Kurti thotë se shqiptarët e Luginës s`po lihen në harresë, por i “harroi” në Marrëveshjen e Brukselit
Në tre vjetorin e Qeverisë se tij, kryeministri Albin Kurti është mburrur me punën që ka bërë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ai ka bërë me dije se në qeverisjen e tij shqiptarët e kësaj pjese nuk janë lënë të harruar.
Por, i pari i Qeverisë ka harruar se Preshevën, Metevexhen dhe Bujanivcin e “harroi” kur më 27 shkurti të vitit të kaluar në Bruksel u pajtuar me Serbinë për Marrëveshjen Bazike, raporton Nacionale.
Në këtë ujdi, Kurti nuk i përmendi fare shqiptarët e Luginës, ndonëse vazhdimisht ishte zotuar se do të angazhohet për përfshirjen e tyre në proces të dialogut të Brukselit.
Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, kryeministri Kurti ka përmendur të gjitha veprimet që qeveria e tij ka ndërmarr për Luginën e Preshevës.
“Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk po lihen më në harresë e të pambrojtur. Ata tash gëzojnë kujdesin e përkrahjen tonë gjithnjë e më të madhe, çdo vit e më shumë. Me qeverinë tonë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Për vitin 2022 ndamë 2 milionë euro. Këtë vit të buxhetuar kemi 3 milionë euro. Vëmendja jonë dhe ndihma nuk ka munguar as para kësaj”, ka shkruar Kurti, duke përmendur edhe disa hapa tjerë.
“Ruajtja e identitetit, mozaikut kulturor e traditave, është e qenësishme për ekzistencën e shqiptarëve atje, duke patur parasysh përmasat e diskriminimit të skajshëm me të cilin ata përballen. Për këtë arsye në vitin 2022 nënshkruam një memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar. Përmes këtij bashkëpunimi deri më tani janë mbështetur 75 projekte e nisma të ndryshme. Në të njëjtën kohë arsimi është kyç për edukimin e brezave dhe mësimin e historisë, andaj siguruam libra shkollorë dhe parashkollorë në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë për vitet 2022 dhe 2023. Ndërsa për 107 studentë, siguruam 107 bursa studimore”, është shprehur Kurti.
Por, jo të gjithë shqiptarët e Luginës janë të kënaqet me veprimet e Kurtit.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiperim Arifi, ia ka përmendur Kurtit mospërfshirjen e tyre në marrëveshjen e fundit.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, Arifi ka thënë se kjo është një tradhti që Kurti ua ka bërë shqiptarëve të Luginës.
“Për mua Kurti është tradhtar i popullit shqiptar të Preshevës, sepse ka pranuar në Marrëveshjen Brukselit dhe të Ohrit që shqiptarët e Luginës fare të mos jenë pjesë e reciprocitetit dhe fare të mos jenë pjesë e kësaj marrëveshje”, ka thënë Arifi.
Duke i komentuar veprimet e Qeverisë Kurti për Luginën, ai ka thënë se ato janë nën hije e përçarjes politike që Kurti ia ka ofruar spektrit politik të Luginës.
“Veprimet e ashtuquajtura të mira për Luginë të Preshevës janë nën hijen e politikave të Kurtit që e kanë përçarë Luginën e Preshevës. Këto veprime për mua janë artificiale, sepse më e rëndësishme që ka ndodhur është ajo që ne për tri vite jemi pa përfaqësim të dinjitetshëm në Parlamentin e Serbisë. Kjo sepse e ka përçarë listën dhe ka krijua dy blloqe. Njëjtë ai është duke vepruar edhe në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Arifi.
Zotimi i Kurtit për shqiptarët e Luginës
Kryeministri Albin Kurti sa ishte në opozitë kishte kritikuar Qeveritë e kaluar se në procesin e dialogut në Bruksel nuk po bëjnë asgjë për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Edhe pas marrjes së pushtetit, ai ishte zotuar se në procesin e dialogut me Serbinë do t`i përfshinte edhe të drejtat e shqiptarëve në Serbi.
Madje, në fillim të muajit shkurt, kur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës kishte prezantuar kushtet për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai kishte treguar se njëra nga gjashtë kushtet për këtë proces është reciprocitet në të drejta.
“Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane”, kishe thënë Kurti.
Madje, për këtë çështje, kryeministri Kurti kishte takuar edhe përfaqësuesit e Luginës së Preshevës. Këta të fundit, pas takimin ishin shprehur optimist se do të përfshiheshin në këtë proces.