Murati: Shpresoj që opozita të ketë reflektuar, seanca do të vazhdoj aty ku ka mbetur
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, shpreson që opozita e deridjeshme të reflektojë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Para fillimit të seancës së sotme, ai ka thënë se VV-ja ka bërë çmos për dalje nga ngërçi aktual politik,.
“Shpresoj dhe uroj si zakonisht që opozita të ketë reflektuar që të zhbllokohet procesi dhe të ecim përpara në zhbllokimin e institucioneve. Ne kemi bërë çmos që ky proces që nga fillimi i seancës konstituive të ofrojë mundësi dhe ide për zgjidhje që të dalim nga ky ngërç, por e kemi parë që reflektimi ka munguar”, ka thënë ai, duke shtuar se ajo që është bllokua është opozita e deridjeshme.
“Tani ka një bllokadë dhe barrikadim te opozita dhe insiston që të ndryshohet kandidati. Pra, që të mos respektohet e drejta kushtetuese e VV-së, në këtë rast si pari fituese e zgjedhjeve. Seanca do të vazhdoj aty ku ka mbetur, aty ku kemi mbetur është mungesa e kuorumit për vendimmarrje për të votuar Komisionin për votim të fshehtë. Është e pamundur që të dilet apo të ndryshohet nga kjo rrjedhë, sepse jemi në një situatë, ku herën e fundit sikur se dy apo tri herët më parë ka mungesë të kuorumit që po duhet të ndërpritet seanca, për shkak të kuorumit”, është shprehur Murati.