“Opozita” u përgjigjet thumbimeve të Kurtit: Zhbllokoje ngërçin, tërhiqe Albulena Haxhiun
Kritikat e liderit të LVV-së, Albin Kurti, ndaj partive të deridjeshme opozitare kanë nxitur reagime të ndryshme. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së nuk janë marrë shumë me thumbimet e kryeministrit në detyrë. Ata e kanë ftuar Kurtin që të reflektojë dhe të zhbllokojë krijimin e institucioneve të reja.
Para hyrjes në Kuvend, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se Kurti para së të flas për PDK-në duhet të reflektojë ndaj ngërçit politik.
“Përgjegjësi për t`i hap rrugë perspektives dhe zhvillimit të Kosovës varet nga koalicionin që ka fituar numrin më të madh të mandateve. Para se të flas për PDK-në, z. Kurti duhet të reflektojë dhe t`i hap rrugë bllokadës tre mujore në të cilën ka hyr Kosova”, ka thënë Deliu-Kodra.
Edhe nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se përgjegjësia për tejkalimin e situatës aktuale.
“Le ta votojnë Albulenën dhe të më testojnë mua. Nëse t`i dëshiron ta zgjedhësh kryetarin e Kuvendit që ta nisësh orën demokratike, shko urdhëro te ato parti politike që të kanë ofruar madje edhe emra. Testoji tash ti ata. Pse po kërkon të të testojnë ty? Testoji ti ata, ta shohësh nëse e kanë të mirëqenë propozimin për dy kandidate gra madje. Është njëfarë domosdoshmërie e secilit që ta gjejë fajtorin diku tjetër”, ka thënë ajo.
Deputetja e LDK-së ka vlerësuar se nuk mund të zgjedhjet kryetari i Kuvendit pa marrëveshje politike.
“Nuk mund të bëhet asnjëherë kryetari i Kuvendit pa marrëveshje politike, sepse kërkohen 61 deputetë që asnjëherë nuk i kanë takuar një partie politike si tërësi. Nëse jo me partitë tjera, është dashur të bëhet marrëveshje me partitë minoritare, sepse janë edhe nënkryetarët e tyre. Ne nuk jemi të obliguar ta votojmë një person, në mendësinë antikushtetuese të të cilit ne nuk e gjejmë veten”, është shprehur ajo, duke mos dashur t`i komentojë më shumë qëndrimet e Kurtit.
“Sa i përket prononcimeve të deputetit Kurti, nuk vlerësoj që as kam nevojë më të komentojë, për faktin që ne kemi parashtruar kallëzim penal ndaj tij, sepse mënyra se si ai vazhdon të shkojë në qeveri, t’i shfrytëzojë mjetet e qeverisë, të marrë vendime të kundërligjshme, e bën plotësisht të padenjë që ta komentojë”, është shprehur Kica-Xhelili.
Kurse, deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, ka thënë se pesha e një lideri nuk matet me vota.
“Limaj ka autoritet dhe njihet si autoritet përafrues në skenën politike. Por pesha e një lideri nuk varet nga numrat në politikë”, ka thënë Izmaku.
Çka tha Kurti?
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, mbrëmë ka kritikuar partitë që deri dje kanë qenë në opozitë.
Sipas tij, ato janë fajtore për zvarritjen e krijimit të institucioneve të Kosovës.
Në një intervistë për RTK-në, ai ka folur për Fatmir Limajn, PDK-në, LDK-së dhe AAK-në.
“Është lajm që Fatmir Limaj, komandant Çeliku siç njihej gjatë luftës, është kthyer në Kuvendin e Republikës, që Nisma Socialdemokrate, që duhej të jetë parti simotër me VV-në, i ka tre deputetë në Kuvend, por le të mos harrojmë një gjë tjetër: jo vetëm që u rikthye Fatmir Limaj në Kuvend, por njëkohësisht ia mundësoi AAK-së ta kalojë pragun. Pa Nismën, AAK-ja kësaj radhe do të ngelej nën prag. Nisma Socialdemokrate është në Kuvendin e Republikës. Unë kam pasur takime me Limajn. Takimet kanë kaluar në një atmosferë ku është rritur besimi, ku është rritur mirëbesimi, vullneti për bashkëpunim. Mirëpo, ku nuk ka pasur mosmarrëveshje, thjesht për shkak të një insistimi, parakushti, madje as kushti, për bashkëpunim në të ardhmen për pozitën e kryeparlamentarit. Tash unë jam në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa. Një partie me tre deputetë t’ia japim kryeparlamentarin, kur e kam një parti që është dyfishi për nga numri i deputetëve, kjo e dëmton pariparueshëm arkitekturën e marrëveshjes paraprake që VV e ka me Guxo dhe Alternativa. Nuk ishte një gjë e mundur.” – tha ai në RTK.
Kurti kërkoi që të testohet nëse i ka votat për qeveri.
“Ata nuk besojnë që unë nuk i kam 61 vota për kryeministër. Unë iu them atyre ‘me testoni’. Nëse ata besojnë që Albin Kurti si ka 61 vota të deputetëve për t’u bërë kryeministër përsëri, e kanë në dorë të më besojnë. Le ta votojnë Albulenën dhe le të më testojnë mua. Nëse unë dështoj, pikërisht kjo do të ishte fitore për ta. Nuk do të ishte fitore për ta duke e bllokuar Kuvendin dhe duke pamundësuar korumin.” – tha Kurti në RTK.
Kurti tha se do ta presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ne do ta respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Mos të harrojmë se kemi dy raste në Kushtetuese lidhur me këto zgjedhje. Rasti i parë është ai i votave të manipuluar me postë dhe rast tjetër është ky që u dërgua tash së fundmi nga deputetët opozitarë, e që konsideron se nuk bënë të ndërrohet metoda në kudër të seancës për konstituim”, ka thënë Kurti.
Ai ka mohuar se parti e tij e ka ndryshuar mënyrën e votimit në mes të procesit të zgjedhjes se kryetarit të Kuvendit.
“Me lejoni të theksoj se nuk po ndërrohet metoda në gjysmë të procesit sepse ende nuk ka filluar procesi. Ne e kemi provua me një metodë që është votimi i hapur që nuk ka pasur sukses dhe tash po e provojmë një metodë tjetër. Ndërrimi i metodës është serish kthim në fillim e jo ndryshim në gjysmë të rrugës”, ka thënë Kurti.
“Unë besoj që zgjidhja përpara është të mos ia imponojmë njëri-tjetrit kryetarët. Nëse opozita janë të sigurt që Albulena Haxhiu nuk kalon përsëri, le ta provojnë votimin e fshehtë Dhe porsa të konstituuohet Kuvendi, si kryeministër në dëtyrë, si kryëtar i VV-së, do t’i kem 61 vota minimum për qeverinë e re.” – tha në një intervistë për RTK