Opozita vazhdon të shkëlqejë në fushatë: PDK-ja dhe LDK-ja mbajnë tubime masive edhe në lagje të Prizrenit e Gjilanit
Partitë opozita kanë vazhduar me organizime të mira elektorale edhe në ditën e tretë të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurti.
Pas tubimeve hapëse në Prishtinë, të cilat ishin masive, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë vazhduar me aktivitete të ndryshme elektorale në gjithë Kosovën.
Derisa në ditën e tretë të fushatës PDK-ja dhe LDK-ja janë fokusuar në lagje të disa qyteteve, AAK-ja e ka mbajtur një tubim tjetër madhështor në Gjakovë.
Numri i madh i njerëzve që po shkojnë në tubimet e partive opozitare për shumëkënd po shihet si befasues.
Madje, numri i madh i përkrahësve të tyre po shihet edhe në takime më të vogla.
Një gjë e tillë është vërejtur edhe në takimet e djeshme të PDK-së në lagjet e Prizrenit dhe tubimin e LDK-së në lagjen Dardania në Gjilan.
Kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë me dije se entuziazmi i qytetarëve për vizionin e PDK-së po shihet në çdo takim.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se fushata e tij po i bashkon të gjithë qytetarët.
“Shpresë, entuziazëm dhe angazhim kudo nëpër lagjet e Prizrenit për Kosovën që mundet ma mirë. Edhe banorët e lagjeve “Bajram Curri” dhe “Bazhdarhane”, sonte i dhanë përkrahje të madhe projekteve dhe programit tonë për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve në tërë vendin. Fushata jonë i bashkon të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh nga vijnë, për të punuar për një të ardhme më të mirë”, ka shkruar Hamza.
Në ditën e tretë të fushatës, një tubim madhështor e ka mbajtur edhe LDK-ja në lagjen Dardani te Gjilanit.
Më këtë rast, kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se populli dhe LDK-ja janë bërë një.
Në profilin e tij në “Facebook”, Abdixhiku ka shkruar se populli po flet në çdo tubim.
“Populli. Jo një komunë, jo një qytet, vetëm një lagje. Lagjja Dardania e Gjilanit! A po e kuptoni tashmë, se populli dhe LDK janë bërë një! Ndryshimi po vjen! Fort, në çdo vend - populli po flet! 124 është numri ynë! 9 shkurti është festa jonë! Lutë, dhe ekipit të Anamoravës, ju lumtë! Qytetarëve të Dardanisë, ju faleminderit!”, ka shkruar Abdixhiku.
Kurse, koalicioni AAK-Nisma edhe ditën e tretë të fushatës e ka vazhduar me tubime të mëdha.
Sikurse në Prishtinë, kjo parti një tubim madhështor e ka mbajtur në Gjakovë.
Kandidati i këtij koalicioni për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Kurti po i kushton shumë Gjakovës dhe terë Kosovës.
“Dështimi i qeverisë Kurti po i kushton shtrenjtë Gjakovës. Rruga Gjakovë-Klinë, u la në harresë nga një pushtet që nuk di të bëjë asgjë përveç propagandës. Gjakova, një ndër kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e Kosovës, meriton më shumë. Plani ynë është konkret: përfundimi i rrugës Gjakovë-Klinë brenda 6 muajve të parë të qeverisjes, realizimi i Autostradës së Dukagjinit, aktivizimi i aeroportit për fluturime komerciale dhe krijimi i zonës amerikane të biznesit. Më shumë se kaq - do të ndërtojmë një industri prodhuese ushtarake dhe poligon me standarde NATO-s në brezin kufitar, duke hapur mijëra vende pune për gjakovarët”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”, duke shtuar se qytetarët po i thojnë jo Kurtit.
“Gjakova sot masovikisht, i tha Jo mashtruesit që e ka izoluar Kosovën dhe e ka dëmtuar sigurinë kombëtare. Me 9 shkurt, votoni 137 për një Kosovë Fituese - për anëtarësim direkt në NATO, për siguri energjetike, çmim energjie të përballueshëm, për paga minimale jo nën 500 euro dhe për zhvillim ekonomik që i jep dinjitet çdo qytetari. Gjakova e di - koha e mashtruesve ka marrë fund. Ja sot, ja kurrë për Kosovën Fituese!”, ka shkruar Haradinaj.