Kurti mbetet pa një asistent? Nacionale merr vesh që Arianit Beqiri s'është më pjesë e kabinetit
E PERDITESUAR: Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka konfirmuar se Arianit Beqiri, asistent i kryeministrit Kurti, do t’i vazhdojë studimet në Romë.
Megjithatë, ai ka thënë se Beqiri do ta vazhdojë kontributin në Levizjen Vetëvendosje dhe në Zyrën e Kryeministrit.
“Pavarësisht kësaj, ai do të vazhdojë të jap kontributin e tij në Zyren e Kryeministrit sikurse edhe në Lëvizjen VETËVENDOSJE!” - ka thënë Kryeziu për Nacionale.
Arianit Beqiri, i njohur në opinionin publik si asistenti i kryeministrit Albin Kurti që shpeshherë ka bërë postime skandaloze nëpër rrjete sociale, sidomos në Twitter, duket se nuk është më pjesë e zyrës së shefit të Qeverisë.
Nacionale mëson nga burime të mirëinformuara se nga një janari, Beqiri është larguar nga Zyra e Kryeministrit.
Arsyet mbi këtë nuk janë bërë të ditura, megjithëse ka pasur zëra që Beqiri ka qenë i përfshirë në një skandal ku ishte arrestuar e më pas liruar nga Policia e Kosovës, ai mësohet të ketë dhënë arsye “studimin jashtë vendit” për largimin e tij nga pozita e deritanishme.
Nacionale ka kontaktuar me asistentin e kryeministrit Kurti, megjithatë, ai ka refuzuar të konfirmojë ose t'i demantojë zërat për largimin e tij, duke na thënë:
“Për këto mund të flasësh me Përparimin dhe/ose Arlindin.”
Kështu, Nacionale më pas ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziun, si dhe zëdhënësin e Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, por deri në këto momente, nuk kemi marrë përgjigje.
Beqiri për një kohë të gjatë ka qenë shumë aktiv në rrjetin social Twitter. Llogarinë e tij e ka shfrytëzuar kryesisht për ta lavdëruar kryeministrin Kurti ose për t’u reaguar atyre që e kritikonin. Por, vërehet se Beqiri prej muajit tetor nuk është aktiv me postime në llogarinë e tij.
Kush është Arianit Beqiri?
Në disa të dhëna online, Beqiri ka deklaruar se është artist dhe asistent i kryeministrit.
“Si artist deri tani i kam katër ekspozita, tri prej tyre janë personale dhe një në grup. Punën artistike e vazhdoj ende duke u përgatitur edhe për ekspozita të tjera, kurse si asistent kam qenë pjesë e kabinetit Kurti 1 dhe edhe tani në qeverisjen aktuale Kurti 2.” – kishte thënë ai.
Megjithatë, Arianiti njihet më shumë për postimet e tij nëpër rrjetet sociale.
Për mbrojtjen tepër të madhe që ia ka bërë Kurtit ndaj thuajse secilës kritikë, ai shpesh edhe është etiketuar si “çantambajtës” i kryeministër.
I fundit, që ishte komentuar teper shumë, ka qenë tallja që kishte bërë me sëmundjen e ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Ai e kishte postuar një fotografinë të tij me “bastun“ dhe të Mustafës, po ashtu me “bastun”, të cilën e mban vazhdimisht për shkak të gjendjes shëndetësore jo të mirë.
“Shkatërruesit e LDK-së” – ka shkruar Beqiri, duke e përcjellur me dy “emoji”, njëra nga të cilat është ajo e të qeshurës me lot.
Ndaj kësaj, kishte reaguar më pas edhe vetë Isa Mustafa. Ish-kreu i LDK-së kishte deklaruar se është mirë me shëndet, derisa Beqirin, e kishte quajtur “qullash”.
