Osmani dhe Haxhiu nuk garantuan funksionimin kushtetues të KQZ-së, a e shkelen Kushtetutën?
Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit janë organizuar me përbërje të paplotë kushtetuese të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo pasi ish-presidentja Vjosa Osmani dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu nuk i ushtruan kompetencat e veta.
“Presidenti i Republikës së Kosovës: garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”.

Kështu thuhet në nenin 84, pikën 2, të Kushtetutës së Kosovës, në nenin ku përcaktohen kompetencat e Presidentit të Republikës së Kosovës, mosushtrimi i të cilave përbën moszbatim të aktit më të lartë juridik të shtetit të Kosovës.
Pavarësisht këtij përkufizimi të qartë, as ish-presidentja Vjosa Osmani dhe as UD e presidentes, Albulena Haxhiu, nuk e kanë respektuar atë, kur në pyetje është përbërja e plotë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i përcaktuar si institucion i pavarur kushtetues në nenin 139 të Kushtetutës së Kosovës.
Si asnjëherë më parë, zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit janë organizuar nga KQZ-ja, në përbërje të paplotë, pra me vetëm 10 anëtarë nga 11 sa duhet të jetë përbërja e plotë e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas rezultateve të 28 dhjetorit 2025, në Kuvend janë të përfaqësuara katër subjekte politike shqiptare: LVV, PDK, LDK dhe AAK. Kushtetuta parashikon se kur ka më pak grupe parlamentare sesa vende në KQZ, anëtarët shtesë emërohen nga grupi ose grupet më të mëdha. Prandaj, katër vendet e para u takojnë këtyre subjekteve, ndërsa dy vendet e mbetura duhet t'i takojnë LVV-së dhe PDK-së si grupet më të mëdha parlamentare.
Ndonëse neni 139 i Kushtetutës së Kosovës është i qartë se si duhet të jetë përbërja e KQZ-së, presidentja e kaluar, Vjosa Osmani dhe UD, Albulena Haxhiu, nuk kanë emëruar anëtarin e dytë të PDK-së.

Këtë pozicion, ka këmbëngulur ta marrë VV-ja që ka dërguar në Presidencë emrat e 3 anëtarëve për në KQZ, 2 prej të cilëve ishin emëruar nga Osmani.
Ndonëse zgjedhjet organizohen vetëm për Kuvendin e Kosovës dhe jo për përbërjet e institucioneve tjera, Osmani dhe Haxhiu kanë justifikuar mosveprimin e tyre për të plotësuar përbërjen e KQZ-së me paqartësinë se si duhet vepruar në rastet kur një subjekt politik arrin të fitojë mbi 50% të votave.
Osmani s’e zbatoi Kushtetutën dhe praktikën e saj
Ish-presidentja Vjosa Osmani ndonëse kishte kohë të mjaftueshme të vendos për të plotësuar përbërjen e plotë të KQZ-së nga Aktvendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese (KO81/26), i datës 30 mars 2026, e para e shtetit do ta braktisi këtë pozitë duke lënë një ulëse të zbrazët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Mosveprim i të pares së shtetit ishte jo vetëm moszbatim i Kushtetutës, por edhe i praktikës se saj kushtetuese që ka krijuar vet ajo.
Kjo pasi në vitin 2021, Osmani kishte vendosur që kjo ulëse t’i takonte Partisë Demokratike të Kosovës, duke e çuar në dy numrin e përfaqësuesve të kësaj partie në KQZ dhe duke refuzuar kërkesën e Vetëvendosjes për emërimin e anëtarit të 3-të në këtë institucion që organizon zgjedhje në vend.
Osmani, çështjen e kompletimit të KQZ-së, e la në dorë kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila nga 5 prilli u bë ushtruese e detyrës së presidentit.
Haxhiu e la opozitën me një anëtar më pak në KQZ
Vetëm tri ditë pasi që ishe vendosur në presidencë, Haxhiu kishte fajësuar Osmanin që nuk e përfundoi emërimin e anëtarëve të KQZ-së, duke premtuar se do t’i trajtojë të gjitha çështjet me prioritet.
“Një proces kushtetues që ka nisur më herët është dashur të përfundohet në mandatin e presidentes Vjosa Osmani siç është edhe kjo çështja e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nuk mendoj që është në rregull që një proces që ka nisur më herët të jetë i papërfunduar. Do t’i trajtoj të gjitha çështjet që janë me prioritet. Sapo të kemi një analizë të të gjitha këtyre shkresave, aktgjykimeve e aktvendimeve natyrisht që do të veprojmë me kohë”, kishte thënë Haxhiu më 8 prill.
Por, ndonëse ditët kalonin dhe vendi po hynte në proces zgjedhor, siç ndodhi më 30 prill kur u caktua data e zgjedhjeve të parakohshme për 7 qershor, Haxhiu nuk bëri asnjë hap konkret për të plotësuar përbërjen kushtetuese të KQZ-së.
Në disa raste, ajo deklaroi publikisht gatishmërinë që të emëroi anëtarin e 3-të të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ.
Më 11 prill, Haxhiu kishte paralajmëruar se do t`i jep përparësi Rregullores së Kuvendit ndaj Kushtetutës për përbërjen e KQZ-së, një interpremtim që mbështet pikërisht pretendimin e Lëvizjes Vetëvendosjes, sipas së cilit, meqenëse në zgjedhjet e 28 dhjetorit ky subjekt ka fituar gjysmën e votave, i takon edhe gjysma e ulëseve shqiptare në KQZ.
“Unë mendoj që parimi i proporcionalitetit, pra përfaqësimi dhe fuqia politike janë shumë të rëndësishme në një proces. Përshembull, në Kuvendin e Kosovës ne kemi komisione parlamentare. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes i ka 5 anëtarë në komisionet parlamentare, PDK i ka dy, ndërsa të tjerët i kanë nga 1 anëtar. Ky është proporcionaliteti, përfaqësimi dhe fuqia politike, që del nga rezultati i zgjedhjeve, në këtë rast nga 28 dhjetori i vitit të kaluar”, kishte thënë Haxhiu.
Lexo edhe: https://nacionale.com/politike...
Edhe më 4 maj, pasi që vendi kishte hyrë në zgjedhje të jashtëzakonshme, Haxhiu përsëriti këtë qëndrim.
“Sa i përket Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tashmë janë dhjetë anëtarë për momentin në KQZ, në total janë 11 anëtarë. Duke qenë se kanë kaluar të gjitha afatet për emërim edhe të një anëtari unë do ta trajtoj këtë çështje me seriozitetin më të lartë. E rëndësishme ka qenë për mua që të kuptoj nëse do të bllokohet KQZ në rast se nuk e ka një anëtar, kam marrë informacione që asgjë nuk rrezikohet nga kjo situatë, prandaj do të veproj në përputhje me përgjegjësitë atëherë kur e konsideroj që duhet të veproj. I kam dy kërkesa njëra nga VV-ja e tjetra nga PDK-ja, por ju e dini që mendimi im për këtë është tash e sa kohë jo prej momentit kur unë e kam marrë detyrën… nuk e di a do të ketë, do të shohim a do të ketë, por e rëndësishëm për mua është që të respektohet fuqia e subjekteve politike që ia kanë dhënë qytetarët e Kosovës, pra fuqia, proporcionaliteti, përfaqësimi besoj që janë shumë të rëndësishme”, kishte thënë Haxhiu para gazetarëve.