Muratin “kurrsesi ta zë gjumi” për ligjet e bllokuara në Kushtetuese, PDK-ja i kundërpërgjigjet me "zymtësi ekonomike" - NACIONALE

Muratin “kurrsesi ta zë gjumi” për ligjet e bllokuara në Kushtetuese, PDK-ja i kundërpërgjigjet me "zymtësi ekonomike"

1 javë më parë

nga Flakon Demaku

Në një periudhë të dominuar nga nevoja për veprime konkrete të ekzekutivit në ndërmarrjen e politikave ekonomike që synojnë lehtësimin e jetës së qytetarëve, opozita i është adresuar Gjykatës Kushtetuese për një sërë ligjesh. Kjo ka çuar në një konfrontim të hapur mes pushtetit dhe opozitës. Reagimet e pushtetarëve ndaj veprimeve të opozitës kanë qenë të ashpra, duke i akuzuar për bllokim të ndryshimeve në interes të qytetarëve. Nga ana tjetër, akuzat e opozitës kanë qenë të natyrës së shkeljes së kushtetutshmërisë se vendit dhe mosgatishmërisë së qeverisë për të pranuar propozimet e tyre në Kuvend.

Së fundi, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka ngritur sërish çështjen e ligjeve që sipas tij po bllokohen në Gjykatën Kushtetuese me nismën e opozitës, gjoja për “interes publik”.

Ligji për çmimet tavan, ligji për pagën minimale dhe ligji për faljen e tatimit në pronë, janë tre ligjet për të cilat u ankua edhe njëherë ministri Murati.

Lidhur me postimin e z.Murati, ka reaguar Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa.

Për secilin prej ligjeve të përmendura nga Murati, të cilat gjendet në sirtarin e Gjykatës Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë, Mustafa i PDK-së ka dhënë argumente.

Për ligjin mbi tatimin në pronë ai tha se ky ligj “ua ka dyfishuar faturën e tatimit në pronë qytetarëve të Kosovës e pastaj është munduar që këtë veprim ta kamuflojë me mundësinë e faljes së 100 eurove nga buxhetet e komunave.”

Sa i përket ligjit për çmimet tavan, koordinatori i Financave i PDK-së tha se përmes një ligji të tillë synohet t’u hidhet “hi në sy” qytetarëve nën pretendimet e kontrollit të çmimeve.

“Për ligjin e çmimeve tavan, përmes të cilit po mundohen t’i hedhin “hi në sy” qytetarëve se kinse po bëjnë diçka për ta kontrolluar rritjen e çmimeve, por që edhe vetë e dinë se kjo nuk çon askund.” – shkroi ai.

Ndërsa për ligjin për pagën minimale, Mustafa ka thënë se “në mënyrën më të paskrupullt i kanë përjashtuar nga rritja veteranët e UÇK-së në këtë kohë të vështirë të rritjes së madhe të çmimeve.”

Gjithashtu, rritje ekonomike prej vetëm 2% - më të ultë në dhjetë vite, rënia e eksporteve me mbi 10%, rënia e investimeve private me rreth 6% dhe mungesa e çfarëdo plani për dalje nga kjo zymtësi që e ka kapluar ekonominë dhe vendin në përgjithësi, janë shqetësimet që duhet të ketë ministri Murati, sipas koordinatorit për Financa të PDK-së.

Kujtojmë se lidhur me ligjin për çmimet, edhe deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, në një përgjigje për Gazetën Nacionale muaj më parë kishe deklaruar se ky ligj nuk është në pajtushmeri me parimet e ekonomisë së tregut të lirë dhe se nuk ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorit.

“Ky Projektligj nuk është në pajtim me parimet e ekonomisë së tregut të lirë si dhe është në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese të Kosovës. Kjo lloj politike mund të ketë për qëllim mbrojtjen e konsumatorit, por në botën e tregut të lirë ajo mund të ndikojë në efikasitetin e ekonomisë duke krijuar pëngesa të mëdha per prodhuesit.” – ka thënë Hoti për Nacionale.

Lajme të ngjashme