“Pa ndëshkime e pa surpriza për serbët rreth dinarit, veç formalizim”: Kurti i thotë AFP-së që ka periudhë kalimtare njëmujore
Serbët e Kosovës “mund të vazhdojnë të kenë dinarë” dhe se me hyrjen në fuqi të Rregullores së re të Bankës Qendore të Kosovës “nuk ndalohet dinari”, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për AFP-në, por shtoi se “tash e vetmja mënyrë e pagesës (në Kosovë) do të jetë euro-ja”.
Kjo pavarësisht se në mbledhjen e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje, kjo parti konstatoi si të arritur të tyre që në këtë fillmvit “hoqëm dinarin e Serbisë” nga Kosova.
Megjithë këto kontradikta, Kurti është shprehur se është “periudha kalimtare njëmujore”, gjegjësisht deri në fund të shkurtit, për zbatimin në tërësi të Rregullores së BQK-së, “që do të lejojë komunikime të mëtejme dhe kohë për të zgjidhur problemet”.
Kurti – në dritën e shqetësimeve të thella ndërkombëtare për zbatimin medoemos të shpejtë dhe pa komuikuar fare me askënd nga komunitetet që preken nga vendimi i BQK-së – tha se “nuk ka vend për panik dhe as ndëshkim e as suprizë” te komuniteti serb.
“Ne duam që ata të jenë me ne”, tha Kurti.
Rreth këtij vendimi – që përndryshe është paraqitur edhe si tentim për shtrirje të sovranitetit monetar – Kurti tha se “kjo s’duhet të shihet as si ndëshkim, por formalizim i tranzaksioneve financiare”.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, pati një reagim të ashpër të shtunën e kaluar pas konfiskimit të parave (dinarë serbë) që po barteshin në një automjet në fshatin Gorazhdec, para të cilat ishin të destinuara për penzionistë dhe përfitues tjerë të ndihmave sociale nga komuniteti serb; për çka kërkoi që ato t’u paguhen “pa vonesa”.
Serbia në anën tjetër ka thirrur seancë urgjente në Këshill të Sigurimit në OKB për çështje të dinarit e cila mbahet nesër; ndonëse ende nuk dihet nëse do të jetë seancë e hapur apo e mbyllur.
Në anën tjetër, Zëvendës Kryeministri Besnik Bislimi, e ka parë jo si të rastësishme që në dritën e kësaj seance emergjente në Këshill të Sigurimit, Banka Kombëtare e Serbisë nisi një furgon me rret 117 milionë dinarë (rreth 1 milionë euro) përmes Jarinjes, furgon ky që nuk është lejuar të hyjë në Kosovë.
“Banka Kombëtare e Serbisё (njё ditё para mbledhjes sё thirrur tё Kёshillit tё Sigurimit), ka dёrguar njё kamion me para (plot 117.000.000 dinarё) nё kufi, nё pёrcjellje tё individёve qё prezantohen me kredenciale tё njё kompanie inekzistente, me pretendimin qё paratё duan t'i dёrgojnё tek njё entitet poashtu inekzistent nё Kosovё dhe pёr interes tё pёrfituesve, emrat e tё cilёve as i dijnё e as nuk i kanё”, ka shkruar Bislimi.
Bislimi, ka konkluduar në atë se “Republika e Kosovёs qëndron plot vullnet qё tё punojё dhe ndihmojё nё gjetjen e mekanizmit qё siguron qё mjetet e tilla tё dёrgohen nё mёnyrё ligjore tek pёrfituesit fundor, dhe atё nё afatin sa mё tё shpejtё tё mundur”.