Nga telefonata me Gani Gecin te votimi i fshehtë: Pazare, matematika apo lojëra politike?
Një ditë pasi u zbulua zyrtarisht biseda telefonike e Glauk Konjufcës me Gani Gecin për ta bindur rreth votës së deputetes Marigona Geci, VV-ja kaloi në një tjetër nivel.
Shumëkush atë që VV-ja bëri sot e quajti mundësi për pazare. Fjala është me votimin e fshehtë të cilin e provuan, por që nuk kaloi.
Kështu e quajti Albert Krasniqi, analist dhe njohës i punës së Kuvendit.
“Duke llogaritur se përmes votimit të fshehtë mund të sigurohen vota që nuk u siguruan në votim të hapur, kjo krijon hapësirë për manipulime dhe blerje të mundshme votash, duke e shndërruar procesin në një akt të korruptuar. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit në këtë mënyrë do të përbënte një veprim të papranueshëm dhe të ulët në aspektin politik”, ka shkruar ai.
Mendim të njëjtë patën edhe partitë politike, përfshirë LDK-në.
“Meqë numrat nuk i kanë, deshën që arbitrarisht me metoda anti-kushtetuese t’a bëjnë votimin e fshehtë, që të hyjnë në pazare poaq të fshehta”, shkroi nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka thënë se propozimi për votim të fshehtë nuk është shkelje e Kushtetutës, siç është po pretendon opozita. Sipas tij, kjo lejohet me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, kjo kërkesë erdhi një ditë pasi Gani Geci publikoi edhe me fotografi bisedën e tij disa minutëshe me Glauk Konjufcën.
Një telefonatë për të cilën deri mbrëmë nuk dihej se ishte realizuar, ka shkaktuar reagime të mëdha në publik.
Fjala është për Glauk Konjufcën i cili e kontaktoi në telefon Gani Gecin, për të tentuar ta marrë votën e vajzës së tij, Marigona Gecit, e cila është deputete e LDK-së.
Madje, sipas asaj që tha Gani Geci në T7, Konjufca e pyeti “çka po kërkon”.
“Nuk ka tani, por ka pas. Nga sekserët e LLV-së. Është një prej deputetëve të VV-së të rrethit të Prizrenit. Dhe ish-kryetari i Kuvendit të LVV-së, zoti Glauk Konjufca, me datën 14, një ditë para seancës së parë me thirri në telefon. Dhe më ka thënë çfarë po kërkon që të na votosh për, që Margiona Geci ta votojë qeverinë e Albin Kurtit. Dhe unë i kam thënë unë nuk kërkoj asgjë, unë nuk shes votën time, unë nuk i shes 20 mijë e 500 vota që i ka marrë Marigona Geci në LDK”, tha Geci.
“Por unë kërkoj që Kurti t’i përgjigjet letrës së vëllaut tim, Halil Gecit, që e ka shkruar me datën 09,10.2024, dhe të kërkoi falje publike, sepse Albin Kurti për familjen Geci po e luan rolin e njëjtë qysh e ka luajtur Hashim Thaçi për 20 vjet. Dhe për 5 vjet po e luan rolin Albin Kurti”, ka thënë Geci.
Ai publikoi edhe bisedën ku shihet se ka biseduar plot 13 minuta.
Kërkesa e Gecit është një kërkim-falje nga Kurti për rastin e vrasjes së komandantit Abedin Rexha, Sandokani.
Thirrjen telefonike e ka konfirmuar edhe Ilir Kërçeli, ish-shef i kabinetit te Konjufca.
“Glauku nuk flet me atë gjuhë: ‘çfarë po kërkon’. Thjesht e ka pyetur për ta zhbllokuar Kuvendin”, ka thënë Kërçeli në Debat Plus.
Pas këtij raportimi për tentim të binden deputetët që ta votojnë Albulena Haxhiun, nuk kanë munguar reagimet.
E në mbrojtje VV-së i doli ‘gardianja’ Fitore Pacolli.
“Është krejtësisht legjitime dhe e pranueshme që deputetëve të opozitës t’u kërkohet, edhe në mënyrë individuale, të mbështesin zgjedhjen e Kryeparlamentarit. E rëndësishme është se, ndryshe nga e kaluara, sot nuk përdoren më terminale apo burime shtetërore për të siguruar vota. Kjo përfaqëson një praktikë të shëndetshme demokratike, por fatkeqësisht nuk vlerësohet si e tillë nga disa "analistë", të cilët nuk udhëhiqen nga parimet e analizës së paanshme, por nga interesat e atyre që i shpërblejnë me përfitime të mëdha financiare”, ka shkruar Pacolli.
Këtu u përfshi sot edhe Faton Peci i cili tha se Gani Geci ka pasur vullnet për bashkëpunim, deklaratë e cila e çoi Gecin te Kuvendi.
Geci mohoi kategorikisht se ka çuar mesazhe për të bashkëpunuar me VV-në.