LDK shpall “mur të palëvizshëm” ndaj ofertës së VV-së, Konjufca me një mijë e një arsyetime përzbutëse - NACIONALE

LDK shpall “mur të palëvizshëm” ndaj ofertës së VV-së, Konjufca me një mijë e një arsyetime përzbutëse

1 vit më parë

nga NACIONALE

  • "Hendek të madh me Vetëvendosjen...të shndërruar në mur...qëndrimet e LDK-së të njëjta".

Përmbledhtazi kjo ishte çka LDK-ja iu përgjigj Vetëvendosjes, pas ftesës së djeshme në adresë të Lumir Abdixhikut nga Albin Kurtit.

Doarsa Kica-Xhelili ia ktheu mbrapsht Konjufcës ‘ofertën’ e sotme ndaj LDK-së.

T’i hymë me rend.

U pranua përfundisht, me zë dhe figurë, që Vetëvendosja e ka objektivisht të pamundur të bëjë qeverinë e vetme – Glauk Konjufca, e shpalli të kryer këtë prospekt edhe një javë që nga kur duhet të themelohet Kuvendi i Kosovës.

Vetëvendosjes do t’i duhet koalicion më i madh: rrjedhimisht adresa ishte LDK-ja “e privilegjuar”, tha ai, për Vetëvendosjen.

Zgjohesh një ditë në mëngjes...rezultatet...qëndrimet i modifikon rrugës”, arsyetoi Glauk Konjufca se pse LDK-ja ishte ajo që u ftua.

Dhe atë, një LDK që Vetëvendosja s’ka lënë institucion pa shterrur për t’ia sfiduar rezultatin zgjedhor, përkatësisht votat me postë të diasporës.

Akuzat për “vjedhje”, “krim zgjedhor”, “manipulim votash”, Vetëvendosja i ka dhënë thuajse për fakt të kryer për çka LDK-ja duhet të jep “përgjegjësi penale dhe politike”.

Por, mënjanë kësaj, megjithatë edhe koalicionim me ta.

“Qeveria është e pamundshme pa e themelu një koalicion, që krijon mazhorancën e aftë me 61 vota, për ta themeluar qeverinë e ri”, tha Glauk Konjufca.

“(Vetëvendosja) ka pas një qëllim dhe nuk e ka mbërritur atë. E pastaj e modifikon rrugës. S’është mëkat kjo në demokraci. E vendos një qëllim – nuk e kemi arritur. S’i kemi arritur qëllimet dhe tash jemi në skenarin B. Është rasti më normal i mundshëm”, justifikoi më tej ai.

Kjo, sipas Konjufcës, ishte konkluzion i “zgjimit në mëngjes” dhe të parit se s’ka numra.

Megjithatë, ende pa zbardhur ai mëngjes, mbrëmjen e zgjedhjeve kur rezultatet diheshit, Albin Kurti kryetar i Vetëvendosjes, i shpalli opozitën kolektivisht “hajvanë”.

Kica-Xhelili e LDK-së, pas njëzet minutash, i shqiptoi “Jo”-në Konjufcës.

“Në qoftë se një parti politike e ka shfaqur sheshit një hendek shumë të madh me VV-në, hendek i cili u shndërrua më pas në mur të palëvizshëm pas zgjedhjeve jo vetëm për shkak të diskursit të kryeministrit të vendit, por në përgjithësi për shkak të mënyrës se si ka qeverisur në katër vite”, tha Kica-Xhelili.

“Prandaj vlerësoj se megjithëse kemi përsëritur, për mendimin tim mjaftueshëm gjatë, qëndrimin e LDK-së, e kuptoj dhe mirëkuptoj pyetjen tuaj meqë natyrshëm këto ditë po vërejmë shumë lëvizje të qëndrimeve të akterëve të ndryshëm të lidershipit të Qeverisë”, tha ajo.

Si para, si pas zgjedhjeve – siguroi ajo – LDK mbetet ku ka qenë.

Edhe Hykmete Bajrami ia rrëzoi “urtimin” Konjufcës, duke ia rilexuar qëndrimet e Vetëvendosjes ndaj LDK-së por edhe opozitës si tërësi.

“Hipokrizi në maksimum”, shkroi Bajrami.

“Konjufca, i pyetur nga gazetarët për fjalët "hajvanë" dhe "hajvanat", u justifikua se ishte "gjuhë fushate". Tha: "Normal, qohesh një mëngjes, e sheh që s’i ke numrat, dhe e ndryshon qasje."

Por Konjufca ''harroj'' që termat "hajvan" dhe "hajvanat" janë përdorur pasi janë shpallur rezultatet preliminare, pra në dritën e numrave, edhepse këta terma janë të papranushëm kurdo që thuhen.

Qasjen, Albin Kurti e ka ndryshuar vetëm kur e kuptoi që nuk i del matematika pa votën e Adem Hoxhës, alias Listës Serbe”, shkroi ajo.

Një mbledhje javore e LDK-së mbahet sot, përkatësisht e Nënkryetarëve, ku mes tjerash pritet të diskutohet dhe të dilet me qëndrim edhe ndaj ftesës së Albin Kurtit të dërguar Abdixhikut.

Nga ç’kanë thënë deri tash, LDK nuk ka dhënë asnjë indikacion se do t’i përgjigen Albin Kurtit.

Lajme të ngjashme