“Le të shkrihet në Guxo”; “po viktimizohet”: Mosvotimi i rezolutës për ish-krerët e UÇK-së ka nxitur reagime të ashpra kundër LDK-së
Veprimi i mbrëmshëm i LDK-së për të mos e përkrahur rezolutën për ish-krerët e UÇK-së ka nxitur reagime të mëdha kundër kësaj partie.
Ndonëse kjo rezolutë, e cila u përkrah nga 90 deputetë, ishte një thirrje për respektim të të drejtave të njeriut në procesin kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, LDK-ja vendosi kushte për përkrahjen e saj.
Politikanë dhe njohës të rrethanave politike në vend këtë veprim e kanë parë të paarsyeshëm.
Ata kanë bërë me dje se mosvotimi i kësaj rezolute është tendencë e LDK-së për t`u viktimizuar.
Ish-deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka bërë me dije se për qëllime politike të liderit të LDK-së kjo parti nuk e ka përkrahur rezolutën në fjalë.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se Abdixhiku përmes mosvotimit të rezolutës për procesin në Hagë po shpreson sadopak rikthim politik përmes viktimizimit.
“Në krye të LDK-së është një politikan i dobët, frikacak dhe i zhveshur nga guximi moral. Lumiri përmes mosvotimit të rezolutës për procesin në Hagë po shpreson sadopak rikthim politik përmes viktimizimit (pasi e rrudhi partinë në 13% dhe nëse mbetet në krye të saj do ta zhduk krejt). Mosvotimi i rezolutës ishte gabim i madh, sepse përmes Hagës po dëmtohet shtetësia e Kosovës. Marre”, ka shkruar ai, duke thënë se LDK-ja kur ka qenënë pushtet nuk ka bërë asgjë për vrasjet politike të pasluftës.
“Ndërsa, LDK sa ishte në pushtet ska bërë asgjë për vrasjet e pasluftës. Ldk madje ka pasur Ministrinë e Drejtësisë dhe asnjë veprim se ka marrë për ato vrasje. ...andaj, kot mundohesh me u viktimizu në 2026-tën. Rezoluta nuk merret me emra e me detale. Rezoluta kërkon vetëm respektimin e standardeve të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut. As më shumë, as më pak”, ka shkruar ai.
Edhe Ish-deputeti i Nismës, Zafir Berisha, mendon se veprimi i LDK-së kishte qëllime politike.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo tendencë e LDK-së është e rrezikshme.
“Mosvotimi në Kuvend i rezolutës për krerët e UÇK-së në Hagë nga LDK, me pretekstin se nuk janë përfshirë “vrasjet politike”, është simptomë e qartë se Kosova po përgatitet të shkojë sërish në zgjedhje. Qëndrimet e fundit të LDK-së për ta aktualizuar edhe njëherë temën e vrasjeve “politike” janë shenjë e një tendence të rrezikshme për rikthim në shtratin e propagandës serbe, të cilën për një kohë ia kishte marrë binomi Vjosa–Albin”, ka shkruar ai.
Kurse, analisti politik Petrit Zogaj ka vlerësur se me këtë veprim LDK-ja ka humbur shumë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në këtë mënyrë kjo parti po i ngjan partisë Guxo të Donika Gërvallës.
“Nuk është ide bash e keqe që LDK me u shkri ne Guxo. Përndryshe, do të mbetej sikur Limaj e Nisma duke kërku mëshirë në PDK. Sa ende s’është bërë vone, se pastaj as me pranu me u shkri Guxo s’i merr me”, ka shkruar ai.
Çka tha LDK-ja?
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi nuk e votuan rezolutën për Gjykatën Speciale.
Përmes një deklarate për media, LDK-ja ka vlerësuar se refuzimi për ta shtuar në rezolutë fjalinë e vrasjeve të pasluftës, bëri që ata të mos votojnë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës beson se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive. LDK e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës. Kjo është vlerë themelore e shtetit ligjor dhe e orientimit euro-atlantik të Republikës sonë”, është thënë në deklaratën e LDK-së, duke shtuar se drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar.
“Megjithatë, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivoke edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike. Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës. Refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e bëri Rezolutën të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh. Përballë kësaj, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk pranon të legjitimojë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë”, është thënë në dekleratë, duke insistuar në qëndrimin e tyre.
“Ky qëndrim është aktiv dhe parimor. LDK nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë. Nuk relativizon historinë, por refuzon instrumentalizimin e saj politik. Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat; procese të drejta dhe të paanshme; dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, jo ta përzgjedhë atë”, ka vlerësuar LDK-ja.
Brenda ditës së djeshme, dy rezoluta janë miratuan në mbrojtje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Njëra prej tyre u miratua në Kosovë, e tjetra në Shqipëri.
Kuvendte e të dy shteteve kanë bërë thirrje për respektimin e të drejtave të njeriut në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili që disa vite po zhvillohet në Hagë.
Përderisa në Shqipëri nuk pati asnjë votë kundër, në Kosovë kundër votoi Fatos Geci i partisë Guxo. Kurse, Lista Serbe dhe LDK-ja nuk morën pjesë në proces të votimit.