Osmani pas arrestimit të Spahiut: Kemi kërkuar reagimin e QUINT-it, shmangni kalimin nëpër Serbi - NACIONALE

Osmani pas arrestimit të Spahiut: Kemi kërkuar reagimin e QUINT-it, shmangni kalimin nëpër Serbi

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dalë me një reagim pas arrestimit të ish-policit, Arbnor Spahiu nga autoritetet e Serbisë.

Osmani në një shkrim në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se këto veprime janë të ngjajshme me ato shoviniste të viteve 90-ta.

“Arrestimet e qytetarëve tanë nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit janë veprime arbitrare, të ngjashme me ato shoviniste të viteve ’90. Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane. Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës.

I tillë është edhe arrestimi i qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, mbi baza dhe akuza tërësisht të rreme. Ky akt nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me vazhdimësinë e praktikave të vjetra të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën dhe që keqpërdor ligjin për të kërcënuar qytetarët tanë” – ka shkruar ajo.

Presidentja ka bërë thirrje që Serbia ta ndalojë këtë fushatë, derisa ka shtuar se kanë kërkuar reagimin e shteteve të QUINT-it dhe misionit të BE-së.

Veç kësaj, ajo ka përsëritur thirrjen te qytetarët që të shmangin kalimin nëpër Serbi.

“Serbia duhet të ndalë menjëherë fushatën e saj të arrestimeve politike kundër qytetarëve të Kosovës dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për veprimet e saj arbitrare. Këto veprime jo vetëm që pengojnë lirinë e lëvizjes, por edhe rrezikojnë çdo përpjekje për dialog e normalizim të marrëdhënieve.

Gjatë ditëve të fundit, përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, kemi kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së, në mënyrë që këto shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë të mos injorohen.

Njëkohësisht, përsëris thirrjen drejtuar qytetarëve tanë që të shmangin kalimin nëpër Serbi, duke qenë të vetëdijshëm për praktikat arbitrare të arrestimeve pa arsye si dhe për tendencat destabilizuese të këtij shteti” – tha Osmani.

Lajme të ngjashme