Organi 'i pavarur' për Çmime Tavan dhe 'siguria juridike' që kërkoi kushtetuesja: Çfarë ndryshime bëri Kurti? - NACIONALE

Organi 'i pavarur' për Çmime Tavan dhe 'siguria juridike' që kërkoi kushtetuesja: Çfarë ndryshime bëri Kurti?

1 javë më parë

nga Xhezair Dashi

Qeveria e Kosovës ka hartuar dhe kaluar me votë projektligjin e ri për “Çmime Tavan” gati tri vite pasi ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur ligjin e mëparshëm tërësisht të pavlefshëm në nëntor 2023 në Aktgjykimit KO173/22.

Vendimi i Gjykatës bazohej në dy probleme kryesore kushtetuese që ishin të brendashkruara në atë ligj.

Kushtetuesja saktësonte që ndërhyrjet në treg mund të bëhen vetëm nga një organ i pavarur dhe kryefjala ishte se Qeveria, përkatësisht politika, nuk mund të caktojë çmime vetë.

Së dyti, Gjykata konstatonte se ligji krijonte pasiguri juridike, përkatësisht binte në konflikt me ligje të tjera ekzistuese.

Kryemotiv të fushatës zgjedhore të fundit, Albin Kurti i Vetëvendosje e kishte këtë ligj për Çmime Tavan.

Fjalimet e tij ishin të mbushura me plot shpresdhënie të një kthimi të shportës së konsumit në gjendjen e para 2022’ës kur inflacioni kishte prekur maja.

“Kurrë s’e harroj atë ditë”, shprehej në një tubim Albin Kurti, teksa fliste për rrëzimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese; dhe fajësonte gjyqtarët se ishin ata që lanë qytetarët ballë jetesës çdo ditë e më të shtrenjtë.

“Por duhet ta harroj atë ditë, duhet të ecim përpara me çmime tavan, që shporta të jetë e kufizuar dhe e përballueshme, për klasën e mesme dhe të varfër”, thoshte ai.

Tek tash, muaj më vonë, çër të adresuar gjetjen e parë, Qeveria ka bërë ndryshime që pretendon të ketë adresuar vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese në projektligjin e ri.

Neni 8 i projektligjit të ri themelon Bordin e Pavarur për Masat e Përkohshme për Rregullimin e Çmimeve;

Ky organ theksohet se "është organi më i lartë vendimmarrës dhe është përgjegjës për ushtrimin e kompetencave".

Bordi do të përbëhet nga pesë anëtarë. Tre të jashtëm, dy delegohen nga Ministria dhe Autoriteti i Konkurrencës.

Kryetari, nënkryetari dhe tre anëtarët emërohen nga Kuvendi i Kosovës dhe zgjidhen me shumicë të thjeshtë prej 61 votave.

Kjo zgjidhje supozohet dhe pretendohet të jetë në përputhje me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për pavarësi institucionale.

Gjykata kishte theksuar se "Republika e Kosovës do të themelojë organe të pavarura për rregullimin e tregut".

Më parë, ligji i jepte pushtet ekskluziv Ministrit të Industrisë dhe Kryeministrit për të caktuar çmimet e produkteve.

Por a e ka zgjidhur Qeveria problemin e dytë të ngritur nga Kushtetuesja?

Çështja e sigurisë juridike mbetet ende e diskutueshme.

Kushtetuesja kishte vërejtur “përplasje” me Ligjin për Tregtinë e Brendshme dhe Ligjin për Rezervat Shtetërore.

Gjykata Kushtetuese pati thënë se "ekzistenca e dy ligjeve paralele... nuk i shërben parimit të sigurisë juridike".

Në draftin e ri, Qeveria ka shtuar nenin 23 për zbatueshmërinë e këtij ligji.

Aty thuhe se "dispozitat e këtij ligji zbatohen në rrethana të veçanta të destabilizimit të tregut...".

Neni shton se ligji "nuk zëvendëson mekanizmat e zakonshëm të rregullimit të tregut".

Megjithatë, projektligji i ri nuk shfuqizon shprehimisht nenet konfliktuoze të Ligjit për Tregtinë e Brendshme.

Mungesa e shfuqizimit të neneve 42, 43 dhe 59 të atij ligji ishte theksuar si problem nga vetë Gjykata.

Nuk dihet nëse ky formulim i ri do të kalonte testin e kushtetutshmërisë vetëm duke përmendur zbatueshmërinë specifike.

Ndërkohë, projektligji përcakton saktë listën e produkteve themelore që mund t'u nënshtrohen masave.

Këtu përfshihen drithërat, mielli, buka, orizi, makaronat, vaji, qumështi dhe uji.

Lista përmban edhe pemët, perimet, kripën, vezët, mishin, sheqerin, ushqimet për fëmijë dhe produktet e higjienës.

Bordi i ri do të ketë të drejtë të marrë vetëm dy lloje të masave të përkohshme mbrojtëse.

Ai mund të caktojë "marzhën tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë".

Gjithashtu, Bordi mund të bëjë "caktimin e çmimit maksimal të lejuar".

Për të marrë këto masa, duhet të ketë ngritje të papritur dhe të paarsyeshme të çmimeve.

Këto masa ndërmerren edhe kur ka dallime të theksuara çmimesh krahasuar me vendet e rajonit.

Gjykata Kushtetuese e kishte arsyetuar rrëzimin e ligjit të kaluar me argumente të forta për lirinë e tregut.

Ajo potenconte se "ekonomia e tregut është vlerë e Republikës së Kosovës".

Gjykata argumenonte se "çdo ndërhyrje e shtetit në këtë liri... duhet të bëhet vetëm përmes ligjit".

Gjykata ritheksonte se "Kushtetuta e Republikës së Kosovës... përcakton që Republika e Kosovës do të themelojë organe të pavarura".

Kjo theksohet kur "vetë tregu nuk mundet që në masë të mjaftueshme të mbrojë interesin publik".

Një pikë tjetër e debatuar ishte detyrimi i bizneseve për të mbajtur rezerva të mallrave.

Ky detyrim ishte parë si joligjor nga opozita, sepse binte ndesh me ligjet e tjera shtetërore.

Në draftin e ri, ky detyrim specifik për t'u furnizuar me detyrim është hequr nga neni përkatës i masave.

Nëse miratohet, ligji parashikon gjoba të ashpra për shkelësit e masave të marra nga Bordi.

Biznesetqë nuk i binden vendimeve mund të gjobiten deri në 20,000 euro.

Në rast të shkeljeve të përsëritura, biznesit mund t'i ndalohet veprimtaria për një periudhë deri në 30 ditë.

Lajme të ngjashme