Nga dorëheqja e Valbon Krasniqit te telenovela “Shemi” – gjithçka që ndodhi në javën e parë të gushtit - NACIONALE

Nga dorëheqja e Valbon Krasniqit te telenovela “Shemi” – gjithçka që ndodhi në javën e parë të gushtit

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Kemi hyrë tashmë në javën e dytë të muajit gusht, i teti me radhë kalendarik.

Java që veçse e lamë pas qe me mjaft zhvillime, si në politikë, ashtu edhe në sferat tjera.

E hëna nuk është se u karakterizua me diçka të veçantë.

Vendi erdhi pas aksioneve e barrikadave në veri të datës 31 korrik, që më vonë pasuan me vendimin e qeverisë për të shtyer për 30 ditë zbatimin e vendimit për reciprocitetin mbi targat dhe letërnjoftimet e përkohshme.

Dorëheqja e Krasniqit

E marta u shqua për dorëheqje e shkarkime.

Fillimisht nga ShSKUK u konfirmua dorëheqja e Valbon Krasniqit.

“Ju njoftojmë se Bordi Drejtues i SHKUK-së, në mbledhjen e mbajtur me datë 02.08.2022 ka miratuar dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Dr. Valbon Krasniqi”, thuhej në njoftimin e zyrës.

Në vend të Krasniqit, u emërua gjinekologia e Klinikës së Gjinekologjisë, Pranvera Zjenullahu-Raci.

Podujeva

Pikërisht atë ditë u shkarkua drejtori i tretë i Inspekcionit në Podujevë, Besnik Mulliqi.

Ky i fundit për mikrofonat e Nacionales deklaroi se shkak për shkarkimin e tij u bënë rrënimet e objekteve pa leje në fshatin Orllan, megjithëse shtoi se konfliktet nuk kishin munguar as më herët.

“Shkarkimin e kam pranuar pas rrënimeve të bëra. Por ky nuk është problemi i vetëm. Ka edhe çështje të tjera për të cilat nuk jam pajtuar. Kemi pasur edhe probleme të tjera. Nuk e di të kujt janë shtëpitë, por e di që janë ilegale, të papajisura me leje”, kishte thënë Mulliqi.

Dorëheqjet nuk munguan as të nesërmen e 3 gushtit. Qyteti e komuna nuk ndryshuan. Podujeva.

Kësaj radhe ishte Drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu. Lajmin e pat konfirmuar zëdhënësi i komunës gjegjëse, Fahri Zhitia.

“Driton Veliu ka dhënë dorëheqje. Ai e ka dhënë një deklaratë për një televizion ka thënë për shkaqe personale dhe për shkak të zhvillimeve politike që kanë ndodh në komunën e Podujevës”, tha Zhitia para mediave të mërkurën.

Të enjten ndërkaq u konfirmua takimi i radhës Kurti – Vuçiq.

Për Nacionalen nga Zyra e BE-së u konfirmua se Borrell veçse kishte ftuar të dyja palët në Bruksel, teksa si datë u caktua 18 gushti.

“Mund të konfirmoj se pasi Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell ftoi të dyja palët në Bruksel, presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti e pranuan ftesën e tij dhe ata do të priten në Bruksel më 18 gusht nga Përfaqësuesi i Lartë dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajčák për të diskutuar rrugën përpara në Dialogu i Beogradit Prishtinë. Do të ndajmë më shumë detaje rreth logjistikës dhe agjendës më afër ditës së takimit”, thuhej në përgjigje.

E premtja ishte e rezervuar për pop-yllin tonë, Dua Lipën. Kjo e fundit u dekorua nga presidentja Osmani me medaljen “Ambasadore Nderi”.

Festivali ishte temë parësore edhe gjatë së djeshme, me fundin e ditës që mori dhenë. Personazh u bë Shemsi Krasniqi, i njohur në opinionin publik si Shemi.

Vokalisti i grupit Ilirët u ndalua nga Policia e Kosovës për shkak se tentoi që me zor të performojë në një festival ku nuk ishte i ftuar.

Megjithatë, ai për Nacionalen tha se përkundër kësaj nuk do të ndalet derisa t’i këndojë Adem Jasharit në organizimin që sonte ulë perden.

Lajme të ngjashme