Opozita vija të kuqe VV-së: “Betohen” se s`do të bëjnë koalicion me VV-në për qeverinë e ardhshme - NACIONALE

Opozita vija të kuqe VV-së: “Betohen” se s`do të bëjnë koalicion me VV-në për qeverinë e ardhshme

3 javë më parë

nga NACIONALE

Partitë opozitare i kanë vendosur vija të kuqë Lëvizjes Vetëvendosje. Askush prej opozitës parlamentare nuk dëshiron që të bashkëpunojë me partinë e Albin Kurtit për qeverinë e ardhshme.

Zyrtarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së janë shprehur të bindur se nuk do të bëjnë koalicion qeverisës me partinë në pushtet pas zgjedhjeve të reja, të cilat mund të mbahen gjatë këtij viti.

Ata kanë bërë e dije se nuk kanë diskutuar për një bashkëpunim të mundshëm të opozitës për qeverinë e ardhme.

Sipas tyre, tani për tani ka një vullnet që askush nga opozita të mos bashkëpunojë me Albin Kurti.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kjo parti është e vendosur që të mos bëj koalicion më VV-në.

Unë sot nuk mund të them se ka dakordim me qenë në Qeverinë e ardhshme. Mirëpo, ajo që e shoh si frymë brenda kësaj opozite është që asnjë parti parlamentare politike në vendin tonë, që janë tri në opozitë, nuk kanë vullnet që në qeverinë e ardhme të jenë me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë Tahiri në emisionin “Pressing”.

Sipas tij, ketë gjë nuk do ta bëj as PDK-ja dhe as partitë tjera.

PDK-ja po ta them me siguri të plotë, mirëpo nuk e shoh asnjë parti tjetër opozitare që janë të gatshme me hy. Më së paku e shoh LDK-në, meqenëse po me vetni. Për faktin e përvojës që e kanë pasur në periudhën afatshkurtër me ta”, është shprehu ai, duke treguar se pse nuk e duan një gjë të tillë.

Nuk mundemi me pasë agjendë zhvillimore nëse ne bëjmë qeveri me Lëvizjen Vetëvendosje, nuk mundemi me i kontribu Kosovës. Ka provuar LDK-ja. Pra, nuk mundet asnjë parti politike me pasë një agjendë zhvillimore dhe me e pasë një kapërcim të madh. Nuk mundemi me e nxjerr Kosovën prej sanksioneve me Lëvizjen Vetëvendosje. Sepse kanë politika të gabuara dhe orientim të gabuar. Nuk mundemi me pas politika të përbashkëta për zhvillim ekonomi, sepse kanë mendësi që bllokon secilin projekt të mundshëm”, ka thënë Tahiri.

Edhe partitë tjera e kanë thënë të njëjtën gjë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në asnjë rrethane LDK-ja nuk do të hyjë në koalicion me VV-në.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai pati deklaruar se si e dyta LDK-ja nuk hy në qeveri.

Jo, në asnjë rrethanë. LDK-ja nuk bëhet pjesë e asnjë qeverie ku është e dyta. Ne e kuptojmë vlerësimin qytetar nëse na vjen i tillë, por nuk kemi llogaritje të tilla. Jemi në përpjekën për të shtuar alternativen tonë që është autoktone për bindjen tonë dhe në leximin tonë është e domosdoshme për të ardhmen e Kosovës dhe do të na duhet punë”, ka thënë ai.

Sipas tij, një gjë e tillë nuk i konvenon as LDK-së dhe as Kosovës.

“Por, si e dyta nuk besoj se i konvenon as LDK-së dhe as Kosovës, që të jetë pjesë e një qeverie. LDK-ja duhet të pjesë e çfarëdo qeverie ku prinë dhe ku është faktori kryesor në konstelacionin e tillë”, është shprehur Abdixhiku.

Koalicioni opozitar?

As Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me VV-në për qeverinë e re.

Nënkryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, ka thënë se kjo parti është pro krijimi të një koalicioni parazgjedhor nga partitë opozitare.

Po flas për Aleancën. Nuk e kemi as në mendje me u bo gati me hy në koalicion me Vetëvendosjen. As që mendojmë për atë punë. Bile bile kemi edhe vendime për atë punë. Pra, kemi vendime që nuk bën më shku në këtë drejtim. Edhe kryetari Haradinaj, edhe shumica prej nesh e kemi thanë se ne jemi të hapur dhe mendojmë se duhet me pas koalicione të partive në opozitë”, ka thënë Gjini në emisionin “Pressing”.

Ai ka treguar se AAK-ja nuk në asnjë formë nuk e kushtëzon krijimin e një koalicioni opozitar.

Për neve kjo humbje e kohës dhe ky rrezikim i synimeve strategjike të Kosovës, ky rrezikim i sigurisë së Kosovës pre kësaj qeverie, duhet më na bo me mëndu se ndoshta nuk është ‘sakrificë’ e madhe me e mbërri me e pasë një koalicion opozitar, i cili i fiton zgjedhjet. Ne besim të hapur, kryetari Haradinaj dhe ne kemi një vendim në kryesi që nuk e kushtëzojmë një koalicion të tillë as me poste dhe me asgjë tjetër”, ka thënë Gjini.

Propozimi i AAK-së për një koalicion parazgjedhor të opozitës nuk është përkrahur nga dy partitë tjera opozitare. PDK-ja dhe LDK-ja e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke thënë se ato do të garojnë si të vetme në zgjedhjet e ardhme parlamentare.

Javët e fundit, pozita dhe opozita janë pajtuar se vendit i duhen zgjedhjet e reja, por nuk kanë mundur ta gjejnë një rrugën e përbashkët se si të shkohet deri të zgjedhjet e reja. Opozita ka kërkuar që kryeministri Albin Kurti të dorëhiqet dhe më pas të shpërbehet Kuvendi, kurse VV-ja ka thënë se është e gatshme ta mbështes çdo iniciativë të opozitës për shkarkimin e kryeministrit dhe më pas shpërbërjen e Kuvendit.

Lajme të ngjashme