Opozita paraqet dy mocione mosbesimi ndaj Macronit shkaku i moshës së pensionimit
Opozita franceze ka paraqitur dy mocione mosbesimi ndaj qeverisë së presidentit Emmanuel Macron, ndërsa protestuesit u përleshën të premten në mbrëmje përsëri me policinë, duke e kundërshtuar reformën për ngritjen e moshës së pensionimit.
Forcat policore përdorën gaz lotsjellës për ta boshatisur sheshin e madh afër ndërtesës së Asamblesë Kombëtare, pasi disa protestues u ngjitën në një zonë nën renovim, duke u pajisur me drunj. Ata e sulmuan policinë me fishekzjarrë dhe kubëza betoni, raporton medium “France24”. Policia tha se ka arrestuar 61 persona.
Përleshjet ndodhën disa orë pasi grupi Liot paraqiti një mocion mosbesimi në Asamblenë Kombëtare, i cili u nënshkrua edhe nga aleanca e së majtës ekstreme, NUPES.
Disa orë më vonë, partia e së djathtës ekstreme, Tubimi Kombëtar, e cila ka 88 deputetë në Asamblenë Kombëtare, gjithashtu paraqiti një mocion mosbesimi.
“Ne do t’i votojmë të gjitha mocionet e paraqitura të mosbesimit. Ajo që ka rëndësi, është që ky projekt i keq i reformës të bjerë”- tha deputetja e Tubimit Kombëtar, Laure Lavalette.
Sipas ligjeve të Francës, deputetët mund të votojnë në më shumë se një mocion mosbesimi. Për t’u miratuar në Asamblenë Kombëtare, mocioni duhet të përkrahet nga shumica e deputetëve, të paktën 287 vota.
Pika 3 e nenit 49 të kushtetutës së Francës ia jep qeverisë privilegjin ekzekutiv për të miratuar një projektligj pa vota të deputetëve, por edhe opozitës i jep të drejtë që të kundërpërgjigjet me mocion mosbesimi. Raportohet se për këto mocione do të votohet të hënën.