Menjëherë anomalia e parë nga vizita e Sorensen-it, Osmani jep 'vërejtjet' për draft-Statutin 'jo-dokument' të Asociacionit - NACIONALE

Menjëherë anomalia e parë nga vizita e Sorensen-it, Osmani jep 'vërejtjet' për draft-Statutin 'jo-dokument' të Asociacionit

1 muaj më parë

nga NACIONALE

“Fillim i mirë”, ishte krejt çka mundi të thotë në vizitën e parë në vend, emisari i ri i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.

U rezervua dhe pezulloi të dhënit vlerësime të mëtejme nga bisedimet me krerë të shtetit – tha se shkon në Beograd për të kompletuar vështrimet.

Pasi t’i kem bërë këto bisedime mund të ulem dhe të bëjë vlerësime se ku jemi”.

U pyet për “kompromise” nga palët – dhe, në shprehje lakonike, tha se “këtë e përcaktojnë palët” e jo ai si ndërmjetës – duke i qëndruar asaj se në vizitën e tij të parës pati thjesht “takim njoftues”.

Nga ekzekutivi nuk u deklaruan për media rreth takimit – ku takimet patën Albin Kurti dhe Besnik Bislimi. Kurti u largua nga ndërtesa e qeverisë pa u ndalur në deklarim për media për të ndarë përmbajtje nga bisedime.

Por, nga Presidenca e Kosovës, njoftuan në gjerësi se për çka u fol.

Mes tyre, u tha se Vjosa Osmani, i ka paraqitur “vërejtjet” për draft-Statutin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe.

Anomalia? Qeveria e Kosovës këtë dokument tash e quan “non-paper”, “jo-dokument” e “dokument pa autor” – e që rrjedhimisht, po t’i besohet qëndrimit të qeverisë, Presidenca nuk do të duhej të mundtte të paraqiste vërejtje për një dokument juridikisht joekzistues.

“Në takim me z. Sørensen, Presidentja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje të cilat duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca e Kosovës.

Osmani ka kërkuar zbatim të plotë dhe të balancuar të Marrëveshjes Bazike/Ohrit, sërish duke rënë në anomali me atë që Qeveria e Kosovës ka muaj që si parakusht për zbatim në rend të parë.

Tërheqje të një letre të Ana Brnabiq, nënshkrimi bilateral si dhe ekstradimi i Milan Radojçiqit – parakushte këto me të cilat Albin Kurti pati dalë nga takimi i fundit i Nivelit të Lartë në Bruksel.

Osmani tutje kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj vendit – të vendosura tash e gati dy vite më parë, që nga çështja e instalimit të kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

“Kosova është dëshmuar tashmë si palë konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balansin e nevojshëm në dialog”, tha Vjosa Osmani.

Adresimi i shkurtër i Sorensen

“Fillim të mirë” e quajti vizitën e tij të parë dhe bisedimet me krerët shtetërorë kosovarë, emisari i ri evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.

Pas këtyre takimeve, Sorensen tha se shkon në Beograd – dhe se, vetëm pastaj, “ulem dhe i bëj vlerësimet”.

“Ishte një takim hyrës dhe patëm bisedime se si procesi mund të vazhdojë dhe të lëviz para. Dhe si i tillë, ishte fillim i mirë. Qëllimi është që procesin të vazhdojë dhe të lëvizim para”, tha Sorensen para gazetarëve.

“Tash qëllimi është që të flas me njerëz...do të shkojë edhe në Beograd. Dhe pasi t’i kem bërë këto bisedime mund të ulem dhe të bëjë vlerësime se ku jemi”, tha ai.

Lajme të ngjashme