformën me profilet e secilit të diplomuar për qasje në tregun e punës. Do të shtohen 10 profile të reja në mësimin dual, duke iu bashkangjitur 16 profileve aktuale, në përputhje me kërkesat e industrisë. Në arsimin profesional do të vijojë forcimi me investime në mjete mësimore, marrëveshje me industrinë dhe fushat ku përgatiten nxënësit”, thuhet në zotimet e VV-së, duke e përmendur edhe ristrukturimin e arsimit të lartë.
“Universitetet publike do të profilizohen sipas drejtimeve kërkimore-shkencore dhe aplikative. Do të mbështeten programet e kërkimit shkencor dhe do të nisë financimi i universiteteve publike bazuar në performancë dhe cilësi akademike”, thuhet në zotimet e VV-së.
Kryetari dhe kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, sot ka prezantuar programin për reformim dhe modernizim të sistemit arsimor, aftësi për të ardhmen dhe mundësi për të rinjtë
Ai ka bërë me dije se ky zotim i tij parasheh digjitalizim dhe Fondi të Bursave në vlerë prej 30 milionë eurosh.
Në një konferencë për media, Hamza ka është shprehur se një sistem arsimor cilësor aftëson qytetarë, ndërton ekonomi konkurruese dhe institucione të qëndrueshme.
Sipas tij, në qeverisjen e udhëhequr nga PDK do ta trajtojë këtë sektor si prioritet kombëtar.
“Arsimi nuk është shpenzim. Arsimi është investimi më i sigurt që një shtet mund të bëjë për të ardhmen e vet. Prandaj, më 7 qershor, ne kërkojmë besimin e qytetarëve për të ndërtuar një sistem arsimor modern, cilësor dhe konkurrues, që u jep fëmijëve dhe të rinjve tanë njohuritë, aftësitë dhe mundësitë që meritojnë. Sepse ndryshimi i Kosovës fillon me edukimin e brezit që do ta ndërtojë Kosovën e së nesërmes”, ka thënë kryetari i PDK-së, duke dhënë detaje tjera.
Ai ka premtuar edhe Fond të Bursave prej 30 milionësh euro në vit dhe programe studimi që garantojnë mundësi punësimi, që të rinjtë ndërtojnë jetën dhe karrierën e tyre në Kosovë.
“Qeveria e PDK-së do të forcojë autonominë universitare, do të mbështesë kërkimin shkencor dhe do të zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar me universitetet më prestigjioze evropiane dhe botërore. Ne duam universitete që jo vetëm japin diploma, por prodhojnë dije, inovacion dhe zgjidhje për zhvillimin e vendit. Në këtë drejtim, do ta themelojmë edhe Fondin e Bursave për Studentët. Për herë të parë do të krijojmë Fondin e Bursave për Studentët me vlerë prej 30 milionë euro në vit. Ky fond do të garantojë mbështetje të drejtpërdrejtë për studentët, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike apo sociale. Investimi në studentët tanë është investim në kapitalin më të çmuar të Kosovës, në qytetarët e saj. Rrafsh tjetër ku do të fokusohemi është edhe arsimi joformal dhe kreativiteti rinor”, ka thënë Hamza.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë me dije se prioritet e ka arsimin.
Njëra nga 10 zotimet e mëdha partia e Lumir Abdixhikut e ka futur edhe arsimin.
“LDK investon 1 miliard euro gjatë katër viteve për implementimin e mësimit tërëditor në çdo komunë të Kosovës. Fëmijët përfitojnë kujdes, ushqim të shëndetshëm dhe aktivitete edukative gjatë gjithë ditës. Ky investim ka dy efekte të drejtpërdrejta njëkohësisht: rrit cilësinë e arsimit dhe i liron prindërit, veçanërisht nënat, duke u mundësuar të punojnë me orar të plotë. Çdo euro e investuar kthen dy euro në ekonomi përmes punës shtesë dhe tatimeve”, thuhet në programin e LDK-së.
Kjo parti ka paraparë edhe ndërtimin e çerdheve të reja.
Sipas LDK-së, 20 çerdhe publike të reja ndërtohen çdo vit, përkatësisht 80 gjatë mandatit.
Po ashtu, LDK ka vlerësuar se edukimi i hershëm përbën bazën e rëndësishme shkencore për suksesin shkollor dhe profesional.
Më pas përmendet edhe arsimin profesion dhe dual.
“LDK do të forcojë dhe financojë arsimin profesional përmes modelit dual gjerman, ku nxënësit e ndajnë kohën mes shkollës dhe praktikës në kompani. Programet zhvillohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me bizneset kosovare, të cilat do të jenë punëdhënësit potencialë. Shkolla profesionale e fortë zvogëlon papunësinë e të rinjve, plotëson nevojat reale të tregut të punës dhe ofron një rrugë të dinjitetshme karriere për ata që nuk zgjedhin universitetin”, është thënë në programin e LDK-së.