Osmani: Kur gjasat e rizgjedhjes sime u bënë reale, Kurti ndryshoi – s’e përkrahu kandidaturën time
Kur u qartësua që në fakt ka shansa që unë të zgjidhem, nga Kryeministri Kurti më erdhi një vlerësim krejtësisht i ri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka artikuluar një varg akuzash në adresë të kryeministrit Albin Kurti, në dritën e vendimit të këtij të fundit për të mos ia dhënë përkrahjen për mandatin e dytë në krye të shtetit.
Sipas saj, shefi i qeverisë ndryshoi qëndrim pikërisht atëherë kur kandidatura e saj për presidente nisi të marrë trajtë reale.
Gjatë një interviste në emisionin e Çim Pekës, Osmani tha se vendimi i Kurtit nuk u mor nga mungesa e mundësive, por, siç pretendoi ajo, kur gjasat e rizgjedhjes së saj nisen të bëhen reale.
Ka parti tjera që asnjëherë nuk kanë deklaruar publikisht që asnjëherë nuk do të marrin pjesë në rast se propozohet emri im. Kur u qartësua që në fakt ka shansa që unë të zgjidhem, nga Kryeministri Kurti më erdhi një vlerësim krejtësisht i ri – që ishte se ai dhe grupi parlamentar i VV-së nuk e përkrah kandidaturën time
Osmani e ndërthurti këtë zhvillim edhe me raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke lënë të nënkuptohet se Kurtit i ka penguar pikërisht roli i saj në thellimin e afërsisë me aleatin më jetik të vendit.
Edhe mbështetja ekonomike është e pakushtëzuar, edhe mbështetja ushtarake e keni parë se si është rritur dinamizmi ushtarak gjatë administratës Trump. Unë e di që i pengon Serbinë, mirëpo nuk do duhej që afërsia jonë e madhe me aleatin tonë të lirisë, me aleatin tonë të sigurisë, me uniformën amerikane që 400 km të kufirit tonë akoma i ruan bashkë me policinë tonë, që kjo të jetë pengesë? Këtë nuk e kam pritur asnjëherë në jetën time
Sa i përket kontestimit të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, Osmani u shpreh e bindur se veprimi i saj qëndron në përputhje të plotë me Kushtetutën.
E tëra që pres është që Kushtetuesja të vendosë mbi parimin e integritetit, profesionalizimit dhe interpretimin e Kushtetutës në mënyrë të lirë dhe pa asnjë presion. Ne jemi të bindur që dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën.
Sipas saj, ekzistenca e Gjykatës Kushtetuese është pikërisht për të verifikuar vendimet institucionale dhe për të dhënë interpretimin përfundimtar të Kushtetutës në raste të tilla.
Por unë s’jam Pejgamber të mos e bëjë asnjëherë në jetë gabime – prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese.