Misteri i koeficientit: a do ta mbajë fjalën Qeveria që në janar ta zbulojë vlerën?
Për Ligjin e Pagave deri më tani veç një gjë dihet: se do të nisë së zbatuari nga data 5 shkurt. Megjithatë, zyrtarët publikë zbatimin e këtij ligji po e presin me ankth, sepse ende askush nga ta nuk di se sa do të jetë vlera e koeficientit, rrjedhimisht, se sa do ta ketë pagën.
Nga Qeveria e Kosovës po vazhdojnë të heshtin edhe më tej për ta bërë publike vlerën e koeficientit të pagave për zyrtarët publikë.
Nga eksekutivi vazhdimisht është thënë se vlera do të bëhet publike gjatë këtij muaji, pa dhënë ndonjë datë të saktë. E kanë mbetur edhe katër ditë deri në përfundim të muajit janar dhe nga Qeveria ende nuk është dhënë as edhe një vlerë së paku e mundshme se sa parashihet të jetë koeficienti.
Ligji i Pagave mund të përfundojë në gjykatë
E derisa vlerën s’po e bëjnë publike nga ekzekutivi, nga shoqëria civile paralajmërojnë se Ligji i Pagave ka mundësi të përfundojë edhe këtë herë në Gjykatën Kushtetuese.
Është Instituti për Drejtësi, i cili i ka dërguar letër Avokatit të Popullit, me anë të së cilës ka kërkuar që ligji të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, meqenëse, sipas këtij instituti, cenohet pavarësia funksionale e sistemit të drejtësisë, si dhe, në disa raste të tjera, ka gjetur se ligji përmbëhet nga dispozita të cilat paraqesin trajtim të pabarabartë të nëpunësve të sektorit publik.
“IKD tërheq vëmendjen se ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve në këtë situatë është në kundërshtim me kërkesat që rrjedhin nga Aktgjykimi nr. KO219/19 dhe në kundërshtim me opinionet e Komisionit të Venecias, të cilat kanë krijuar tashmë praktikë dhe standard ndërkombëtar, në raport me pagat në sistemin gjyqësor dhe prokurorial” – thuhet në letrën e tyre.
Në një rast tjetër, IKD-ja ka identifikuar edhe një nen të kushtetutës, i cili mund të shkilet nga ky ligj.
Bëhet fjalë për nenin 24 të kushtetutës, i cili quhet "Barazia para Ligjit".
“Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim”- thuhet aty.
E pikërisht trajtimi i pabarabartë i nëpunësve të sektorit publik, që është identifikuar në këtë ligj nga IKD-ja, paraqet shkelje të këtij neni të kushtetutës, për të cilin organizata po kërkon nga Avokati i Popullit ta referojë në gjykatë e ta parandalojë.
Çka thonë sindikatat?
Për të gjitha sindikatat në Kosovë, çdo vlerë e koeficientit nën 120 euro do të ishte e papranueshme. Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka thënë se vlera duhet të jetë rreth 130 euro, apo 50% e pagës minimale.
“Nuk kemi ende informata sa do të jetë vlera. Supozime ka të ndryshme, ndërsa kërkesë e jona ka qenë 50% e vlerës së pagës minimale që ka qenë në lexim të parë. Që i bie 130 ose 132 euro vlera e koeficientit. Shumë e papranueshme. Nëse vlera është nën 120 euro, do të krijojë jashtëzakonisht shumë pakënaqësi”- deklaroi Zeqiri për Nacionalen.
Qëndrimin të ngjashëm e kanë edhe nga Sindikata e Arsimit. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, theksoi se nëse vlera e koeficientit është nën 120 euro, do të shkaktojë zhgënjim të madh.
“Për besë, SBAShK-u nuk ka ndonjë informacion të saktë. Gjatë grevës, kur është përfolur nga zonja Nagavci koeficienti së paku 120 euro, ne kemi bërë disa vlerësime me ekspertët tanë, duke u bazuar edhe në koeficientët, dhe kemi ardhur në përfundim që (koeficienti)120 euro do t'i lëvzite pagat, jo shumë, por do t'i lëvizte... Koeficienti nën 120 do të ishte i papranueshëm, sidomos duke e ditur ngritjen e çmimeve. Me të drejtë, mësimdhënësit presin një lëvizje në vlerën e koeficientit dhe lëvizja do të ishte, vetëm nëse vlera e koeficientit është së paku 120”- ka deklaruar ditë më para Rrahman Jasharaj për gazetën Nacionale.
Edhe Federata Sindikale e Shëndetësisë kishte kërkuar që vlera e koeficientit të jetë së paku 50% i pagës minimale që ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës.
“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, me qëllim të ruajtjes së paqes sociale dhe bashkëpunimit të ndërsjellë si dhe evitimin e masave sindikale, fton publikisht Qeverinë e Republikës së Kosovës që vlera e koeficientit, e paraparë të përcaktohet me Ligjin për ndarjet buxhetore, të mos jetë më e ulët se 50% e vlerës së pagës minimale të propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës (264 euro bruto) përmes Projektligjit për pagën minimale, i cili ka kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”- thuhej në komunikatë.
Kujtojmë se me ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve sillet nga 2 deri në 18 - më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit. Më i ulëti, ndërkaq, u takon pozitave si: rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.