‘Nuk kemi nevojë për bajraktar’: Gërvalla thotë se e pati zili perëndimin për partinë me dy kryetarë - NACIONALE

‘Nuk kemi nevojë për bajraktar’: Gërvalla thotë se e pati zili perëndimin për partinë me dy kryetarë

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla është zgjedhur kryetare e Listës Guxo. Këtë pozitë, ajo do ta ndajë me ministrin tjetër, Faton Peci. Krejt kjo, siç bëri të ditur kryediplomatja, u propozua ekskluzivisht nga ajo pasi e ka pasur zili këtë praktikë në botën perëndimore.

Gërvalla në emisionin ‘Rubikon’ ka treguar se si erdhi deri te ky propozim, duke thënë se “shumë gjëra që i bën partia e saj ndodhin për herë të parë në vend".

Mes tjerash, ajo tha se e ka pasur zili botën perëndimore dhe partitë që kanë përdorur këtë model, pra të dy kryetarëve.

“Tri vite të mija të kaluara në botën perëndimore, duke e ndjekur nga afër zhvillimet në demokraci, më të zhvilluara se në vendin tonë, vazhdimisht e kam parë me zili një ndarje të pushtetit në sa më shumë duar…Jo vetëm parti, po edhe kompani të suksesshme që i njohim të gjithë. Ka kaluar nga një autoritet i pakontestueshëm, në bashkëkryesim. Si Deutsche Bank e shumë e shumë kompani që me kalimin e viteve, kanë zbuluar që menaxhimi i kompanisë është më i mirë, krijon një atmosferë më të mirë, të përbashkët, se sa uni që ne esi shqiptarë e njohim mirë”, ka thënë ajo.

Kryediplomatja shtoi tutje se në partinë e saj, “nuk kanë nevojë të shtyhen kush është i pari”.

“Nuk kemi nevojë vetëm për bajraktarë, kemi nevojë edhe për bashkëpunime, partneritet, do të tregojmë që kjo funksionon edhe në Kosovë”, tha ajo.

Gërvalla deklaroi se propozimi ishte i saj dhe se të gjithë hezituan, duke përfshirë këtu edhe kryetarin tjetër, Faton Peci.

“Unë jam më energjike, më temperament. Peci është më i urtë, është ana tjetër e medaljes. E ka një qasje mjaftë positive, dhe ndaaj gjeneratave të reja, edhe ndaj aktivistëve”, ka thënë Gërvalla, duke lënë të kuptohet se kjo është një mënyrë më e mirë e drejtimit të partisë.

A lejohet “bashkë-liderllëku”?

Gërvalla foli edhe për mundësinë se nëse lejohet, ose jo në Kosovë drejtimi i partisë nga dy persona, duke u arsyetuar se nuk ka një formulim të tillë nga KQZ-ja, pasi që nuk ka qenë e nevojshme deri më tani.

“Guxo ka kryetar, po të ishte që varet nga formulimi në këtë nen, atëherë do të duhej që asnjë parti politike të mos drejtohet nga një femër. Personi dhe uniteti mes dy personave…Ligji në asnjë prej shkronjave të tij nuk thotë se funksioni i kryetarit nuk ushtrohet nga dy personave. Mund të them se fjala kryetar e përfshin, sipas opinionit tim, kryetarin mashkull, kryetaren femër, dhe kryetarët nëse përbëhet nga dy persona. Kjo nuk shfaq asnjë vështirësi në përfaqësimin e partië politike. Sepse ne e kemi shumë të lehtë të merremi vesh se cili është personi që nënshkruan dokumentet në raport me KQZ-në. Kjo ndoshta nuk ka pasur asnjëherë nevojë, që të përfshihet formulimi i tillë, sepse nuk ka pasur ide për kryesimin nga më shumë se një person”, tha ajo.

KQZ ditë më parë i tha gazetës Nacionale se e kanë përcjellur Kuvendin e djeshëm të Guxo, dhe se do të përpilojë raport, në lidhje me këtë kuvend.

“Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka vëzhguar kuvendin qendror të partisë “Guxo”, i cili është mbajtur më 7 shtator. Sikurse herave të kaluara, nga vëzhgimi i kuvendeve zgjedhore të partive të tjera, kjo Zyrë do të paraqesë në mbledhjen e radhës të KQZ-së një raport lidhur me zhvillimin e kuvendit të partisë Guxo.”, deklaruan nga KQZ.

Neni 3 i Ligjit për regjistrimin dhe veprimin e partive politike i referohet liderit të partisë në njëjës, pra veç si kryetar.

Partia politike mund të paraqitet për regjistrim duke ia dorëzuar zyrës (KQZ-së); a) emrin, mbiemrin, adresën dhe numrin e telefonit të kryetarit të partisë, e) deklaratën e nënshkruar nga kryetari i partisë për të respektuar dhe përt t’iu përmbajtur Kodit të Mirësjelljes së Partive Politike.”, thuhet në ligj.

Neni 5 i këtij ligji, flet për arsyet për refuzimin e regjistrimit të partisë.

Aty ndër të tjera thuhet, nëse shkelet neni 18 pika 1 dhe 18 pika 2, partia nuk mund të regjistrohet.

Kryetari dhe të gjithë zyrtarët tjerë të partisë së regjistruar politike duhet të jenë anëtarë të partisë”, thuhet në nenin 18 pika 1.

Pra, edhe këtu vërehet se ligji për partitë politike, tërë kohën i referohet vetëm një kryetari.

Edhe në nenen tjera, ku parashihet sidomos komunikimi me KQZ-në, ta zëmë për njoftimet për ndryshimin e statutit, njoftimi i mbajtjes së kuvendeve etj., gjithmonë kërkohet një vërtetim nga kryetari, ose një nënshkrim nga kryetari.

Lajme të ngjashme