Lajçak: Përparimi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, varet pas zgjedhjeve në Kosovë - NACIONALE

Lajçak: Përparimi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, varet pas zgjedhjeve në Kosovë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nuk pret zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit para zgjedhjeve në Kosovë. Lajçak theksoi nevojën urgjente për zgjidhjen e dialogut të vazhdueshëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ai ka paralajmëruar se pa adresuar këtë çështje, mund të rrezikohet integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke prekur jo vetëm Serbinë dhe Kosovën, por të gjithë rajonin.

I dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, gjatë konferencës rajonale të sigurisë GLOBSEC në Pragë, ka folur për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se nëse nuk zgjidhet kjo çështje, atëherë nuk mund të ketë integrim të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Nëse nuk e zgjidhim çështjen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, mund të harrojmë integrimin e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm të Serbisë dhe Kosovës. Mendoj se arritëm të bëjmë më të mirën e mundshme me marrëveshjen për normalizim që u miratua vitin e kaluar në Ohër, por ajo nuk u zbatua kurrë.” – ka thënë ai.

I dërguar i BE-së ka cituar edhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili në një deklaratë të bërë në Beograd tha se: “rruga është e hapur dhe se ajo është Marrëveshja e Ohrit”.

“Dua të citoj presidentin Macron i cili ditë më parë në Beograd tha se rruga është e hapur dhe rruga quhet Marrëveshja e Ohrit. Ajo që mungon është vullneti politik dhe përgatitja e dy shoqërive për të avancuar në këtë rrugë.” – ka thënë Lajçak.

Ai përmendi zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë në shkurt, duke paralajmëruar se do të ishte naive të priten ndryshime të rëndësishme para zgjedhjeve.

Lajçak pret të shoh ndryshim për zbatimin të marrëveshjes pas zgjedhjeve në Kosovë.

“Megjithatë, mungon vullneti politik dhe shoqëria nuk është e gatshme për këtë. Përveç kësaj, në shkurt do të kemi zgjedhje parlamentare në Kosovë, prandaj është naive të presim një kthesë para zgjedhjeve. Por ne duhet të shohim një ndryshim të rëndësishëm në zbatim menjëherë pas zgjedhjeve.” – ka thënë ai.

Ndërkohë, ditë më parë Lajçak ka folur edhe për akuzat e Kosovës ndaj tij për qëndrim të njëanshëm.

Lajçaku tha se “sulmet personale nuk do të ndihmojnë” dhe se “nuk janë mënyrë evropiane”.

“Unë jam mjaftueshëm gjatë në këtë punë për t’i ditur të gjitha këto lojëra. Pikë së pari, sulmet personale nuk janë mënyrë evropiane. Ne nuk e bëjmë këtë në Evropë. Duhet t’i shohësh çështjet…” – ka thënë ai në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Lajçak në këtë intervistë është pyetur edhe për sulmin në Banjskë duke thënë se nuk është bërë mjaftueshëm dhe krimineli Milan Radoijiçiq, nuk është përballur me drejtësinë.

“Qartazi nuk mund të thuhet se është bërë mjaftueshëm kur njerëzit që janë përgjegjës, duke nisur me Millan Radoiçiqin, që e ka pranuar përgjegjësinë, nuk është përballur ende me drejtësinë. Natyrisht se askush nuk mund të thotë se është bërë mjaftueshëm. E përsërisim që ai duhet të mbahet përgjegjës për atë që ka bërë” – tha ai.

Ndërkohë, ditë më parë, Lajçak është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një njoftim në Instagram, Vuçiqi ka treguar se i është ankuar Lajçakut për aksionet në veri, duke përdorur terme të ashpra për të përshkruar situatën në veri.

Lajme të ngjashme