“Pa ujë”: Jeta e vështirë e banorëve të Fushë Kosovës, u ndalet uji pas reshjeve atmosferike - NACIONALE

“Pa ujë”: Jeta e vështirë e banorëve të Fushë Kosovës, u ndalet uji pas reshjeve atmosferike

1 vit më parë

nga Blendrita Avdiu

Pas gati secilës reshje të borës apo shiut, komunat në Kosovë përballen me mungesë të ujit dhe me ndotje të tij. Njëjtë kësaj radhe e ka përjetuar edhe komuna e Fushë Kosovës, e cila tash e sa ditë ka telashe me mungesën e ujit si pasojë e reshjeve të mëdha atmosferike. Qytetarët kanë treguar vështirësitë që i ka shkaktuar ndërprerja e ujit.

Bukurie Beqiri, qytetare nga Fushë Kosova, i deklaroi Nacionales se po përballet me mungesë të ujit gjatë këtyre ditëve të fundit. Ajo ka thënë se ka katër ditë që uji nuk vjen fare ose rrjedhë vetëm pak.

Ka plotë 4 ditë që jemi duke u përballur me mungesë të ujit. Më shumë se 10 orë në ditë kemi mungesë, edhe në momentin që vjen, vjen shumë pak saqë nuk mund të kryejmë asnjë punë me të”, ka thënë ajo.

Beqiri ka thënë se jeton në katin e 7-të të banesës, andaj për shkak të problemeve të shtypjes, uji vjen jo ashtu siç duhet.

Unë banoj në katin e 7-të edhe e kam më problem për shkak të lartësisë pasi uji vjen më pak dhe me shumë pengesë, ka raste kur katet e para kanë ujë, ndërsa ne që jemi lart nuk kemi ujë fare”, ka thënë ajo.

Ajo shpreson që ky problem të zgjidhet, pasi thotë se po ia vështirëson jetën.

Shpresoj shumë që të rregullohet sa më shpejt ky problem, përndryshe ne nuk mund të funksionojmë në këtë mënyrë. Nuk kemi mundësi që të ndrrojmë vendbanimin për shkak të këtij problemi. Komuna duhet të bëjë diçka që të na furnizoj me ujë përndryshe jemi në hall të madh. Kur ishin vërshimet uji nuk ka ardhur fare. Për një javë të tërë nuk kemi pasur ujë fare, vetëm për pije e kemi blerë, ndonëse për gjëra të tjera nuk kemi pasur hiq”, u shpreh tutje ajo.

Sofie Berisha, një grua në pension, që jeton vetëm me bashkëshortin e saj në banesë, rrëfeu vështirësitë që ka gjatë bartjes së ujit nga marketet në banesë. Zonja Berisha deklaroi se ditëve kur nuk kishte ujë, kanë kaluar vetëm me disa shishe të cilat i kanë mbushur në kohën kur janë paralajmëruar nga banorët e tjerë se do të ketë mungesë të ujit.

“Unë jetoj vetëm me plakun në banesë. Të dy i kemi mbi 65 vjet, dhe nuk kemi mundësi që të bartim ujin as nga marketet. I kemi mbushur disa shishe me ujë, pasi na kanë lajmruar banorët e objektit se do të ketë reduktime”, ka thënë ajo.

Tutje, Berisha është shprehur se këtë problem e kanë që sa kohë, saherë që ka reshje të mëdha të shiut.

“Nuk është hera e parë që po ndodh kështu, njëherë kemi mbetur vetëm me një shishe të ujit, duke u munduar të kursejmë deri sa ka ardhur uji.” - ka thënë ndër të tjera ajo.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe me Kompaninë e Ujësjellësit “KRU Prishtina” për të pyetur nëse do të ketë një zgjidhje konkrete për këtë problem.

Ata në përgjigjiet e tyre kanë përcjellur njoftimin e fundit që e kanë bërë në faqen e tyre zyrtare në Facebook, ku thuhet se ky problem nuk është vetëm në Fushë-Kosovë, por edhe në Drenas, Obiliq dhe Zonën Industriale, përfshirë lagjen Kalabria në Prishtinë.

Prishtinë, 30/31 janar - Të nderuar konsumatorë të Fushë Kosovës, Drenasit, Obiliqit, Zonës Industriale, lagjes Kalabria në Prishtinë, ju njoftojmë me gjendjen aktuale të trajtimit dhe furnizimit me ujë të pijshëm”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ata kanë thënë se njoftimi është akoma në fuqi, ndonëse kanë shtuar se presin që stabilizimi përfundimtar me turbullirë në kanalin e Ibrit do ndodhë deri në fund të kësaj jave dhe do t’i kthehen normalitetit.

Sot, Impianti i Trajtimit të ujit në Shkabaj ka filluar me trajtimin e ujit me kapacitet minimal prej 150 l/ s, derisa në Drenas me kapacitet të reduktuar prej 40%, ngase niveli i turbullirës në kanalin e Ibër Lepencit aktualisht është (35 - 45 NTU). Për të ruajtur cilësinë e ujit jemi të detyruar të trajtojmë ujë me kapacitet të reduktuar deri në stabilizimin e situatës, e cila pritet të ndodhë gjatë kësaj jave. Kërkojmë mirëkuptim deri në rikthimin e situatës së favorshme me furnizim me ujë të pijshëm!” - thuhet në njoftimin e tyre.

Nacionale i ka pyetur edhe për shqetësimet e qytetarëve rreth problemeve me shpërndarjen e ujit në katet e larta. KRU Prishtina kanë thënë se kërkesa për ujë po rritet vazhdimisht, ndonëse kanë kërkuar që të vendosin pompa të ujit poshtë ndërtesave, që uji të arrijë edhe në katet e larta.

Ndërsa, sa i përket kateve të larta, me zgjerimin e zonave urbane e rurale, kërkesa për ujë po rritet gjithnjë, andaj inkurajojmë të gjithë konsumatorët bashkë me investitorët ( banesat e reja të ndërtuara pas luftës) të vendosin pompa të ujit në ndërtesë poshtë, që uji të arrijë edhe në katet e larta, sepse ligjërisht ne jemi të obliguar që të sigurojmë ujë me shtypje / presion minimumi 1.5 bar.” - thuhet ndër të tjera në përgjigjiet e tyre.

Lajme të ngjashme