Merre ose lëre: Punëtorët e Telekomit ankohen se u ndryshua oferta që ata ta lënë punën - NACIONALE

Merre ose lëre: Punëtorët e Telekomit ankohen se u ndryshua oferta që ata ta lënë punën

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Telekomi i Kosovës para disa muajve u ka bërë një ofertë interesante një pjese të punëtorëve të saj. Nëse ata do ta linin punën vullnetarisht, do të kompensoheshin me 24 paga bruto përnjëherë. Por, këta punëtorë po thonë se u mashtruan.

Është fjala për marrëveshjen për pensionim të parakohshëm si dhe marrëveshjen vullnetare për ndërprerjen e kontratës së punës me benefite.

E.H. (emër i njohur për redaksinë) ka rrëfyer për Nacionale dallaveret që po i bën Telekomi i Kosovës me punëtorët që po e lënë vullnetarisht punën në këtë ndërrmarrje publike.

Sipas E.H., tash ka ndryshuar kontrata dhe nuk është e njëjtë siç ishin njoftuar para dy muajve, ku thuhej se nëse pranojnë ta lënë punën vullnetarisht, do të kompenzohen me paga për 24 muaj dhe ato do t’i pranojnë të gjitha përnjëherë.

Mirëpo, kjo nuk shkruan askund në kontratat që u janë ofruar punëtorëve të Telekomit. Përveç kësaj, as data kur do të bëhet kompenzimi i tyre nuk është paraparë në kontratën që na ka dërguar ky punëtor.

“Telekomi i Kosovës u ka ofruar një pako punëtorëve, ku ka thënë që nëse do ta ndërprisnin kontratën vullnetarisht, do të merrnin një pagë për dy vjet përnjëherë. Edhe tash në kontrata që u kanë ofruar punëtorëve, kurrkund nuk ceket që palët kanë me u kompenzu përnjëherë për dy vjet dhe kurrkund nuk ceket data e ekzekutimit të mjeteve, veç jau kanë ba “take it or leave it”. D.m.th, ky është mashtrim klasik i këtyre, qeverisë, a çka me thanë”, ka thënë një punëtor i Telekomit të Kosovës.

Ndërkohë, në kontratën e Telekomit, në neni 2 të saj, thuhet se ata do të kompenzohen por nuk specifikohet se kompenzimi do të bëhet përnjëherë, e as data se kur do të bëhet.

Sipas nenit 2 “me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, punëdhënësi pajtohet që të punësuarit/es, me rastin e ndërprerjes së kontratës së punës/Marrëdhënies së Punës, t’i kompensojë shumën e pagesës bruto. Kjo shumë është kalkuluar duke marrë për bazë pagën bruto, sipas kontratës aktuale të punës të të punësuarit, e shumëzuar me 24 muaj”.

Më tej, sipas nenit 6 të kësaj marrëveshjeje, Telekomi i Kosovës i obligon ish-të punësuarit që të mos iniciojnë padi ndaj kësaj ndërmarrjeje.

“Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje i/e punësuari/a garanton që nuk ka ndonjë pretendim apo kërkesë të çfarëdo natyre nga marrëdhënia e punës ndaj Telekomit të Kosovës sh.a. dhe nuk do të përdorë asnjë mjet juridik për asnjë lloj pretendimi në organet kompetente kundrejt Telekomit të Kosovës sh.a.”, thuhet në marrëveshje.

Në provuam të marrim një përgjigje nga Telekomi i Kosovës, konkretisht nga kryeshefja ekzekutive, Burbuqe Hana, mirëpo ajo nuk ka qenë e qasshme deri në publikimin e këtij shkrimi.

Çka thoshte njoftimi i Telekomit muaj më parë?

Punëtorët e Telekomit të Kosovës më 25 mars 2022 ishin njoftuar përmes një email-i ku atyre u bëhej ofertë për marrëveshje me kompaninë.

Oferta mbantet titullin ‘Ofertë me pako vullnetare për punëtorët’, e cila parashihte që të punësuarve në këtë kompani t’u ofroheshin dy mundësi për të lënë punën.

Oferta ishte pensionim i parakohëshëm dhe marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës.

“a) Pensionimi i parakohshëm për personat të cilët/at dalin në pensionim gjatë viteve kalendarike 2023, 2024, 2025 dhe 2026;

b) Marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës së punës me benifitet e përcaktuara për punëtorin/en”, thuhej në ofertën e Telekomit.

Nga mundësia e parë, kuptohet se ata që firmosin për t’u pensionuar para kohe do të përfitojnë 60 për qind të pagës aktuale bruto për periudhën e mbetur deri në pensionim.

Ndërsa punëtorët e Telekomit që vullnetarisht ndërpresin marrëdhënien e punës, do t’i marrin 24 paga bruto përnjëherë, gjë që kjo tani nuk po ndodh.

Në anën tjetër, Qeveria Kurti kishte thënë se Telekomi i Kosovës do ta ketë vëmendjen e Qeverisë duke e përkrahur në ndaljen e keqpërdorimeve.

“U ritheksua zotimi i Qeverisë për t’i përkrahur ndërmarrjet publike, dhe në veçanti Telekomin e Kosovës, duke pasur pritje të larta nga bordet e reja dhe strukturat e reja menaxheriale, në veçanti për vënie të ligjshmërisë e ndaljes së keqpërdorimeve, që i kanë karakterizuar ndërmarrjet në të kaluarën, ngritjes së performancës dhe të konkurrueshmërisë, si dhe uljes së shpenzimeve operative”, thuhet në njofitmin e Zyrës së Kryeministrit pas vizitës së Kurtit në këtë ndërmarrje.

Ndryshe kjo ofertë është bërë për shkak të krizës financiare në këtë kompani dhe deri më tani shumë punëtorë po lajmërohen për të shkëputur marrëveshjen e punës me Telekomin e Kosovës.

Lajme të ngjashme