Osmani e Kurti dyshojnë se janë përfshirë në veri, kush është grupi i frikshëm rus Wagner?
Tensionimi i situatës në veri, në muajin e kaluar, rriti dyshimet e Serbisë për pretendimet territoriale ndaj Republikës së Kosovës. Shumë politikanë vendorë, por edhe të huaj, e akuzuan presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, se po e synon skenarin rus për aneksimin e Krimesë, i cili u realizua në vitin 2014.
Në këtë kontekst, u dyshuar se në veri të vend mund të jenë prezent edhe mercenarët famëkeq të grupit rus Wagner, të cilët ndihmuan forcat ruse në aneksimin e Krimesë.
Grupi, që dyshohet për afërsi me presidentin rus Putin, u përmend edhe nga liderët shtetërorë të Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, ndonëse nuk ofronin fakte, kanw shprehur dyshime se ata mund të jenë prezent në teren për të realizuar skenar ogurzi për Kosovën.
Gjatë një interviste për emisionin “Rubikon”, e para e vendit ka thënë se presidenti serb është duke bashkëpunuar me këtë grup për ta destabilizuar Kosovën.
“Veprimet e tij të fundit, politikat e tij nëpërmjet së cilave nuk bashkëpunon vetëm me Kremlinin zyrtar, por edhe me njësi paramilitare terroriste siç është Wagneri dhe i shfrytëzon ato për të despabiluzuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën. Pastaj, pas këtyre 3 shteteve ka synime edhe më shumë”, ka thënë presidentja Osmani.
Kur u pyet nga gazetari Adriatik Kelmendi nëse ka fakte se ky grup ka qenë i përfshirë në veri, ajo nuk dha detaje.
“Nuk do të hyja më në detaje sa i përket informatave që janë të klasifikuara. Megjithatë, rreziku ditëve të fundit ka qenë shumë më i madh se sa në çdo përudhë tjetër që e kemi parë”, është shprehur Osmani.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka shprehur dyshime të fora për përfshirjen e këtij njësiti në situatën e fundit në veri të vendit.
Në intervistën e tij për fundit dhënë “Kosovapress”, Kurti ka deklaruar pjesëtarët e Wagner-it ose ishin prezent në barrikada, ose kishin lidhje direkte me grupet që qëndronin në barrikada.
“Ne i kemi dhënë më shumë kohë KFOR-it, pasi nga informacionet që merrnim u bë e qartë se në veri të Kosovës filluan të qarkullonin njerëzit, që ose ishin drejtpërdrejt të inkuadruar ose kishin lidhje me mercenarët e Wagner-it, pastaj me formacionet paramilitare ‘Ujqërit e Natës’ dhe të njëjtën kohë ata përdornin taktika që përngjajnë ato të vitit 2014 në Ukrainë”, ka thënë Kurti.
Rrezikun që mund t`i vije Kosovës nga ky grup e ka përmendur edhe analisti Dardan Islami.
Ai ka treguar se ky grup mercenarësh tani ka krijuar zyre edhe në Beograd.
“Takimi i parë i ‘Wagner’ dhe trupave Amerikane ishte në Bengazi të Libisë më 2012, ku mercenarët ruse me ndihmën e terroristeve lokal, e vranë ambasadorin Amerikan. Takimi i dyte ishte me 2018 në Siri ku forcat Amerikane vranë 200-300 pjesëtar të Wagner. Goditja e djeshme ishte takimi i tretë, ku raketa Himars i shkrumoi 400 mercenarë te Wagner. Wagner pas shumë vitesh prezence ilegale në Serbi, tani ka zyre në mes të Beogradit”, ka shkruar Islami në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, Kosova duhet të këtë kujdes nga ky grup.
“Derisa Serbia po kërcënon me ushtrinë e saj, dhe po vazhdon krijimin e ‘UÇSK’ duke i trajnuar dhe armatosur serbët lokalë, aty prej kohesh janë infiltruar edhe mercenarë dhe agjentë rus. Kosova duhet të përgatitet fort, duke e pritë momentin kur aleatët na thonë të hidhemi në valle”, ka shkruar Islami
Kush është grupi Wagner?
Televizioni britanik BBC-së ka bërë një hulumtim rreth themelimit të këtij grupi. Sipas hulumtimit, grupi famëkeq, që dyshohet për lidhje të ngushta me Putnin, është themeluar në vitin 2014 për të mbështetur separatistët pro-rusë në Ukrainën Lindore.
Wagner mendohet se e ka themeluar një ish-oficeri i ushtrisë ruse, 51-vjeçari i quajtur Dmitri Utkin. Ai është një veteran i luftërave çeçene, një ish-oficer i forcave speciale dhe një nënkolonel i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse.
Aksionet e para, sipas hulumtimit të BBC-së, grupi i ka kryer gjatë aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014. Pjesëtarët e këtij grupi mercenarësh kishin luftuar që në ditët e para të pushtimit në rajonet e Luhanskut dhe Donetskut.
ShBA dhe disa vende evropiane kanë bërë me dije se ata financohen nga Yevgeny Prigozhin, një biznesmen i fuqishëm i lidhur ngushtë me Vladimir Putin, i cili është nën sanksionet perëndimore. Megjithatë, Prigozhin ka mohuar çdo lidhje me grupin.
Që nga krijimi, grupi ka luajtur një rol të rëndësishëm duke luftuar përkrah ushtrisë ruse në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad në Siri dhe është parë në disa vende afrikane – vende ku Rusia ka interesa strategjike dhe ekonomike. Wagner është akuzuar vazhdimisht për krime lufte dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Pavarësisht shtrirjes së tij globale, shumica e punëve të brendshme për grupin ka mbetur sekret për botën e jashtme.
Si grup, në letër, Wagner nuk ekziston, nuk është gjetur asnjëherë asnjë regjistrim i kompanisë, deklarata tatimore apo grafik organizativ. Ndërkohë që, udhëheqja e lartë e Rusisë, përfshirë Vladimir Putin, ka mohuar në mënyrë të përsëritur çdo lidhje midis shtetit rus dhe grupit famëkeq Wagner.

