Marrëdhënie e ndërlikuar e Vjosa Osmanit me Marrëveshjen Bazë, mes pakënaqësisë dhe përshëndetjes - NACIONALE

Marrëdhënie e ndërlikuar e Vjosa Osmanit me Marrëveshjen Bazë, mes pakënaqësisë dhe përshëndetjes

11 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Fjalët nuk i dolën pothuajse fare dhe nuk iu dëgjuan thuajse hiç. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbetur e përhumbur muajve të fundit në raport me Marrëveshjen e Ohrit për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë përhumbje të saj nuk është se nuk ka dhënë pulse pakënaqësie. Më së shumti kur në një intervistë për “The Sun” e quajti “absolutisht zhgënjyese” faktin se në këtë marrëveshje nuk ka njohje të ndërsjellë. Osmani ka thënë edhe se Marrëveshja fjalën e përfundimtare e gjen në parime të miratuara në Kuvend të Kosovës; as kjo s’i doli parashikim i sakt. Po ashtu Neni 7 e kishte brengosur si “koncesion jo i lehtë”. T’u hymë me rend.

Ishte takimi trilateral i 27 shkurtit – i vlerësuar si historik – kur Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kishte njoftuar se “kemi ujdi” dhe teksti i marrëveshjes ishte botuar në uebsajt zyrtar të BE’së. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishin arritur marrëveshje. Mirëpo, nga presidenca gëzim s’kishte. Vetëm një përshëndetje e zbehtë; ndonëse paramendohet të ketë bashkërendim të qëndrimeve mes qeverisë dhe presidences.

Menjëherë të nesërmen, kishte ardhur një reagim, jo në formën e shkruar vetiu, por në formën e përgjigjeve ndaj pyetjeve të mediave. Zëdhënësi për media i presidences, Bekim Kupina, kishte përçuar një mesazh në emër të Vjosa Osmanit. Mesazh ky me rezereva tejet të mëdha. “Janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta”. Kështu dukej një përgjigje hiç entuziaste për marrëveshjen e cila supozohej të ishte hap historik.

Çka ishte “jo e lehtë”? Presidenca e kishte ndërmend Nenin 7 të marrëveshjes ku parashihej sigurimi “i një niveli adekuat vetëmenaxhimi për komunitetin serb të Kosovës”. Këtu Vjosa Osmani kishte dilema; thoshte se nuk kishte qartësi.

Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, thuhej më tej në deklaratën e Presidencë.

Për t’i kontribuar edhe më shumë heshtjes së Osmanit ishte një reagim i ish-shefit politik të saj, Isa Mustafa. Ky i fundit i kishte shtruar disa pyetje presidentes, për të cilën thonte se ia mban vetes për “juriste të fortë”. Ç

A është kjo në harmoni me Kushtetutën; a parasheh Kushtetuta e Kosovës të drejta asimetrike për komunitetet, që serbet të kenë të drejta kolektive të vet-menaxhimit, kurse komunitetet e tjera jo?”, kishte shkruar Mustafa në Facebook-un e tij. Vetëmenaxhimi, thoshte ai, është diçka krejt përtej Asociacionit. “Menaxhimi përfshin planifikimin, organizimin, personelin, drejtimin (udhëheqjen) dhe kontrollin. Pra kompetenca ekzekutive”.

Mirëpo Osmani ende ishte shpresëdhënëse që Neni 7 nuk duhej të shihej ashtu siç ishte, por se duhet parë si do të shpalohen implikimet e saj. “Sepse neni 7 do të zbërthehet tani në aneksin e zbatimit dhe në qoftë se do të përbën rrezik a po jo varet nga ne. Varet se si zbërthehen obligimet e nenit 7”, pati thënë ajo më pas për gazetarë.

Pse? Sepse pas bisedimeve maratonëshe të Ohrit doli që Kosova zotohet “të nis menjëherë – dhe kur them menjëherë them menjëherë – zbatimin e Nenit 7 (Josep Borrell, 17 mars)”. Sekuencimi doli të jetë që Neni 7 është edhe “nisësi” i zbatimit të Marrëveshjes”, sipas ShBA’së dhe BE’së.

Po ashtu Vjosa Osmani do të ishte tepër pak e informuar mbi mënyrën e bërjes së marrëveshjes. Në një takim më 9 mars me ndërmjetësin sllovak të BE’së, Miroslav Lajçak, këtij të fundit i kishte thënë se fjalën e fundit për parimet e miratuara në Aneksin e Zbatimit do ta ketë Kuvendi i Kosovës, përkatësisht parimet e miratuara në të. Marrëveshja u bë pa nënshkrim dhe me miratim verbal.

Zhgënjimi “absolut” i saj me Marrëveshjen

Në këtë marrëveshje të cilën pati investim të madh ndërkombëtar dhe u proklamua për historike, Vjosa Osmani kishte një pakënaqësi të madhe. “Është absolutisht zhgënjyese që s’ka njohje të ndërsjellë”, i pati thënë ajo gazetës angleze “The Sun”.

Jemi absolutisht të zhgënjyer që njohja reciproke nuk u përfshi në mënyrë eksplicite në këtë marrëveshje, sepse kjo është mënyra e vetme që mund të sjell paqe dhe stabilitet jetëgjatë në rajon”, ka thënë ajo.

Serbia duhet të vijë në një pikë ku ata duhet ta kuptojnë që realiteti i Kosovës si një shtet i pavarur dhe Sovran është realitet që do të ekzistojë gjithmonë, ne nuk do të kthehemi pas, kjo nuk do të ndryshojë”, ka deklaruar ajo.

Qëndrimi i dikurshëm (nëse s’ka ndryshuar) i Osmanit për Asociacionit

Për Vjosa Osmanin çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me komptenca ekzekutive ose si një shtresë e tretë ose e ndërmjetme e pushtetit, ka herë ka qenë objekt kundërshtimi.

Por, sipas saj, nëse ajo formohet si një OJQ, atëherë ajo do të kishte qenë edhe e bëshme. “Komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ”, thoshte ajo në tetorë të vitit të kaluar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ne i obligohemi kushtetutës sonë”, shprehej Osmani teksa thirrej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e cila kishte gjetur plot 23 nene në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata lejon që të formohen asociacione pa kompetenca ekzekutive, që nuk janë njëetnike. Pra, janë bashkim komunash, që bashkohen për çështje të caktuara ose agjenda të caktuara dhe lobojnë për to tek institucionet qendrore”.

Por, në qoftë se dikush kërkon kompetenca ekzekutive, kërkon që të shkojë përtej Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, natyrisht që gjëra të tilla nuk lejohen dhe ne nuk mund të shkojmë përtej Kushtetutës sonë”, shprehej e sigurt Osmani.

Lajme të ngjashme