Padia nga KEK-u, Ymeri: Përndjekje politike nga Albin Kurti dhe sejmenët e tij në KEK
Përndjekje politike nga Albin Kurti dhe sejmenët e tij.
Kështu e cilësoi padinë e Korporatës Energjetike të Kosovës ndaj saj, zyrtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës që mbulon sektorin e energjisë, Janina Ymeri.
Postimi i plotë:
Padia e KEK-ut dhe pse nuk do të hesht:
1. Fillimisht, dua të sqaroj pozicionin tim nga aspekti ligjor. Deri më sot, unë nuk kam pranuar asnjë njoftim zyrtar apo ftesë nga Gjykata. Derisa të njoftohem formalisht siç e parasheh Ligji, do të përmbahem nga përgjigjet formale juridike. Megjithatë, kjo padi tashmë është bërë publike për të më frikësuar, ndaj e ndjej të obligueshme të përgjigjem publikisht.
2. Sipas LIGJIT NR. 02/L-65 LIGJI CIVIL KUNDËR SHPIFJES DHE FYERJES, Neni 5.4, autoritetet publike ndalohen shprehimisht të kërkojnë dëmshpërblim për shpifje. KEK-u është 100% shtetëror. Juristët e KEK-ut e dinë (ose duhet ta kenë ditur) këtë, por e kanë dorëzuar padinë vetëm për tendencë frikësimi dhe përndjekjeje – gjë që dëshmohet edhe nga publikimi i qëllimshëm i adresës sime të banimit qe është shkelje flagrante e LIGJI NR. 06/L-082 PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE
3. Duke marrë parasysh që KEK është një ndërmarrje e menaxhuar nga të emëruar politikë, kjo padi është një akt i përndjekjes politike të orkestruar nga Albin Kurti dhe sejmenet e tij në KEK.
4. Analizat e mia gjithmonë janë bazuar në fakte që mund të vërtetohen publikisht, por fatkeqësisht edhe të përjetohen në lëkurë (terr dhe shtrenjtimi i rrymës). Po flasim për një korporatë, ish-Kryeshefi i së cilës, Nagip Krasniqi, aktualisht po gjykohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Po flasim për "dështime teknike" të çuditshme që ndodhin pikërisht kur çmimet e importit janë në kulm. Të ngresh zërin për këtë nuk është shpifje, është detyrë.
Janina Ymeri