Në ShBA u mburr me Marrëveshjen e Uashingtonit, në Kosovë e zhvleftëson Hotin: Osmani i kthehet zhanrit të vjetër - NACIONALE

Në ShBA u mburr me Marrëveshjen e Uashingtonit, në Kosovë e zhvleftëson Hotin: Osmani i kthehet zhanrit të vjetër

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Si tiketë për të përçuar fjalën e vet te fjalët e Donald Trump, e përdori Marrëveshjen e Uashingtonit si gjë për t’u mburrur, si marrëveshje të mirë, e për më tepër, edhe të zbatuar. Kjo në kontekstin e madhërimit të asaj marrëveshje nga Donald Trump kohëve të fundit, si një marrëveshje që “ka zgjidhur” çështjen mes Kosovës dhe Serbisë nën patronatin e tij. Vjosa Osmani, në këtë metamorfozë, bëri të ngriten shumë vetulla lart: çka? Një nga luftueset më të ashpra të kësaj ujdie të arritur në Zyrën Ovale – në fjalët e veta të vitit 2020 “marrëveshje kundër rendit kushtetues”, Osmani ndërroi lëkurë.

Kur në vend u denoncua për “hipokrizi” dhe u kthye pasqyra mprasht e qëndrimeve të saj – saktësisht për Marrëveshjen e Uashingtonit, i pari që reagoi ishte Avdullah Hoti, duke e konstatuar këtë “hipokrizi”.

“Kjo është ajo që ndodh kur fitimi dhe mbajtja e pushtetit bëhet më i rëndësishëm se interesi shtetëror. Marrëveshja që dikur e luftonte për vota, sot shërben për lavdi të rreme. Jo, ti e Kurti nuk e keni zbatuar këtë marrëveshje. E keni luftuar atë. Tani po mundohi ta “përvetësoni kur kanë ndryshuar rrethanat politike në SHBA. Ky është kulmi i mashtrimit politik”, pati shkruar Hoti atë ditë.

Megjithatë, Vjosa Osmani qe zënë në një predikament tjetër të rëndë: atë me Richard Grenell, Emisarin e Trump për Misione të Posaçme në Botë, i cili e përgënjeshtroi në një tjetër dimension; por edhe e hoqi nga ekuacioni i pjesëmarrjes në Marrëveshje të Uashingtonit.

Tek u kthye në vend Osmani mbajti një konferencë për media që veçse i shtoi konfuzionit edhe më shumë: tha se ajo i ka lajmëruar aleatët për kërcënime ushtarake nga Serbia dhe jo anasjelltas: dhe nxori tri deklarime të Donald Trump duke i përkthyer verbatim.

Dhe fjala doli te Avdullah Hoti. Këtë të fundit Vjosa Osmani e quajti “jo relevant” me të cilin “nuk dua të humbas as një sekond” në një disponim të rëndë. Madje, e akuzoi për “altoparlant të Serbisë”, në atë se vetëm Serbia akuzon Kosovën për moszbatim të marrëveshjes.

“Hoti është njeriu më jorelevant, në të cilin nuk dua të humbë asnjë sekondë. Nëse doni ta bëni si pyetje tuajën se a është zbatuar marrëveshja a po jo, vetëm Serbia e akuzon Kosovën për moszbatim të marrëveshjeve. A e keni lexuar marrëveshjen, cilën pjesë nuk e ka zbatuar Kosova?”, tha ajo.

“Njerëzit duhet të kujdesen shumë të mos shndërrohen në altoparlanta të Serbisë këtu me akuza të tilla”, tha ajo.

I menjëhershëm ishte reagimi i Avdullah Hotit, i cili iu kthye bagazhin empirik të politikbërjes së saj viteve të fundit: që ka qenë e linjës së Vetëvendosjes.

“Po i mbaron mandati 5-vjeçar në krye të shtetit të Kosovës pa asnjë rezultat e pa asnjë kontribut për shtetin e Kosovës. Pesë vite demagogji e mashtrime, të cilat po dalin sheshit. Pesë vite në shërbim të agjendës shtetrrënuese të bashkë-mashtruesit. Ky është problemi që ka Vjosa. Kjo e ka hallin se do të mbetet në histori si mashtruesja më e madhe e elektoratit djathtist të LDK-së”, tha ai.

“Kjo e ka hallin se në prill e dorëzon mandatin dhe do të mbahet përgjegjëse dhe bashkëfajtore për rrënimin e reputacionit të shtetit të Kosovës dhe dëmet që i janë bërë e po i bëhen shtetit të Kosovës. Asnjë fjalë nuk e flet për vendimet e organeve të drejtësisë që konstatojnë uzurpimin e institucioneve nga LVV dhe partnerët e saj, përfshirë ish-partinë e saj Guxo”, tha Hoti.

Lajme të ngjashme