Nis zyrtarisht fushata: VV pa program merret me Serbinë dhe “ata të 20 vjetshit” – LDK dhe PDK shpalojnë zotimet
Program zgjedhor nuk ofroi as sot – Albin Kurti i Vetëvendosjes premtoi “nivele të papara të reja progresi” në zotimin e tij zgjedhor kur edhe hapi zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit. Serbia, sovraniteti dhe “ata që kanë bërë dëmin më të madh, PDK-LDK” – ishte ajo në çka u përqendrua në fjalimin e vet Albin Kurti.
Kurti para gjakovasve u lëshua në denoncime dhe tallje ndaj Hashim Thaçit dhe Avdullah Hotit, në disa refernca si “we are not problematic guys” dhe “razumem” për të shënjuar “dëmin më të madh” që ua mëveshi atyre.
“Kosovën e pavarur, e bëmë edhe të pavarur nga korrupsioni dhe pazaret me Serbinë”, tha Kurti, duke shtuar se si parti “kanë mision të madh kombëtar”.
“Të jini të sigurt që qeveria nuk do t’ju gënjejë asnjëherë, e kurrë s’do t’ju zhgënjejmë”, tha ai derisa iu kthye sërish Serbisë: “Për Serbinë e kemi policinë e ushtrinë, e dialogun”.
Këtë ngjyrë diskursi e mbajti edhe Glauk Konjufca, duke iu kthyer asaj që e quajti “ata të 20 vjetshit...që e kanë bërë Kosovën copë-copë, e ne cep më cep”.
Abdixhiku i LDK-së
Pretendenti i LDK-së për kryeministër vendi fjalët i gdhendi nga e ardhmja dhe në tone të shpresshme – me zotimin për zhbërje të polarizimit shoqëror të ndjellur nga Vetëvendosja.
Abdixhiku duke folur për planprogramin e tij “Rruga e Re” u zotua ta jetësojë atë në realitet “e jo me propaganda e tabela fiktive” referuar pushtetit.
Vizioni, tha Abdixhiku, është kështu: “Kosova, shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO e BE, e me miqësi të përhershme me SHBA-të”, ishte projekti ynë dje, është projekti ynë sot, do të jetë projekti ynë nesër”.
Një nga fjalitë që jehoi më së shumti te Abdixhiku ishte zotimi i tij “për të ndalur bredhjen nëpër botë për shërim” teksa premtoi spitalin e ri investim prej 500 milionë eurosh – krahas me zotimet e tij për projekte të mëdha infrastukturore.
“Në Republikën tonë propaganda nuk zëvendëson realitetin me tabela fiktive përplot mashtrime. Në Republikën tonë, tabela e vetme është ajo e familjeve kosovare që jetojnë, punojnë e përpiqen për një jetë të dinjitetshme e të ndershme”, tha ai.
Goditi edhe slloganin e Kurtit “cep më cep”, se me ardhjen e LDK-së në qeveri “paratë e vjedhura do t’i ktheni cent më cent”.
“Kam parë përpjekjen fisnike të familjeve kosovare për t’ia dalë një muaji deri në fund; me paga që nuk ju rriten përballë çmimeve që ju fluturojnë. Dhe në gjithë këtë përballje, ata duhet të shpresojnë se një ditë, një qeveri, zgjohet mbarë e mirë dhe vendos t’u ndajë ndonjë ndihmesë si lëmoshë – varësisht nga teket, varësisht nga qejfet – për të mos thënë varësisht nga zori!”, tha Abdixhiku,.
Hamza i PDK-së me tubim të madh
Pretendi i PDK-së për kryeministër vendi, Bedri Hamza, teksa shpaloi planprogramin e tij zgjedhor me të nisur fushata zyrtarisht – u shpreh se “dua të nisim kapitull të ri”.
“Jemi këtu të bindur se Kosova meriton më shumë mundësi, më shumë dinjitet dhe më shumë prosperitet. Bashkë mund ta ndërtojmë një Kosovë ma të mirë”, ka thënë Hamza.
Bedri Hamza tha se qenësore për të është zhvillimi ekonomik.
“Vizioni im për një Kosovë më të fuqishme, ka në themel hapjen e vendeve të reja të punës. Ka edhe rritjen e pagave në sektorin privat përmes rritjes së mbështetjes për bizneset. Me grante investive dhe subvencione, me lehtësira fiskale dhe qasje më të lehtë në financa, ne do t’i mbështesim bizneset që të zhvillohen. Por, zhvillimi i bizneseve nuk është vetëm për zgjerimin e tregjeve. Është edhe për fuqizimin e punëtorëve. Fuqia punëtore është zemra e çdo biznesi në sektorin privat”, ka thënë Hamza.
“Edhe të punësuarit në sektorin publik do të kenë paga të dinjitetshme. Në muajt e parë të qeverisjes sime, pagat do t’i rris për 50%. Përveç pagave, për 70 % do t’i rris pensionet bazike. Do t’i rris edhe pensionet kontributdhënëse, të cilat do të përshkallëzohen sipas viteve të punës”, ka thënë ai.