Pa Kuvend, pa Qeveri, në mes të skandaleve dhe krizës: deputeti Kurti synon ‘shpëtim’ kah veriu - NACIONALE

Pa Kuvend, pa Qeveri, në mes të skandaleve dhe krizës: deputeti Kurti synon ‘shpëtim’ kah veriu

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Rivizitim të kufijve komunalë të Mitrovicës Jug/Veri. Kjo, merr vesh Nacionale, është ajo çka deputeti Albin Kurti, synoi në vizitën e tij në dy komunat e Mitrovicës, atë të veriut ku qeverisë vet dhe atë të jugut, ku qeveris Bedri Hamza.

Pas dështimit të 29’të të Vetëvendosjes për të arritur gjënë elementare në republikë parlamentare, shumicën parlamentare, për të ndërtuar institucionet – me një kallabllak xhipa e truproje, Albin Kurti udhën e mori për veri për të takuar Erden Atiqin dhe pastaj Bedri Hamzën.

Disa zona kadastrale të papërcaktuara mes dy komunave – të mbetura qysh nga koha e Planit të Ahtisaarit, dokument zbatimi i të cilit solli pavarësinë e vendit dhe bërjen shtet – Kurti i kishte mision për t’i bërë temë sot. Për realizim të një gjëje të tilllë atij i duhet Kuvendi i Kosovës, që nuk ka, dhe mandat qeveritar, që nuk e ka.

Fjala është për Suhudollin dhe Kroin e Vitakun që supozohen të përckatohen brenda kufinjve administrativ të Mitrovicës së Jugut, dhe jo të asaj të veriut, qysh supozon(te) ajo komunë e banuar me shumicë serbe.

Qysh prej Planit të Ahtisaarit – që është inkoropruar në Kushtetutën e Kosovës – vendbanimet e Suhudollit, Gushancit dhe Vinarcit kalonin nën administrim të Mitrovicës së Jugut; ndërsa Suhudolli dhe Kroi i Vitakut të përcaktoheshin përmes një Memorandumi Bashkëpunimi mes dy komunave. Udhëheqja serbe e asaj komune, pretendon se Ura e Ibrit është edhe kufiri administrativ mes dy komunave.

Edhe në Marrëveshje të Brukselit për hapjen e Urës së Ibrit, një nga kushtet është përcaktmi i kufirit mes dy komunave të Mitrovicës.

Zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, i tha “kallxo.com”-it se temë mes Kurtit dhe Hamzës ishte “bashkëpunimi” ndërmjet qeverisë dhe komunave.

“Pas vizitës dhe takimit me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut Erden Atiq kryeministri Kurti ka vizituar sot edhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut Bedri Hamza. Të dy takimet kanë pasur në qendër të diskutimit punën e këtyre Komunave dhe bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe Komunave në realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve.” – deklaroi Kryeziu.

Nga Partia Demokratike e Kosovës ende nuk janë deklaruar rreth takimit të Bedri Hamzës dhe Albin Kurtit.

Gazetari Valon Syla, tha se Kurti synoi përmes “propagandës” që ta paraqes se ka shkuar për “bashkim të Mitrovicës”.

“Po mos ta kishte pranuar Bedri Hamza, i njejti pa kompetence qeveritare do ta akuzonte PDK'në se është kundër bashkimit të Mitrovicës”, tha ai.

Lajme të ngjashme