Osmani tregon prapaskenat: E takova 10 minuta Vuçiqin, zakonisht ankohet e bërtet - NACIONALE

Osmani tregon prapaskenat: E takova 10 minuta Vuçiqin, zakonisht ankohet e bërtet

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, e ka takuar në Moldavi dy krerët më të rëndësishëm të Evropës, më saktësisht kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Sigurisht, temë e diskutimit ishte pashmangshëm zhvillimet shqetësuese në veri të Kosovës. Osmani ka dhënë një intervistë në RTK, ku ka folur për takimin e me presidentin e Francës dhe kancelarin e Gjermanisë.

Ajo ka treguar se e ka takuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bashkë me Macronin e Scholzin. Sipas zonjës Osmani, në takimin 10-minutësh, u dëshmua që Vuçiq nuk është i interesuar për paqe.

“Në fund të takimit me Presidentin Macron dhe Kancelarin gjerman, ata propozun që të kishte edhe një diskutim jofromal me Presidnetin Vuçiq, natyrisht që në takim ishte edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell. Dhe pas takimi që ata e kishin trelateralë dhe me Vuçiq, kishim diku një takim me 10 minuta të përbashkët, ku edhe një herë u dëshmua se zotri Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje e as nuk është i interesuar për paqe, por në fakt është burimi kryesor i jostabilitetit në të gjithë rajonin tonë.” – deklaroi ajo në RTK.

Ajo tregoi se çka i kërkoi Vuçiqit.

"Unë para tyre kamë kërkuar nga Vuçiqi që t’i largojë ushtrinë nga kufiri, që ta largojë bandat kriminale nga Kosova që të zbatojë listën e gjatë ë marrëveshjeve që nuk e ka zbatuar, e kam pyetur a ka marrëveshje sipas teje, sepse aj paraqitet para palëve të tjera që kinse i respekton marrëveshjet, por publikisht del dhe thotë nuk do t’i zbatojë." - shtoi ajo.

“Zotri Vuçiqi si zakonisht ankohet dhe bërtet dhe shumë çka tjetër, por është natyra e tij” – vlerësoi Osmani.

Shefja e shtetit foli edhe për mundësinë e zgjedhjeve të reja në veri.

"Ka qenë kërkesë e qartë e Gjermanisë dhe Francës që kurdo që organizohen zgjedhjet e reja të ketë participim, që të mos iu ndalohet serbëve që të participojnë. Brenda ligjeve tona, brenda kushtetutës tonë, ekziston mundësia që të ketë zgjedhje të reja.” - vlerësoi Osmani.

Por ajo ka treguar kushtin e saj për shpalljen e zgjedhjeve.

“Mirëpo është me rëndësi që serbët në veri të marrin pjesë. Participimi në demokraci është parakusht esencial në demokraci. Ata duhet të marrin pjesë dhe t’i zgjedhin kryetarët që ata dëshirojnë. Natyrisht, të sigurohet që të drejtat e tyre zbatohen nëpërjmet përfaqësuesve që ata zgjedhin”, shtoi shefja e shtetit.

Osmani në Facebook

Pas takimit me dy krerët evropianë, ku prezent ishte edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell, zonja Osmnai shkroi në profilin e saj në Facebook. Aty ajo theksoi se bashkëpunimi me partnerët tanë është kyç.

“Në këtë kohë përcaktuese për sigurinë në rajon e Evropë, bashkëpunimi me partnerët tanë është kyç. Së bashku me Presidentin Emmanuel Macron dhe Kancelarin Olaf Scholz, si dhe me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell, diskutuam zhvillimet e fundit në Kosovë dhe angazhimin e përbashkët për paqe, siguri dhe stabilitet.” – shkroi Osmani.

E një komunikatë për këtë takim e lëshoi edhe Presidenca e Kosovës, të cilën e udheheq vetë Osmani, duke dhënë pak më shumë detaje. Në takim, shkruhet në komunikatë, Osmani i ka njoftuar bashkëbiseduesit evropianë se vendosja e rendit dhe ligjit në veri po sfidohen nga strukturat ilegale serbe.

“Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon. Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova është e përkushtuar për ta vazhduar koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për proceset në nëpër të cilat po kalon vendi. Presidentja ka potencuar se përpjekjet e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e vendit po sfidohen nga struktura ilegale serbe të mbështetura nga Vuçiqi dhe të shndërruara në banda kriminale, të cilat kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in, teksa po vazhdojnë me sulme ndaj gazetarëve dhe qytetarëve. Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se veprimet e tilla synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, duke theksuar se duhet një qëndrim unik kundërshtues nga ana e shteteve të BE-së kundrejt tendencave që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.” - theksohet në njoftimin e Presidencës.

Lajme të ngjashme