Ndryshimi i mënyrës së votimit për rezultatin e LS-së shqetësoi aleatët dhe “sanksionoi” KQZ-në: Pse Radoniqi po e luan lojën e VV-së? - NACIONALE

Ndryshimi i mënyrës së votimit për rezultatin e LS-së shqetësoi aleatët dhe “sanksionoi” KQZ-në: Pse Radoniqi po e luan lojën e VV-së?

1 javë më parë

nga NACIONALE

Zyrtarët e VV-së në KQZ që disa herë po bëjnë “filma” me Listën Serbe. Ndonëse përfundimi i këtyre “filmave” është i qartë për secilin qytetar, ata prapë së prapë po e bëjnë propagandën e njëjtë.

Kjo lojë e tyre po mundësohet edhe nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili në këtë pozitë është emëruar nga presidentja Vjosa Osmani.

Një veprim i tillë u pa edhe në mbledhjen e fundit të KQZ-së, ku ky institucion nuk e miratoi shpalljen e rezultateve përfundimtare për kandidatët e Listës Serbe.

Mosmiratimi i rezultatit të këtij subjektit politik u bë i mundur vetëm pasi kreu i KQZ-së ndryshoi mënyrën e votimit, duke e ndarë votimin për Listën Serbe nga votimi i subjekteve tjera politike. Ndryshimi i votimit ishte kërkesë e zyrtarëve të VV-së.

Ani pse vet i pari i KQZ-së, para kamerave, e ka pranuar se ndarja e votimit nuk është në rregull ai përsëri ka miratuar kërkesën e Sami Kurteshit të VV-së.

Tri vota për, dy kundër, tjerat abstenime. Me falni, po s’ka kuptim kjo punë”, tha Radoniqi, pasi që anëtarët e këtij institucioni nuk miratuan shpalljen e rezultateve përfundimtare për Listën Serbe dhe 9 deputetët e saj.

Ani pse kishte miratuar kërkesën anti-ligjore të VV-së, më pas kishte votuar ‘pro’ miratimit të rezultateve të Listës Serbe.

Kjo nuk është hera e parë që kreu i KQZ-së vepron në këtë mënyrë, duke ua realizuar kërkesat e çuditshme dy zyrtarëve të VV-së në KQZ.

Ky veprim i KQZ-së është dënuar nga monitoruesit e procesit zgjedhor.

Eugen Cakolli nga KDI ka vlerësuar së veprimi i kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për ndarjen e votimit nuk ka qenë ligjor.

“Përtej shkeljes fillestare – shpalljes së rezultateve pa u konsumuar afati ligjor për ankesa – sot KQZ shkoi edhe një hap më tej dhe formalizoi një praktikë tërësisht të kundërligjshme, duke shpallur rezultate ‘të pjesshme’, pra, jo për të gjitha subjektet politike. Rezultatet zgjedhore janë akt i vetëm dhe prodhojnë pasoja për të gjithë njëkohësisht. Ligji nuk njeh rezultate përfundimtare për një parti të veçantë, as vendime të ndara sipas subjekteve apo kandidatëve. Po aq e rëndësishme, kundërshtimi i rezultateve nuk mund të mbetet opinion politik i papërcaktuar, pa asnjë pretendim konkret për shkelje ligjore”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”, duke e kritikuar të parin e KQZ-së.

Prandaj ajo që ndodhi sot është absurde. Cilido anëtar që votoi kundër ose abstenoi, nëse kishte dyshime reale për rezultatet, ishte ai që duhej të ankohej. Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së dhe as duke bllokuar ose lejuar rezultate sipas interesave të momentit. Por duke e ditur se çfarë do të ishte epilogu ligjor nga një ankesë potenciale në PZAP apo Supreme, disa zgjodhën ta shtyjnë edhe një episod të kësaj shfaqjeje të pakuptimtë politike. Në këtë mënyrë, KQZ po sillet sikur ka kompetencë të vendosë kush hyn në fazën pas shpalljes dhe kush jo. E për këtë, përgjegjësi mban edhe Kryesuesi i KQZ-së që lejoi ndarjen artificiale të rezultateve pa asnjë bazë ligjore”, ka vlerësuar Cakolli.

Reagimet e aleatëve

Veprimi i KQZ-së është dënuar edhe nga aleatët e shtetit të Kosovës.

Në reagimet e tyre, ShBA-ja dhe BE-ja e kanë dënuar ashpër veprimin e KQZ-së.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka kritikuar veprimin e KQZ-së.

Sipas ambasadës amerikane, veprime të tilla e gërryejnë partneritetin e Kosovës me SHBA-të.

Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, ka vlerësuar ambasada e ShBA-së për Radion Evropa e Lirë.

Me këtë veprim i shqetësuar është shprehur edhe Bashkimi Evropian.

Një zëdhënës i BE-së ka bërë me dije se puna e KQZ-së nuk duhet politizuar.

BE shpreh shqetësim serioz për dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e rezultatit final për Listën Serbe në zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka thënë një zëdhënës i BE-së për “Kohen”.

KQZ-ja nën “sanksione”

Veprimi i Kreshnik Radoniqit për ndryshimin e mënyrës së votimit dhe më pas mosmiratimi i rezultatit të Listës Serbe i ka sjell KQZ-së edhe disa “sanksione”.

Pas këtyre vendimeve të KQZ-së, ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ia ka shtyrë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ceremoninë e festimit të bashkëpunimit kibernetik UK–CEC.

Ndonëse kjo ceremoni ishte paraparë të mbahet më 10 shkurt, gazeta Nacionale ka mësuar se festa është shtyrë për një datë të pacaktuar.

Nuk dihen ende arsyet e anulimit të kësaj ceremonie, e cila do të shënonte bashkëpunimin në fushën e sigurisë kibernetike mes Mbretërisë së Bashkuar dhe KQZ-së, por dyshohet se një veprim i tillë ka ardhur pas veprimit të KQZ-së.

Ambasada britanike nuk ka dhënë shumë detaje për anulimin e kësaj feste të përbashkët.

Na vjen keq t’ju njoftojmë se pritja për të festuar bashkëpunimin kibernetik UK–CEC, e planifikuar fillimisht për 10 shkurt, është shtyrë. Ne e vlerësojmë shumë partneritetin tonë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe mbetemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur punën e tij të rëndësishme në sigurimin që proceset demokratike të zhvillohen në përputhje me ligjin”, është thënë në njoftimin e ambasadës britanike.

Sikurse më par, edhe kësaj here fundi i kësaj loje të VV-së ka qenë i njëjtë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka rrëzuar vendimin e KQZ-së për mosmiratimit e rezultatit të kandidatëve të Listës Serbe.

PZAP konstaton se KQZ nuk ka ofruar asnjë arsyetim ligjor për refuzimin e shpalljes së rezultatit përfundimtar...për subjektin Lista Serbe dhe kandidatët e saj. Vendimi i KQZ-së është i mangët, jo i plotë dhe nuk i ka trajtuar çështjet thelbësore as faktet vendimtare që lidhen me vlerësimin e kushteve ligjore për shpalljen e rezultatit përfundimtar”, është thënë në vendimin e PZAP-së

Në vendimin e PZAP, tutje sqarohet se këto çështje janë të rregulluara me ligj.

Në këtë mënyrë, vendimi në fjalë siguron respektimin e procedurave ligjore dhe garanton zhvillimin e një procesi të drejtë dhe të barabartë për subjektin politik që ka përmbushur të gjitha kushtet e parapara me ligj”, është thënë në vendim.

Lajme të ngjashme