“Mua m’u bënë pesë kërkesa dhe i pranova, Kurtit veç një dhe refuzoi”: Vuçiq flet nga ShBA për takimin e 14 shtatorit
Serbisë iu shtruan “pesë kërkesa” nga ndërmjetësit evropianë ndërsa Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “vetëm një”, ka thënë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke folur nga New York-u për takimin e fundit trilateral të Nivelit të Lartë në Bruksel. Vuçiq duke folur për “Newsmax” dhe ku në tryezën televizive e kishte edhe ish-Përfaqësuesin e Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë, Richard Grenell, tha se “Serbia i pranoi që të pesë kërkesat e BE-së, 100%” por se ai që refuzoi “të vetmen kërkesë” të BE-së, përkatësisht Asociacionin e Komuanve të banuara me shumicë serbe, ishte Albin Kurti.
“Për ju, që ta dini, ne kemi pasur para shtatë ditëve kemi pasur një seancë dialogu në Bruksel, dhe para nesh na u paraqitën pesë kërkesave ose kushte: dhe ne u përgjigjëm pozitivisht në të gjitha këto kërkesa. 100 përqind. Kurtit iu shtrua vetëm një pyetje: a do ta themeloni Asociacionin? Që është edhe obligimi i tij qe sa e sa kohë. Ai nuk u përgjigj pozitivisht”, tha Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq, duke u paraqitur para intervistuesit dhe Grenellit si afirmues të kërkesave të BE-së dhe ShBA-së në procesin e dialogut, tha se ishte vetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ai që “fajësoi Kurtin dhe regjimin e tij për këtë”.
“Tash jam i frikësuar nga veprimet eskaluese që ndërmerr (Kryeministri i Kosovës) Albin Kurti kohëve të fundit, dhe kam frikë se do t’i përsërisë nesër, pasnesër e pas tjetrës. E bën thjesht për hir të provokimit të serbëve”, tha Vuçiq.
“E kam parë që Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka reaguar; edhe që Bashkimi Evropian ka reaguar; por nuk ka qenë mënyrë e fuqishme për të bindur Kurtin që të ndalojë këto lloje të provokimeve”, shtoi ai.
Vuçiq, u ankua gjerësisht për ata që ai tha se është reagimi ndërkombëtar, kur thërrasin “të dyja palët” teksa tha se “nuk ka të dyja palët...sepse ne s’bëmë asgjë gabim”.
Është “fjalor burokratik”, tha Vuçiqi, të cilin “nuk po dimë se si ta trajtojmë”.
“Besoj që duhet së paku të ketë sinjale tejet të qarta nga administrata amerikane dhe evropiane; e jo ‘bothsidesim’; që ‘u bëjmë thirrje dy palëve’. Ne themi: në rregull, por ku është faji ynë këtu? Ne nuk e kemi bërë atë që thatë ju. Kur kemi këtë fjalor burokratik ne nuk dimë se si të merremi me këtë dhe kjo po bëhet çështja e përnjëmendtë”, tha Aleksandar Vuçiq.
Pyetur nga intervistuesi se a do të mbështetjes në Serbi një tjetër administratë Trump, Vuçiq tha se “gjithsesi që Serbia mbështet cilëndo zgjedhej të popullit amerikan”.
“Ne kemi pasur përvoja të mira me administratën Trump, as edhe një fjalë të vetme të keqe për ta nuk mund ta them”, ka thënë mes tjerash ai.