Lushaku-Sadriu: Mësimi tërëditor lehtësisht i realizueshëm, 200 milionë do të dedikohen vetëm për Prishtinën - NACIONALE

Lushaku-Sadriu: Mësimi tërëditor lehtësisht i realizueshëm, 200 milionë do të dedikohen vetëm për Prishtinën

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar programin për mësimin tërëditor gjatë një interviste në emisionin Pressing në T7, ku ka theksuar se kjo reformë është lehtësisht e realizueshme.

“Mësimi tërëditor është i realizueshëm. Ne jemi zotuar për Prishtinën me 200 milionë euro ekstra vetëm për mësimin tërëditor. Të garantoj që mësimi tërëditor për katër vitet e ardhshme do të realizohet në të gjitha shkollat e Prishtinës, kjo është lehtësisht e mundshme,”
ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

Ajo ka theksuar se infrastruktura shkollore është një element kyç për realizimin e kësaj reforme. “Pa e ndërtuar aspektin logjistik, nuk mund të flasim për cilësi. Pa shkolla të mira, pa ndarjen në cikle, është vështirë e realizueshme,” ka shtuar ajo.

Sipas saj, për të garantuar suksesin e reformës, është e rëndësishme ngritja e cilësisë së arsimit. “Sot ne kërkojmë votë duke iu premtuar njerëzve dhe përgjegjësia është e jona. Mësimi tërëditor realizohet kur cilësia e arsimit rritet,” ka potencuar Lushaku-Sadriu.

Një nga pikat kryesore të programit të saj për arsimin është edhe motivimi i mësimdhënësve përmes rritjes së pagave dhe trajnimeve shtesë. “Motiv për mësimdhënësit do të jetë rritja e pagave, pastaj trajnimet shtesë që ne do t’i mundësojmë, në mënyrë që sa më shumë trajnime të kenë, të rritet performanca e tyre dhe paga. Nuk është e njëjtë për një mësues që ka 10 trajnime dhe një që ka vetëm një trajnim, të kenë të njëjtën pagë,”
ka përfunduar ajo.

Jehona Lushaku-Sadriu ka numrin 9 në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lajme të ngjashme