"Më të dëgjueshëm dhe të kontrollueshëm”: Shala reagon për funksionet me ushtrues detyre në ministri të Infrastrukturës - NACIONALE

"Më të dëgjueshëm dhe të kontrollueshëm”: Shala reagon për funksionet me ushtrues detyre në ministri të Infrastrukturës

3 javë më parë

nga NACIONALE

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka reaguar ndaj Ministrisë së Infrastrukturës, duke thënë se kjo ministri ka pozita të larat më ushtrues detyre.

Ai ka thënë se Qeveria po funksionon me ushtrues detyre pasi ka ndikim tek të emëruarit.

Pse ndodh kjo?! – Arsyeja e vetme është që ata të jenë më të “dëgjueshëm dhe të kontrollueshëm”, dhe rasti më ilustrativ për dëgjueshmërinë së tyre, është afera tashmë publike e Ambalazhuesve të Ujit.” – ka shkruar ai në Facebook.

Shkrimi i tij:

Funksionet me Ushtrues Detyre - Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

Kjo Ministri, por jo e vetmja, nga sot praktikisht ka dhjetra sektorë dhe departamente, pozita drejtorësh e agjencionesh, që janë jo funksionale.

Çdo vendimmarrje brenda këtyre institucioneve që mbajnë pozita “ushtrues detyre”, përkatësisht zëvendësues, nga sot janë krejt të paligjshme, sepse këtë e thotë Ligji NR.08/L-197 Për Zyrtarët Publik, Kapitulli III, Neni 35, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi tash e një vit.

Është e habitshme se si një Qeveri e tërë punon jashtligjshëm, e vendimet e kësaj Qeverie nga sot për të gjitha pozitat e lartcekura, janë të pavlefshme.

Për ta ilustruar këtë shembull të keqqeverisjes apo paaftësisë qeverisëse, më lejoni të ju permend një listë të “ushtruesve” në këtë Qeveri, përkatësisht në këtë Ministri:

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë, ushtrues detyre,

Drejtori i Agjencisë së Mjedisit, ushtrues detyre,

Drejtori i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, ushtrues detyre,

Drejtori i Departamentit të Mjedisit, ushtrues detyre,

Drejtori i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, ushtrues detyre,

Drejtori i Departamentit për Integrime Evropiane, ushtrues detyre.

Shihni edhe një fakt të çuditshëm; në pozita shumë të larta, ka raste kur një zyrtar ka ushtruar pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, pas një periudhe ka kaluar ushtrues detyre në Agjenci të Mjedisit, pastaj pas një periudhe tjetër prap është kthyer ushtrues detyre i sekretarit. Pra, kemi të bejme me ushtrues të shumëfisht, “ushtrues të ushtruesve” e manipulime të tilla.

Për më keq, ka pozita ku “ushtruesi” është emëruar kundërligjshëm, duke kapërcyer shume “shkallë” nga pozita e zyrtarit, në ushtrues detyre i Drejtorit të Departamentit.

Pse ndodh kjo?! – Arsyeja e vetme është që ata të jenë më të “dëgjueshëm dhe të kontrollueshëm”, dhe rasti më ilustrativ për dëgjueshmërinë së tyre, është afera tashmë publike e Ambalazhuesve të Ujit.

Lajme të ngjashme