Kurti i njoftoi ambasadorët për hyrjen në fuqi të Ligjit për Automjetet dhe Ligjit për të Huajt: Çka duhet të dihet?
Ka nisur së zbatuari Ligji për Automjetet dhe Ligji për të Huajt.
Megjithatë, deri në mars, do të jetë periudhë kalimtare, me shpërndarjen e fletushkave informuese për qytetarët.
Detajet për secilën prej dy ligjeve, e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme.
Ligji për Automjetet:
Të dashur vizitorë, mirë se vini në Republikën e Kosovës! Ju urojmë qëndrim të këndshëm në vendin tonë. Jemi të detyruar t'ju informojmë për të drejtat dhe detyrimet tuaja në lidhje me Ligjin për Automjetet në Republikën e Kosovës, në mënyrë që qëndrimi juaj në vendin tonë të jetë më i lehtë dhe në përputhje me rregullat dhe ligjet e vendit tonë.
Ju lutemi vini re se:
• Automjeti i regjistruar në vendin e huaj në pronësi të shtetasit të huaj, lejohet të qarkullojë deri tre (3) muaj nga data e hyrjes në Kosovë;
• Automjeti i regjistruar në vendin e huaj në pronësi të qytetarit të Kosovës, lejohet të qarkullojë deri tre (3) muaj nga data e hyrjes në Kosovë. Qytetari i Kosovës duhet të ketë të rregulluar lejen e qëndrimit të përkohshme ose të përhershme dhe ta tregoj në çdo rast kur kërkohet nga personi i autorizuar;
• Automjetin e regjistruar jashtë Kosovës nuk mund ta drejtojë shtetasi kosovar pa praninë e pronarit dhe as të autorizohet që të qarkullojë në Kosovë;
• Automjeti i regjistruar në vendin e huaj në pronësi të qytetarit të Kosovës me qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm jashtë Kosovës mund ta drejtojë qytetari i Kosovës nëse i njëjti gjithashtu ka qëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në shtetin prej nga vjen automjeti dhe duhet të ketë autorizim nga shteti ku është i regjistruar automjeti;
• Personi i cili nuk ka të rregulluar qëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm nga vendi ku importohet automjeti, lejohet të qarkullojë deri ne tetë (ditë nga data e hyrjes në Kosovë;
• Shtetasi i huaj të cilit i është lejuar qëndrimi i përkohshëm ose i përhershëm në Kosovës apo qytetari i Kosovës i cili kthehet nga shtetet e huaja mund të drejtojë automjetin me patentë shofer të huaj të vlefshme deri në një (1) vit nga dita e hyrjes në Kosovë.
Për më shumë informacion, ju lutemi referojuni Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjetet, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Zbatimi i plotë fillon me 15 mars 2026 dhe mosrespektimi i pikave të mësipërme përbën shkelje të ligjeve që rregullojnë fushën e trafikut dhe do të merren masa në përputhje me legjislacionin përkatës.
Ligji për të Huajt:
Me rastin e hyrjes në Republikën e Kosovës, i huaji duhet:
• të posedojë dokument të vlefshëm udhëtimi;
• të posedojë vizë ose leje qëndrimi, kur kërkohet;
• të respektojë qëllimin dhe afatin e qëndrimit;
• të lajmërojë adresën e qëndrimit në afat prej tri (3) ditësh nga dita e hyrjes, në kufi apo në stacionin më të afërt policor;
• të ketë mjete të mjaftueshme për jetesë;
• të respektojë ligjet e Republikës së Kosovës;
• të mos ketë ndalim të hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës;
• të mos përbëjë kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin dhe shëndetin publik.
Me rast të qëndrimit afatshkurtër:
• I huaji mund të qëndrojë deri në nëntëdhjetë (90) ditë brenda periudhës kohore prej njëqind e tetëdhjetë (180) ditë pa vizë ose me vizë kur kjo kërkohet,
• Nuk i lejohet puna/punësimi gjatë kësaj periudhe pa leje pune;
• Çdo qëndrim mbi 90 ditë kërkon aplikim për lejeqëndrim.
Me rast të qëndrimit në Republikën e Kosovës për çështje punësimi:
• kërkohet leje qëndrimi e përkohshme për punë;
• kërkohet leje pune;
• Kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë;
• puna pa leje është e ndaluar.
Aplikimi për leje të punës bëhet pranë Agjencisë së Punësimit.
Qëndrimi për qëllime të tjera:
Për çështje studimi, ribashkimi familjar ose arsye tjera humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana tjera të parapara me ligj, kërkohet:
• pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe
• plotësimi i kritereve tjera ligjore në varësi nga qëllimi i qëndrimit.
Aplikimi mund të bëhet në misione diplomatike/konsullore ose në DSHAM, në rastet kur i huaji ka hyrë në Republikën e Kosovës dhe nuk ka nevojë për vizë.
Pasoja në rast shkeljeje
Atëherë kur nuk veprohet në pajtim me përcaktimet ligjore që lidhen me hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve, autoritetet kompetente mund të marrin masat e përcaktuara me ligj, të cilat mund të përfshijnë por nuk kufizohen në:
• anulimin e lejeqëndrimit,
• shqiptimin e gjobës,
• urdhërimin e largimit dhe
• ndalimin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës.
Për më shumë informacion, ju lutemi ti referoheni Ligjit Nr.04/L-219 për të Huajt, të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Zbatimi i plotë fillon nga data 15 mars 2026. Çdo hyrje pas kësaj date që rezulton me mosparaqitje sipas rregullave të listuara brenda këtij udhëzuesi, do rezultojë me ndalim hyrje në Republikën e Kosovës.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj.
Ju dëshirojmë qëndrim të këndshëm në Republikën tonë!
|
|
Share this email in Google Chat Discuss in real time with an ind |