Osmani nervozohet me aleatët: Asociacionin veç pas garancave për integrime dhe njohje – jo të na thonë “ta shohim” - NACIONALE

Osmani nervozohet me aleatët: Asociacionin veç pas garancave për integrime dhe njohje – jo të na thonë “ta shohim”

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Kosova është shtet serioz, e ka premtuar Asociacionin dhe do ta kryejë...por ama njëherë garancat ndërkombëtare: ato të sigurisë, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe njohjet e reja.

Kështu përmbledhtazi tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës; ku çështjen e themelimit ose jo të Asociacioanit e dha në raport me atë se sa partnerët ndërkombëtarë do t’i ofrojnë garancat e lartëpërmendura Kosovës.

Kosova do të mund të ecte para (me Asociacioni) në qoftë se nga partnerët tanë ofrohen garanca të qarta të sigurisë, dhe garanca për ecjen para në organizata ndërkombëtare dhe njohje. Deri më tani kanë qenë vetëm sikur ‘do të përpiqemi, do ta shohim, ndoshta’”, tha Vjosa Osmani në një posturë argumentativisht të irrituar nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.

Osmani e dha që për sa kohë Serbia – përmes letrës së Ana Brnabiq në dhjetor, 2023 – është “tërhequr nga marrëveshja” atëherë rrjedhimisht edhe Kosova “nuk ka asnjë obligim për ta zbatuar”.

Këtu ajo tha se duhet ndërruar strategjia; përkatësisht ajo e viteve 2007-2008 ku Kosova i zbaton zotimet karshi aleatëve perëndimor vis-a-vis garancave që i merr nga to: duke e hequr Serbinë nga ekuacioni.

Asokohe marrëveshja jonë ka qenë me partnerët – jo me Serbinë, se ata s’e donin Ahtisaarin. Neve na duhet dakordim, që nëse Kosova do t’i zbatojë të gjitha këto detyrime atëherë na duhen garancat e sigurisë, mbështetje ndërkombëtare për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, jo si transaksion por si projekt që përfundimisht e mbyll këtë temë dhe sjell paqe në siguri”, tha Vjosa Osmani.

Kosova nuk po thotë që nuk do të formohet Asociacioni”.

Në lidhje me Nenin 7 të Marrëveshjes Bazike, Osmani – ndryshe nga çdo herë më parë – u lëshua në vlerësime krejtësisht të reja dhe të partikuluara më parë.

Asociacioni, tha ajo, “ua merr serbëve të drejtat” dhe “ua pakëson”.

Me Asociacionin po ju siguroj që veçse pakësohen të drejtat e qytetarëve dhe fuqizohet një lloj pushteti mbi ta, pra liderët e Asociacionit mbi të cilët Vuçiqi për momentin e ka për qëllim t’i kontrollojë dhe ta bëjë Kosovën defunksionale”, tha Osmani.

Pra, Asociacioni nuk ju jep më shumë të drejta qytetarëve, por përkundrazi ua merr më shumë të drejtat nga poshtë dhe i dërgon ato lart që është në kundërshtim me parimet bazike të Këshillit të Evropës”.

Megjithatë ne e kemi dhënë premtimin, dhe Kosova është shtet serioz; kur ndërmerr një detyrim ndërkombëtar duhet ta zbatojë atë. Por zbatimi i Asociacionit është përmes një procesi, dhe ajo është marrëveshja”.

Në lidhje me Asociaiconin Osmani tha se vendi i qëndron kushtetuetshmërisë, parimti të unitaritetit të shtetit dhe aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Kushtetuta dhe aktgjykimi e ka sqaruar, duhet të ketë akt nga ana e qeverisë dhe pastaj unë mund ta dërgoj atë dokument në Gjykatë Kushtetuese. Por, jo pa akt të tillë fillimisht. Mirëpo duhet ta themi një gjë të qartë se krijimi e Asociacionit nuk nënkupton që ne jemi të gatshëm të dëmtojnë funksionaliteti, kufijt dhe parimin e unitaritetit të shtetit”, tha Vjosa Osmani.

Asociacioni mund të krijohet por vetëm brenda këtyre suazave”, tha Osmani.

Lajme të ngjashme