Me shtalba, para për Kartonin e Gjelbër e takime në “Ballkonin e Hapur”, si po "flirton" Kurti me diasporën? - NACIONALE

Me shtalba, para për Kartonin e Gjelbër e takime në “Ballkonin e Hapur”, si po "flirton" Kurti me diasporën?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti dje ndau kohën e tij për një takim paksa të çuditshëm. Ai zgjodhi të takojë mërgimtarët në Jezerc të Ferizaj, ku Lëvizja Vetëvendosje organizoi “Ndejën e Shtalbave”. Pas pritjes në aeroportin e Prishtinës e takimit në atë që u quajt “Ballkoni i Hapur”, Kurti vendosi të hajë shtalba bashkë me pjesëmarrësit nga diaspora.

Natyrisht, aty nuk munguan as deputetët e LVV-së, e ministra të Qeverisë Kurti, s’i bie fjala ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Kurti tashmë po “flirton” me mërimgtarët, të cilët janë një bazen i madh elektoral, shkruan gazeta Nacionale.

Grupi

Kurti në aksion

Kryeministri Kurti, pa asnjë dyshim, është politikani më i popullarizuar në diasporë. Një gjë e tillë, u pa nga përkrahja e madhe që ata i dhanë shefit të LVV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga kryeministri aktual Albin Kurti kishte marrë mbi 44 mijë vota, duke u bërë partia absolutisht më e votuara në diasporë.

E duket se Kurti tashmë po përpiqet ta mirëmbajë popullaritetin e tij në diasporë. Në muajt e verës, kur mërgimtarët vijnë në masë në Kosovë, Kurti ka përzgjedhur disa metoda për t’i takuar përkrahësit e tij.

Nisma e parë ishte mbulimi i shpenzimeve të mërgimtarëve për polisat e sigurimit apo ajo që ndryshe njihet si Kartoni i Gjelbër.

Qeveria e Kosovës, me datë 4 korrik, mori vendim për t’iu paguar Kartonin e Gjelbër mërgimtarëve, që do të zbarkojnë në vendlindjen e tyre përgjatë pushimeve verore.

Po ashtu, Qeveria Kurti u mundësoi të kryejnë praktikën të rinjve nga diaspora në Ministrinë e Punëve të Jashtme që udhëhiqet nga ministrja Donika Gërvalla.

Ndërsa, një qasje tjetër ndaj mërgimtarëve ishte pritja që Kurti u bëri javë më parë në aeroport mërgimtarëve.

“Lufta” për votat e diasporë e shtyri Kurtin të luaj edhe rolin e mikëpritësit për diasporën në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës.

Gjatë muajit të kaluar, Kurti doli në aeroportin “Adem Jashari” për të mirëpritur mërgimtarët që vinin nga vende të ndryshme.

Kryeministrit Kurti u pa i buzëqeshur, shumë i afërt me ta, e krejt pa protokoll gjatë qëndrimit në aeroport.

Madje, ai nuk ngurroi t’ua shpjegonte edhe ofertat e Valës për mërgimtarët.

Natyrisht, nuk munguan kërkesat e shumta, gati të pafundme, nga mërgimarët për një fotografi me Kurtin, i cili nuk refuzonte asnjë person.

Shtalba, fotografi e muhabet

Një takim me mërgimtarët, Kurti e pati edhe dje. Një organizim me një titulll të çuditshëm “Ndeja e shtalbave”, e pati për mysafir edhe shefin e ekzekutivit.

Shumë fotografi e muhabeti u shkëmbyen në këtë takim. Mërgimtarët i kërkuan vazhdimisht fotografi Kurtit, teksa ky i fundit e mbajti edhe një fjalim.

E aty, Kurti pati një "ankesë" dhe një kërkesë.

“Për shkak të fotografive dhe të këtij fjali tash, meta e pa hangër shtalbin. Mos ma merrni, qaj që është n’ngjystë qaty është i jemi në qatë ulësen prej kashte të kryeministrit”, tha Kurti me shaka, e cila shaka u përcollë me duartrokitje.

Krahas falëndërimit, Kurti u kërkoi përkrahjen edhe më tutje të partisë që ai e udhëheq.

“Ballkoni i hapur”

Javën që po shkon, Kurti e nisi edhe një iniciativë të cilën e emërtoi si “Ballkoni i Hapur”.

Në ballkonin e Qeverisë, ai priti disa pjesëtarë të diasporës, e cila plato do të vazhdojë të përdoret edhe për takime të tjera.

Në këtë takim, Kurti pati fjalë të mëdha për diasporën, duke theksuar se ajo kontrbon në ndërtimin e imazhit të Kosovës.

Përveç kësaj, Kurti foli edhe për remitencat që i dërgon diaspora në Kosovë.

“Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në kanale zyrtare bashkatdhetarët tanë në 5 vitet e fundit kanë sjellë më shumë se sa 6 miliardë euro. Prej këtyre më shumë se 6 miliardë euro, ¾ janë remitanca, dërgesa për familjet, miqtë, dashamirët, ndërkaq ¼ janë investime në ekonominë tonë. Për shkak se ekonomia jonë po rritet, për shkak se korrupsioni po luftohet, për shkak se optimizmi i qytetarëve të Republikës është për të investuar dhe për të riinvestuar, ne kësaj radhe nuk e thërrasim mërgatën tonë që të kthehet për të kontribuar duke sakrifikuar, por që të kthehet për të fituar duke investuar”, tha Kurti.

Siç ka shkruar kohë më parë Nacionale, diaspora e madhe kosovare është një basen i madh votash për partitë politike. Fuqia e asaj elektorale u pa qartësisht në zgjedhjet e fundit të përgjithshme. Në zgjedhjet parlamentare votuan hiç më pak se mbi 56 mijë persona nga diaspora, e shumica prej tyre zgjodhën të përkrahin Lëvizjen Vetëvendosje.

Një gjë e tillë, u ka hapur sytë partive opozitare, të cilat tashmë kanë filluar riorganizimin e tyre në diasporë, gjersa Albin Kurti, në cilësinë e kryeministrit, disa ditë më parë doli në aeroport, duke i mirëpritur bashkëatdhetarët nga diaspora.

Një gjë dihet sigurt, të gjitha partitë në Kosovë po lakmojnë votat e mërgimtarëve.

Lajme të ngjashme