Paraqitja për turp: Pse ky zv. ministër e bëri kaq shumë nervoz analistin Mushkolaj?
Një zëvendës-ministër i ri rrezikon ta eklipsojë yllin shndërritës të zëvendësministrit Blerim Sallahu. Ai është aktivisti i Vetëvendosjes, Mentor Arifaj, që para disa ditësh doli e foli për skandalin e Visametricut.
Përkundër vendimit nga Gjykata Komerciale se kompania VisaMetric kundërligjshëm po ua merrte nga 30 euro qytetarëve të Kosovës për transportin e pasaportës, deri tash asgjë nuk ka ndryshuar.
E shteti?
Shteti ynë na u shfaq më 10 maj në formën e Mentor Arifajt, zv. ministrit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në emisionin Konfront të KTV-së.
Ku jam?
Siç u vërejt që në fillim, zëvendësi i Rozeta Hajdarit nuk e dinte se për çka po bëhej fjalë.
“Visametric atë operimin pak ma aktiv kisha me thanë ose... ka filluar nga shtatori i vitit të kalumë ose s’paku ne se... Ministri ashtu e dimë.” - e nisi fjalinë e tij.
Padija e tij shpërfaqej haptas, pa marre, edhe në raste të tjera si për shembull:
“Unë nuk e di që Visametricu ka ndonjë licencë nga Qeveria e Kosovës.”
Arifaj në shumicën e kohës jepte shpjegime të përgjithshme, të cilat nuk i përgjigjeshin rrjedhës së debatit ku i pranishëm ishte edhe Rron Gjinovci. Ndërkohë, një avokat i mirësjellshëm me emrin Flamur Abdullahu u detyrua që në një moment t’i thoshte edhe këto fjalë duke provuar ta nxirrte nga situata.
“Kam përshtypjen që zv. ministri nuk i ka të gjitha informatat,”
Liberalizimi i vizave
Por, për të shpëtuar nga hallakama ku e kishte ftuar veten, Arifaj lëshohet në këto deklarata të mëdha e të fuqishme:
“Vlen të theksohet që për ata, Qeveria jonë u fokusu edhe në liberalizimin e vizave sepse psh une vet nashta nuk kom nevojë, s’kom pasë nevojë nashta për viza po, sepse e kom zgjedhë këtë problem ma herët...”
Ai po sakrifikonte
Në të paktën tri raste gjatë emisionit, z. Arifaj e përmendi që kishte ardhur nga jashtë për të dhënë kontributin e tij në Kosovë.
Kur z. Gjinovci i tha se “shumica po merrni paga kot,” zv. ministri u përgjigj me këto fjalë:
“Shiqo, osht... muj me ju thanë, për qata vendi jonë ka për njerëz mu kthy prej diasporës qysh jom kthye une edhe shumë të tjerë nashti që sakrifikojnë...”
Duhet thënë se z. Gjinovci po e sulmonte zv. ministrin Arifaj edhe për faje të shumta të Qeverisë Kurti e për të cilat ky i fundit dukej ashiqare që s’kishte haber.
Imer Mushkolaj: Aman kthehu prapë
Analisti televiziv Imer Mushkolaj duket se ka qenë prej atyre pak shikuesve të këtij emisioni, pasi i ka bërë dy statuse në Facebook me përshtypjet e tij për paraqitjen e z. Arifaj:
“Momentalisht në TV po përpiqet të thotë diçka një zv. ministër super i dobët, i cili nuk din çka përfaqëson dhe as cila është përgjegjësia e tij. Po flasim për Ministrinë e Tregtisë!” – thotë ai në njërin status.
“Ky zv. ministri i Tregtisë, super i dobët, paska ardhë prej diaspore me kontribu n’Kosovë. Po thotë që ka sakrifiku. Aman kthehu prapë atje, boll ki kontribu, boll ki nimu!” - thotë në tjetrin.
Zv. Ministri Arifaj del se në të kaluarën ka punuar edhe në Kanada. Ai aktualisht është udhëheqës i qendrës së Vetëvendosjes në komunën e Istogut.