Mushkolaj: Presidentja shembull i keq, nuk i beson sektorit publik të shëndetësisë, plus tentoi ta fshehte rastin
Analisti i politikës, Imer Mushkolaj, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani, është shembull i keq pasi zgjodhi të operohet në sektorin privat.
Mushkolaj ka thënë se presidentja Osmani tentoi ta mbajë të fshehur operimin.
"Vetë presidentja nuk i beson sektorit publik të shëndetësisë. Një ndërhyrje të thjeshtë kirurgjike, ajo ka zgjedhur ta bëjë në një klinikë private. Plus provon ta mbajë fshehtë rastin. Fort shembull i keq.", ka shkruar ai.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, vazhdon të jetë e shtrirë në spitalin privat "Aloka" pas intervenimit kirurgjik që e pati të martën mbrëma në këtë spital.
Gazetari i Nacionales, Mirlind Behluli, na i sjell të rejat e fundit prej spitalit "Aloka", duke konfirmuar se veturat e presidentes gjenden ende para dyerve të këtij spitali.
Nuk dihet se në sa ora do të lirohet presidentja Osmani nga Spitali, por ajo çka dihet është se këtë intervenim e ka konfirmuar edhe Zyra e Presidentes.
Siç bëhet e ditur në këtë komunikatë për medie nga Presidenca, të lëshuar të martën pas mesnate, Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit).
